Një studim i kriminologëve të Universitetit të Lausannes tregon se në shitjen e drogës prijnë bandat shqiptare.
Në fund të marsit në një kafeteri në Basel u vranë dy veta, një u plagos, një autor u arrestua. Të gjithë të përfshirët në këtë zënkë të përgjakshme janë shqiptarë. Autoritetet zvicerane supozojnë se konikti mes shqiptarëve shpërtheu për shkak të pazareve të drogës.
Tregtia me drogë, sidomos me heroinë, në Zvicër dominohet nga bandat shqiptare, shkruan gazeta «Tages Anzeiger», duke iu referuar një studimi të kriminologëve të Universitetit të Lausannes.
Brenda një viti në Zvicër shitet heroinë në vlerë mes 100 dhe 150 milionë franga.
Kriminologët nga Lausanna kanë intervistuar ekspertë të organizatave preventive, policë dhe të varur nga droga, po ashtu kanë bërë analiza të ujit për të konstatuar mbetjet e heroinës. Kështu hulumtuesit kanë arritur të përshkruajnë mjaft saktë funksionimin e modelit të shitjes së heroinës. Në statistikat dhe njoftimet policore bie në sy shpesh numri relativisht i madh i shqiptarëve të arrestuar. Zakonisht arrestohen «peshqit e vegjël», ata që shesin nga 5 gramë heroinë nëpër rruga e rrugica, restorante e diskoteka.
Qendra të shitjes së drogës janë Zürichu, Berna dhe Gjeneva. Të arrestuarit janë kryesisht shqiptarë nga Republika e Shqipërisë, të cilët në Zvicër vijnë si turistë. Që nga viti 2010 shqiptarët mund të qëndrojnë pa vizë në vendet e Schengenit për 90 ditë, shkruan dialogplus.
Autori i studimit Frank Zobel tha se shkathtësia e sistemit shqiptar qëndron në faktin se të rinjtë dërgohen për një kohë të shkurtër në Zvicër dhe nuk kanë informata mbi organizatën për të cilën «punojnë». Përkundër arrestimit të shpërndarësve, hetuesit policorë rrallëherë arrijnë të kuptojnë se kush qëndron pas sistemit të shitjes së drogës.