Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar Kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit.
Megjithëse pritej që urimi i tij të ishte ndoshta i pari, në saj të marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve, Thaci i përcolli urimet pas Kancelares gjermane, Merkel dhe Presidentin turk, Erdogan.
Në mesazhin e urimit ai përgëzon institucionet shqiptare edhe për standardin që u shënua, sipas tij, me këtë proces zgjedhor.
Në faqen e tij në fb, Thaçi shkruan: “Sot urova Kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mikun tim, Edi Ramën, për fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit. Përtej garës partiake, mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike ishte një fitore për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Prandaj, uroj të gjitha institucionet shtetërore të Shqipërisë për suksesin e arritur dhe jam i sigurt se bashkëpunimi vëllazëror dhe institucional me Shqipërinë do të intensifikohet edhe më shumë”.