Djersitesha dhe dridhesha si asnjëherë në jetë. Sytë ishin të drejtuar kah peshorja e veprave duke pritur vendimin.
Më në fund vendimi u muarr. Dy melekë, duke mbajtur regjistrin e veprave, u nisën kah grumbulli i njerëzve. Këmbët i kisha para kolapsit. I mbylla sytë. Kur filluan t’i lexojnë emrat e atyre që shkojnë në Xhehennem. Emrin tim e lexuan të parin. Rashë në gjunjë duke bërtitur e vajtuar. Si mund të shkoj unë në xhehennem? Kam bërë shumë vepra të mira.
M’u turbullua para syve. Melekët më tërhiqnin zvarrë kah gremina e xhehennemit. Bërtisja dhe mendoja a ka dikush prej njerëzve që të më ndihmojë … Thërrisja të gjitha veprat e mira që kisha bërë: ndihmesën ndaj prindërve, agjërimin tim, namazin, Kur’anin që kisha lexuar, a thua cila nga këto vepra mund të më ndihmojë?
Por, melekët më tërhiqnin zvarrë kah xhehennemi. Ju afrova zjarrit. Ktheva shikimin për herë të fundit … A thua nuk ka thënë
Pejgamberi s.a.v.s. sesa i pastër është ai njeri që pastrohet pesë herë në ditë në lum, për çdo ditë, ashtu edhe namazi i bërë pesë herë në ditë pastron nga mëkatet?!
Fillova të bërtas: Namazi im? Namazi im? Melekët nuk u ndalën dhe erdhën deri buzë greminës së xhehennemit. Ndieja flakërimin e xhehennemit në fytyrën time. Shpresa më humbi fare, u gjykova në zjarr të përhershëm … Një melek më shtyri kah xhehennemi dhe fillova të bie, duke shikuar kah zjarri i cili ishte gjithnjë e më afër . . .
Për një moment një dorë e fuqishme më kapi duke më ngritur prapa. Pashë një plak të moshuar me mjekër të bardhë. E pyeta: Kush je ti? Ai më tha: “Unë jam namazi yt.”
Po ku je deri më tani? Më shpëtove në momentin e fundit! Për pak sa nuk përfundova në xhehennem!
Njeriu i moshuar buzëqeshi duke thënë: “Por, ti mua më ke lënë gjithmonë në minutën e fundit, a ke harruar?!”
Në atë moment më doli gjumi. Isha djersitur. Dëgjoja ezanin e jacisë. U ngrita menjëherë duke marrë abdest për t’u mos u vonuar më për namaz.
Në kokën time më silleshin fjalët e Kuranit fisnik:
“Pra shkatërrim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.” (El – Maun, 4-5)