Shoqata “Vatra” thotë se pushteti serb po vazhdon provokimet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kryetari i kësaj shoqate, Sejdulla Kadriu është shqetësuar me lajmin se të rinjtë shqiptarë të komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë kanë filluar të pranojnë ftesa nga Ministria e Mbrojtjes (MM) e Serbisë për tu evidentuar në ushtrinë serbe.
“Këto ftesa nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për të rinjtë shqiptarë është edhe një provokim i radhës i pushtetit të Serbisë, në vazhdën e shumë provokimeve që po i bën ajo për çdo ditë. Të kujtojmë vetëm burgosjen e 4 majit 2012 të qytetarëve të pafajshëm shqiptarë në mënyrë spektakulare, të kujtojmë ndërtimin e lapidarit të kriminelëve serbë në Konçul dhe largimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë. Të gjitha këto pushteti serb i ka bërë dhe po i bën për të mbetur kriminelët edhe më tutje në pushtet dhe, në anën tjetër, për të frikësuar shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që të largohen nga shtëpitë e veta”, deklaroi Kadriu, transmeton Ina.
Sipas tij, thirrja e të rinjve për t’u rekrutuar në ushtrinë serbe është provokimi më i rëndë, përkatësisht paraqet tentim-zbrazje të radhës së tri komunave nga të rinjtë shqiptarë, sepse Serbia e di se të rinjtë nuk do t’i përgjigjen këtyre thirrjeve dhe largimi i të rinjve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci është një zbrazje totale e shqiptarëve të këtij rajoni.
Shoqata ‘Vatra” kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të ndalë presionet dhe provokimet e pushtetit serb ndaj shqiptarëve të Luginës. /Ind/kohaislame