Amino Rashid deklaroi për CBC, se ajo dhe dy kolege tjera ishin përjashtuar nga një projekt për mirëmbajtjen e objektit energjetik Husky në Lloydminster të Kanadasë, pasi kishin raportuar se janë ngacmuar nga një punonjës tjetër
RENTON, Kanada (AA) – Tre gra muslimane kanë parashtruar një ankesë lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut që u është bërë, përmes shfaqjes së islamofobisë, pasi paraprakisht u përjashtuan nga një projekt energjetik në perëndim të Kanadasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Amino Rashid i tha korporatës transmetuese kanadeze CBC, se ajo dhe dy kolege tjera ishin përjashtuar nga një projekt për mirëmbajtjen e objektit energjetik të kompanisë Husky në Lloydminster të Kanadasë, pasi kishin raportuar se janë ngacmuar nga një punonjës tjetër.
Rashid i tha CBC-së se dy punëtorë meshkuj i thanë se “ka njerëz që ndjehen pakëndshëm me hixhabin e saj”, ndërsa njëri nga ata i kishte thënë ta heq.
Rashid tha më tej se rastin e kishte denoncuar në kompaninë amë e cila kryen punimet në emër të Husky Energy, por siç thotë, në vend që të ndal ngacmimet, kompania kishte përjashtuar nga puna tre gratë muslimane.
“U trondita jashtëzakonisht, sepse në një situatë të tillë ju përjashtoni personin i cili ka ngacmuar dhe nuk e përjashtoni viktimën. Nuk mund ta përjashtoni nga puna personin që po përpiqej të luftojë për vete”, deklaroi Rashid, për të shtuar se në kohën kur ishte angazhuar në punë, stafi drejtues i kompanisë kishte thënë se nuk ka asgjë kundër hixhabit.