Ndonëse është ne vitet e para të karrierës së tij, ka arritur që rolet e besuara t’i transmetoi tek shikuesi në mënyrë shumë të saktë dhe identike.
Ai edhe jashtë shkallëve të teatrit dhe skenave të xhirimit, është natyral dhe i përshtatshëm, veçanërisht në diskutime me miq dhe të afërt.
Aktori Dardan Gashi, në vorbullën e vlerave që po ziejnë brenda shoqërisë njerëzorë, është rreshtuar që të jetë pasues i fjalës së Zotit të Gjithësië dhe porosive të profetit Muhamed, dhe këtë me shumë vetëdije dhe arsye.
Derisa jemi në muajin më të rëndësishëm për besimtarët muslimanë, Gashi tregon për 30 ditët se fillet e agjërimit të muajit të shenjtë i ka para 20 vitesh, dhe krejt kjo e ndikuar nga ambienti familjar.
Ai ka thënë se me sa mban mend ka qenë viti 1997 kur motrat e tij e kryenin këtë obligim fetar, dhe ky si fëmijë nga kurreshtja dëshironte që të bëhej pjesë e kësaj atmosfere.
“Unë atëherë kam qenë 7 vjeçar, edhe si çdo fëmijë dëshiroja që të rritesha dhe ta shihja veten si një njeri i rritur, me përgjegjësi. Mendova, njëra prej mënyrave më të shpejta për ta arritur ‘burrërinë’, ishte ta sfidoja veten time me agjërim. Nejse, isha i zoti ta mbaja këtë përgjegjësi vetëm për një ditë”, ka shtuar Gashi.
Duke shkoqitur mendime dhe ndjesi nga fëmijëria e tij, në të cilën kohë mendonte se agjërimi atë do të “burrëronte”, aktori nga Prishtina thotë se tash motivi për ta kryer njerën prej pesë shtyllave të fesë islame, ka ndryshuar dhe ka marrë kuptim dhe përmbajtje të saktë.
“Unë rregullisht muajin e shenjtë të Ramazanit, e agjëroj që nga mosha 16 vjeçare. Dikur këtë e bëja për tu ‘rritur’, më pas për t’iu përgjigjur urdhërave të Zotit të Gjithësië, ndërsa sot këtë obligim e kryej sepse e dua Krijuesin tim”, ka shtuar ai.
Aktori i serialit “Çka ka shpija”, duke folur për kolegët dhe pozicionin e tyre karshi agjërimit, vlera, obligimeve dhe moralit që e propagandon Islami, thotë se “nuk kemi uniformitet, duke bërë kështu që të kemi llojllojshmëri të ideve – ndoshta edhe prej më të çuditshmëve”.
“Por ajo që vlen të ceket është se me parë të qenurit artist edhe fetar mund të kuptohej si diçka kontradiktore, ose thënë më butë si moskombinim”, ka shtuar Gashi.
Sipas tij, kjo gjendje pothuajse është përmbysur, sepse “ka një numër të konsiderueshëm të artistëve që respektojnë, besojnë dhe praktikojnë rregullat dhe normat fetare”.
Ai, si dashamirës i diskutimeve dhe debateve konstruktive, tregon se mbetet lexues i pasionuar i historisë islame në përgjithësi dhe personaliteteve – të shquara të kësaj përkatësie – në veçanti, duke theksuar se shëmbëlltyrë e guximit, transformimit dhe sakrificës, mbetet figura e njërit prej udhëheqësve më të drejtë në historinë islame dhe atë botërore, Omer Ibën Abdul Azizi – nip i sahabiut Omer Ibën Hatab.
Sa e vështirë ta zgjedhësh një personalitet të historisë së lavdishme islame, ndërsa t’i privosh lexuesit prej njohjes së të tjerëve. Zgjedhja ime ka të bëjë me aktualitetin e kohës edhe momentit që po e jetojmë. Sinqerisht ua them – edhe pse është e ekzagjeruar – do të doja që popullit tim, por edhe botës t’ia ofroja historinë e drejtuesit të ndershëm, Omer Ibën Abdul Azizi.
Gashi thotë se emrin e udhëheqësi të lartcekur e ka shënuar me shkronja të arta në mbamendjen e tij, duke shtuar se fjalia/të e arta që i kujton shpesh janë thesaret e dijetarit të shekullit të kaluar, shkodranit, Muhamed Nasirudin Albani, i cili thotë se:
“Rruga për te Allahu është e gjatë. Pavarësisht se ne ecim në të me hapin e breshkës, nuk është qëllimi që të arrijmë në fund të saj, por qëllimi është që të vdesim duke qenë besnik kësaj feje”.
Ai nuk lë pa e përmendur edhe kolosin e dijes islame, Hasan El Basriun, fjala e të cilit poashtu ka lënë mbresa në mendjen e aktorit prishtinas.
Ajo frazë që e ka magjepsur Gashin, e thënë nga i urti i Irakut, është:
“O biri i Ademit, ti nuk je asgjë tjetër vetëm se një grumbull ditësh. Me kalimin e një dite, kalon edhe një pjesë e jotja”.
Mbetet e sikletshme dhe detyrë tepër e rëndë që të shkoqitësh dy thënie, nga oqeani i porosive që rrjedhin nga Kur’ani, hadithi (porositë profetike), thënie të të devotshmëve dhe të urtëve./www.30ditet.com/.