-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Thënie që të bëjnë të qeshësh

Më të lexuarat

Një njeri po shikonte gruan e vet teksa ajo ishte në shkallët e shtëpisë dhe i tha: -Nëse hipën lart je e shkurorëzuar, nëse zbret je e shkurorëzuar, nëse ndalesh je e shkurorëzuar!
Asaj nuk i mbeti tjetër përveçse të kërcente nga shkallët. I habitur ai i tha:
-Flijofsha babanë e nënën për ty! Dije se nëse vdes Imam Malik ibn Enesi në Medinë, njerëzit do të kenë nevojë për ty (në fetvatë e tyre)… Buzëqesh.

Një njeri pyeti disa fukaha: -Kur t’i zhvesh rrobat nga trupi dhe hyj në lumë për t’u pastruar, a të kthehem nga Kibla apo nga? I thanë: -Së pari kthehu tek rrobat e tua, të cilat i zhveshe më parë… Buzëqesh.

Një grua e bukur i tha një ditë burrit të saj, i cili ishte i shëmtuar: -Unë shpresoj që ne të dy të jemi në xhenet. E pyeti: -Pse? Ajo tha: -Se ti më more mua (e ka fjalën për bukurinë e vet) dhe ishe falënderues, kurse unë ty dhe durova. E duruesi dhe falënderuesi janë në xhenet… Buzëqesh.

Është pyetur një koprrac se kush është më trimi i njerëzve. Ka thënë: -Ai i cili i dëgjon krismat e dhëmballëve të njerëzve duke ngrënë e nuk i çahen mushkëritë… Buzëqesh.

U burgos një njeri i cili pretendonte se ishte Pejgamber në kohën e Mehdiut, pastaj u mor në pyetje. Kur u pyet: -A je ti Pejgamber? Tha: -Po! I thanë: -Atëherë, te kush je dërguar? Tha: -Ju nuk më lejuat të shkoj tek asnjë njeri, se si pretendova se jam pejgamber, më mbyllët në burg… Buzëqesh.

Një beduin (fshatar) fali namazin e sabahut pas imamit, i cili lexoi suren El-Bekare (Lopa), kurse beduini ishte për ngut. Në ditën e dytë beduini erdhi më herët. Imami filloi të lexonte suren El-Fil (Elefanti). Beduini pa hezituar iku dhe tha: -Elefanti është më i madh se Lopa… Buzëqesh.

Thuhet se një grua e vjetër ishte sëmurë e djali i saj erdhi me një mjek. Pasi mjeku e pa plakën të zbukuruar dhe të veshur me rroba te reja, kuptoi çka kishte ajo dhe tha: -Kjo ka nevojë për një burrë (për t’u martuar). Pyeti djali i hutuar:
-Ku kanë nevojë plakat për martesë?! Nëna i tha: -Hesht ti, mjeku di për çdo gjë më mirë se ti… Buzëqesh.

Hyri një herë Tufejli te një grup njerëzish që darkonin dhe i tha: Ç’po hani? Duke e nënçmuar (uljen e tij) në sofër, i thanë: -Po hamë dhe po pimë helm. Ai e futi dorën e tij në ushqim dhe tha: -Jeta ime pas jush është haram (nuk jetoj dot pa ju)… Buzëqesh.

Në një shtëpi banonin disa fukaha, por shtëpia ishte e vjetër dhe tavani binte pjesë-pjesë. Një ditë erdhi pronari i shtëpisë për të kërkuar qiranë e shtëpisë. Fukahatë i thanë: -Ndreqe tavanin, se po rrëzohet për ditë!
Pronari tha: -Mos keni frikë, se ai e madhëron Allahun! I thanë ata: -Po, po, veç kemi frikë se mos po e kaplon frika e madhe ndaj Allahut e po bën sexhde!… Buzëqesh.

Një herë Tufejli pa një grup njerëzish duke shkuar në një drejtim të panjohur dhe mendoi se po shkonin në restorant për të drekuar. Papritmas ata hynë te sulltani (udhëheqësi i shtetit) dhe ky hyri me ta, mirëpo ata që të gjithë ishin poetë, thurnin poezi në shenjë lavdërimi për sulltanin. Pasi përfunduan të gjithë, i erdhi radha këtij dhe i thanë: -Urdhëro, thuaj poezinë! Tha: -Unë nuk jam poet. E pyeten: -E, kush je ti? Ai tha: -Unë jam prej të gabuarve, për të cilët ka thënë Allahu: “Sa për poetët vjershëtorë, të gabuarit i ndjekin ata.” (Esh-Shuara, 224) Qeshi sulltani dhe urdhëroi të shpërblehet edhe ai me një dhuratë… Buzëqesh.

Në një gjykatë sollën një beduin për ta gjykuar për një krim që kishte bërë. Ai menjëherë bëri një ankesë dhe e ngriti te kadiu (gjykatësi) dhe i tha: “Ja! Merreni dhe lexoni librin tim!” Iu përgjigjën: -O beduin, ky është ajet nga Kurani dhe thuhet në Ditën e Kiametit. Beduini tha: -Dita juaj qenka më e keqe se dita e Kiametit! Të çuditur i thanë: -Pse ore? Ai u përgjigj: -Në Ditën e Kiametit merren parasysh të mirat dhe të këqijat e mia e ju sot morët parasysh vetëm të këqijat e mia dhe i latë ato të mirat… Buzëqesh.

Kishte qenë Ebu Hanifja ulur dhe kishte zgjatur këmbët përpara vetes, ndërkohë hyri një “hoxhë” me shall dhe xhybe e me pamje prej intelektuali. Ebu Hanifja menjëherë i mblodhi këmbët në shenjë respekti ndaj tij. “Hoxha” e pyeti se kur është iftari. Ebu Hanifja iu përgjigj: -Kur të perëndojë dielli. Ai tha: -Po nëse nuk perëndon dielli gjer në mesin e natës?! Tha Ebu Hanifja:
Tani i erdhi koha Ebu Hanifes t’i zgjatë këmbët!… Buzëqesh.

Një psikopat kishte dhjetë gomarë. I hipi njërit prej tyre dhe i numëroi. Kur i numëroi, ishin nëntë gomarë. Zbriti prapë dhe i numëroi, dhjetë gomarë! Tha: -Më mirë për mua po eci, kështu që kam një gomar më tepër sesa të hipi e të humb një gomar. Eci aq shumë, saqë kur erdhi te fshati i tij gati u alivanos nga lodhja… Buzëqesh.

Marrë nga libri i Aid el-Karni “Ibtesim”
Përktheu: Eroll Rexhepi/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit