4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Koment – Çfarë do të ndryshojë vizita e Trump në Arabinë Saudite?!

Më të lexuarat

Pasqyrimet e mundshme në rajonin e Lindjes së Mesme të vizitës dhe kontakteve të Donald Trump në Arabinë Saudite, Izrael e Palestinë.

Ish-Presidenti i ShBA-së, Barack Obama vizitën e parë të tij jashtë vendit pas marrjes së detyrës së presidentit e kishte realizuar në Turqi dhe Egjipt. Deklaratat që bëri Obama në këto dy vende në lidhje me politikat e ShBA-së ndaj rajonit të Lindjes së Mesme dhe botës islame, ngjallën pritshmëri të mëdha. Obama gjatë fjalimit të tij në Kajro vuri theksin posaçërisht në demokraci. Mirëpo ai nuk reagoi ndaj grusht të shtetit që ndodhi më vonë në Egjipt dhe neglizhoi organizatën terroriste FETO, e cila qëndron prapa tentativës së grusht të shtetit të ndërmarrë në Turqi (15 korrik 2016); po ashtu u ktheu shpinën kërkesave për demokraci në Siri. Kështu Obama shkaktoi zhgënjim të madh. Gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet me aleatët tradicionalë të ShBA-së në këtë rajon si: Arabia Saudite, Egjipti, Turqia dhe Izraeli, nuk u panë si shumë të rëndësishme. Falë marrëveshjes nukleare që u arrit (Iran-P5+1) administrata e Obamës filloi edhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Iranin dhe neglizhoi sjelljet ekspansioniste të këtij vendi në rajon. Ndërkaq gjatë kësaj periudhe Siria, Jemeni dhe Libia u zvarritën drejt luftërave civile.

Edhe Donald Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore u distancua nga islami dhe bota islame. Brenda një kohe të shkurtër pas marrjes së detyrës së presidentit, Trump vendosi ndalesa të hyrjes në ShBA për qytetarët e 7 vendeve myslimane. Mirëpo Trumpi ka edhe tendenca për të ndryshuar qëndrimin e tij ndaj islamit dhe botës islame. Për vizitë të parë jashtë vendit ai zgjodhi Arabinë Saudite. Krahas takimeve dypalëshe Trump iu drejtua edhe liderëve të 55 vendeve myslimane pjesëmarrës në një mbledhjeje që u mbajt në Arabinë Saudite me ç’rast dha edhe mesazhe të rëndësishme. Gjatë këtij fjalimi Trump përmirësoi një gabim të tij bërë gjatë fjalimeve të mëhershme. Kësaj radhe ai e dalloi islamin nga terrori. Gjatë fjalimit që mbajti në Riad, Trumpi nuk përdori shprehje si “terrori radikal islamik”, por bëri të ditur se do të rikthehet tek aleatët e tij klasik dhe shtoi se do të vazhdojë ta perceptojë Iranin si kërcënim. Në fund të këtij samiti u publikua edhe “Deklarata e Riadit” e përbërë prej 18 pikave, me anë të së cilës parashikohet bashkëpunimi i ngushtë mes vendeve pjesëmarrëse. Kjo deklaratë njëkohësisht paraqet edhe një hartë rrugore për vendet nënshkruese të saj për marrjen përsipër të përgjegjësive të përbashkëta për të parandaluar terrorizmin dhe ekspansionizmin iranian.

Trump në dallim nga pararendësi i tij Obama, hapi një faqe të re në marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe Izraelin, ndërsa u takua edhe me liderin e Palestinës, Mahmud Abbas. Gjatë takimit të dy liderët bënë fjalë për paqen dhe zgjidhjen e problemit me dy shtete dhe u dha sinjali për një iniciativë të re në këtë rajon. Trump bëri të ditur se dëshiron të ndërmjetësojë rifillimin e bisedimeve të paqes Izrael-Palestinë. Takimi kaloi në një atmosferë pozitive, mirëpo nuk pritet që kjo atmosferë të sjellë zgjidhje të problemit palestinez. Pikat kritike të rajonit ndodhen në veri. Aktualisht çështja izraelito-palestineze nuk është prioritet i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj në një të ardhme afatshkurtër nuk pritet ndonjë ndryshim në çështjen palestineze.

Para se të zgjidhej president, Donald Trump ishte një biznesmen i suksesshëm, ndërsa këtë veçori të tij ai e përdor edhe në diplomaci. Sepse gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite ai arriti marrëveshje të ndryshme në vlerë të përgjithshme 480 miliardë dollarë, ndërsa vetëm marrëveshjet e arritura në sektorin ushtarak kapin vlerën 110 miliardë dollarë. Performanca që tregoi Trump gjatë vizitave të tij në Arabinë Saudite, Izrael dhe Vatikan tregon se ai zotëron një qasje më të kujdesshme dhe më diplomatike. Ai gjithashtu është duke bërë përpjekje për të krijuar një arkitekturë të re të sigurisë në Lindjen e Mesme. Me sa duket prioritetet e administratës së Donald Trumpit në politikën e Lindjes së Mesme janë ripërtëritja e marrëdhënieve me aleatët arabë të Gjirit, me vendet myslimane si Turqia e Egjipti dhe hapja e faqeve të reja me aleatët tradicionalë. Kështu në dallim nga administrata e Obamës, Trump synon që ti bëjë Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish një aktor efikas në Lindjen e Mesme.

Padyshim që kontaktet e Trumpit në Lindjen e Mesme do të ndikojnë tek Turqia dhe Katari, të cilat kanë pozicion të njëjtë në shumicën e çështjeve rajonale. Këto dy vende veprojnë në kuadër të prioriteteve të ngjashme në politikat karshi Sirisë, Egjiptit, Libisë dhe Iranit. Kohëve të fundit Turqia dhe Katari kanë mosmarrëveshje në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Turqia, e cila reagoi ashpër ndaj administratës Obama për shkak të politikave amerikane në Siri, synon që gjatë periudhës së Trumpit të zhvillojë marrëdhënie më të shëndosha me ShBA-të. Mirëpo në qoftë se ShBA-ja dëshiron të marrë mbështetjen e Turqisë dhe Katarit qoftë në luftën kundër terrorit, qoftë përballë Iranit, atëherë duhet që Uashingtoni të marrë në konsideratë edhe prioritetet e këtyre dy vendeve. Megjithatë do të ketë edhe prej atyre që mendojnë dhe këshillojnë ndryshe, por iniciativat në të cilat nuk do të marrin pjesë Turqia dhe Katari nuk do të jenë të suksesshme.

Gjatë kontakteve të tij në Lindjen e Mesme, Presidenti Trump shpesh vuri theksin në bashkëpunimin në luftën kundër terrorit. Mirëpo si do ta vlerësojë ai përkrahjen e hapur që ShBA-ja i jep PYD/YPG-së, fraksionit të organizatës separatiste terroriste PKK në Siri? Përkrahja e administratës Trump ndaj PYD/YPG-së vë në pyetje edhe sinqeritetin e ShBA-së në luftën kundër terrorit.

– Nga Cemil Doğaç İpek –

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit