3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Turqi, persona me shikim të dëmtuar memorizojnë Kur’anin përmes gishtave

Më të lexuarat

Drejtuesit e kursit, të cilët kishin vërejtur prirjen e personave me shikim të dëmtuar për ta mësuar Kur’anin, kishin vendosur që të hapin kurs për nxënësit e kësaj kategorie

STAMBOLL (AA) – KENAN IRTAK

Në një kurs për mësimin e Kur’anit në lagjen Kyçykçekmexhe të Stambollit, mësimet ndjekin hafëz me shikim të dëmtuar të cilët memorizojnë Kur’anin me ndihmën e gishtave. I hapur në vitin 2012, kursi i meshkujve Camlikalti që nga viti 2014 ka filluar të ofrojë mësime edhe për personat me shikim të dëmtuar.

Drejtuesit e kursit, të cilët kishin vërejtur prirjen e personave me shikim të dëmtuar për ta mësuar Kur’anin, kishin vendosur që të hapin kurs për nxënësit e kësaj kategorie.

Në këtë drejtim, për akomodimin e këtyre personave në kurs janë bërë rregullime të ndryshme, duke filluar nga shtigjet taktile dhe dhomat për fjetje e deri te projektimi ergonomik.

Nxënësve që fillojnë me mësime në këtë kurs, fillimisht u mësohet leximi i alfabetit Braille (shkrim i prekshëm) dhe turk, ndërsa më pas leximi në i alfabetit arab.

Disa prej afër 70 nxënësve që kanë mësuar leximin e Kur’anit dhe kanë nxënë njohuritë themelore të fesë përmes alfabetit Braille, kanë vendosur të qëndrojnë në kurs për të vazhduar mësimet për memorizimin e Kur’anit.

Të shoqëruar nga mësues po ashtu me shikim të dëmtuar, dhjetë nxënës aktualisht ndjekin mësimet për t’u bërë hafëz të Kur’anit.

Kursi gjithashtu posedon shtypshkronjë të alfabetit Braille, përmes së cilës bëhet shtypja e Kur’anit dhe të gjiha librave të mësimorë dhe atyre në gjuhën arabe.

Krahas kësaj, këta nxënës kanë mundësinë të ndjekin edhe orë dëgjimore, në të cilat mësojnë përmes të dëgjuarit të librave të regjistruar me zë.

“Pranojmë nxënës nga e gjithë Turqia”

Sinan Tunç, drejtor i kursit Camlikalti, për Anadolu Agency (AA) tha se në kursin veror kur kishin filluar në vitin 2014, fillimisht kishin regjistruar 38 nxënës me shikim të dëmtuar.

“Ai vit ishte shumë i frytshëm. Nga shokët që erdhën te ne mësuam se në Turqi nuk ka diç të këtillë për personat me shikim të dëmtuar dhe bëmë planet që këtë punë ta bëjmë të përhershme. Kurset tona verore vazhdojnë çdo vit. Pranojmë nxënës nga e gjithë Turqia. Në mesin e këtyre nxënësve kemi edhe të tillë që duan të vazhdojnë edhe gjatë dimrit. Ata që duan të vazhdojmë me memorizimin e Kur’anit i marrim në të njëjtën klasë me nxënësit e tjerë”, tha Tunç.

Ai njoftoi se krahas Kur’anit dhe mësimeve fetare, nxënësit mund të marrin pjesë edhe në aktivitete të ndryshme sportive dhe sociale dedikuar personave me shikim të dëmtuar.

Tunç thekson se shumë persona me shikim të dëmtuar hezitojnë të dalin jashtë, ndërsa edhe familjet e tyre ngurrojnë t’i dërgojnë jashtë vendlindjes. Ai thotë se kursi i tyre posedon infrastrukturën e nevojshme për personat e kësaj kategorie.

“Kursi jonë funksionon nën vëzhgimin e myftinive të Stambollit dhe Kyçykçekmexhes. Kursi ka mjedis të mirë fizik, hapësirë dhe infrastrukturë dedikuar personave me shikim të dëmtuar”, thotë Tunç.

Ai tregon se kursistët që marrin pjesë në kursin veror e mësojnë leximin e Kur’anit brenda një muaji, teksa kandidatët për hafëz zgjidhen nga mesi i këtyre kursistëve.

Tunç njofton se deri më tani tre persona me shikim të dëmtuar kanë mbaruar memorizimin e Kur’anit, ndërsa dy të tjerë janë pranë përfundimit.

“Ndërkaq, të tjerët kanë memorizuar dy të tretën e Kur’anit. Këta nxënës tanë nuk u bënë hafëz duke dëgjuar nga kasetat. Personat me shikim të dëmtuar mund të lexojnë duke ndierë me majet e gishtave. Hafëzët tanë këtu memorizojnë duke lexuar me gishtat e tyre. Gjithsesi, qëllimi ynë është të nxjerrim hafëz të cilët mund të lexojnë vetë dhe më pas mund të bëhen mësues. Fatkeqësisht, ekzistojnë shumë pak mësues me shikim të dëmtuar në këtë fushë”, shton Tunç.

“Presidenca e Çështjeve Fetare ka shumë shërbime për grupet me disavantazh”

Hasan Kamil Yılmaz, myftiu i Stambollit, tha se Presidenca e Çështjeve Fetare ofron shumë shërbime për grupet me disavantazh. Ai shtoi se veçanërisht organizojnë kurse për personat me shikim dhe të dëgjuar të dëmtuar dhe spasticitet.

“Edhe në pjesën aziatike të Stambollit ofrohen mësime të Kur’anit për femra me alfabetin Braille në kursin Mehmet Akif”, informoi Yılmaz.

Ai tha se po ashtu bëjnë punime të ndryshme edhe për personat me të dëgjuar të dëmtuar, duke shtuar se për ta kanë zhvilluar alfabet të posaçëm dhe udhëzues me njohuri fetare.

Ndërkohë, myftiu i Kyçykçekmexhes, Mustafa Temel, tha se kursi plotëson nevojat e të gjithë nxënësve, duke shtuar se nxënësit me shikim të dëmtuar në këtë kurs e lexojnë Kur’anin me përpikëri sipas rregullave.

“Nxënësit tanë jo vetëm që memorizojnë Kur’anin, por edhe pajisen me njohuri fetare”, tha ai.

“Dua të bëhem mësues i kursit të Kur’anit”

Halil Karabacak, kandidati për hafëz 13 vjeçar me shikim të dëmtuar, tha se në kurs është regjistruar në vitin 2014 dhe është pranë memorizimit të plotë të Kur’anit, duke shtuar se i ka ngelur afërsisht edhe një vit për t’u bërë hafëz.

“Është shumë mirë ta lexosh Kur’anin. Me Kur’an më freskohet zemra. Dua të bëhem mësues i kursit të Kur’anit”, tha ai.

Edhe 15 vjeçari me shikim të dëmtuar Muhammet Etem thekson se në të ardhmen dëshiron të nxjerrë hafëz me shikim të dëmtuar.

Ndërkaq, 23 vjeçari Salih Gültekin, i cili është në të njëjtën kohë student universitar dhe peshëngritës, tha se ka filluar rishtazi me memorizimin e Kur’anit.

Ai tha se shikimin e kishte humbur më pas dhe për këtë arsye nuk e ka pasur të zhvilluar shqisën e të prekurit me gishta. “Gishtat m’u zhvilluan me kohë. Shpejtësia e leximit filloi të rritej. Synimi im në peshëngritje është të bëhem kampion botëror. Nëse mbaroj memorizimin e Kur’anit, dua të jetoj si hafëz dhe të hyj në politikë”, u shpreh Gültekin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit