Sot, në tërë territorin e Shqipërisë mbahen zgjedhjet parlamentare, ku të drejtë vote kanë 3,452,260 votues.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha për KosovaPress se Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të gjitha përgatitjet.
“Qendra votimi janë 5362. Gjithë shqiptarët do të kenë mundësinë t’u drejtohen qendrave ku ata janë regjistruar dhe të shprehin vullnetin përmes votës. Shpeshherë pyetet për numrin e madh të zgjedhësve, por Ligji shqiptar parasheh që çdo shqiptar që ka shtetësi shqiptare, pavarësisht ku është, ka të drejtë të votojë, por votimi bëhet vetëm në Shqipëri, nuk ka të drejtë nëpërmes postës”, tha Hoxhaj.
Në këto zgjedhje që mbahen në ditën e Bajramit të Madh, garojnë 18 parti. Sot njëkohësisht mbahen edhe zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Kavajës.
Sipas saj, nuk pritet që të dalin me rezultatet preliminare, pasi numërimi i votave fillon në momentin kur vjen kutia e fundit me vota.
Megjithatë, votat gjatë numërimit dalin në tabelën online në faqen e KQZ-së, por edhe në aplikacionin “Voto 2017” që mund të shkarkohet në të gjithë telefona dhe kompjuterë.
Qendrat e votimit pritet të hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe të mbyllen në orën 19:00. /KP/