-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Thaçi amniston veriun

Më të lexuarat

Kryeministri Hashim Thaçi po përgatit terrenin që për qytetarët në veri të Kosovës të ketë një amnisti kolektive. Kërkesën që ka dalë nga dialogu ndërmjet tij dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq, kreu i Qeverisë së Kosovës e ka diskutuar me presidenten e vendit Atifete Jahjaga dhe me kreun e partisë më të madhe opozitare Isa Mustafa, kanë bërë të ditur burime të gazetës.

Amnistia do të shpallet për vepra jo të rënda, kryesisht kundërvajtje por do të bëjë që qytetarët e pjesës së Kosovës në veri të Ibrit të përfitojnë jo vetëm në raport me ligjin. Atyre do t`u amnistohen edhe borxhet që ia kanë Korporatës Energjetike të Kosovës, ujësjellësit dhe të gjitha obligimet që kanë ndaj shërbimeve komunale.

Në një prononcim të shkurtër për gazetën “Tribuna”, përgatitjen e amnistisë e ka konfirmuar edhe ministrja e Integrimeve Evropiane,Vlora Çitaku.

“Amnistia është ofertë e jona për të ngritur mirëbesimin e qytetarëve tanë në veri tek institucionet e Republikës së Kosovës. Amnistia do të jetë për krime jo të rënda”, ka thënë Çitaku, që është edhe nënkryetare e PDK-së, partisë së kryeministrit Hashim Thaçi.

Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për gazetën se veprimi është një nga tre veprimet që do të bëhen në raport me veriun e që nuk parashihet në Pakon e Ahtisarit. Dy veprimet e tjera, sipas të njëjtave burime, janë rritja e numrit të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës si dhe emërimi i katër zyrtarëve ndërlidhës ndërmjet Qeverisë dhe veriut.

Rritja e numrit të deputetëve është veprim që është pranuar nga kryeministri Thaçi, derisa për emërimin e zyrtarëve ka ende mëdyshje për shkak të natyrës ekzekutive që do të kishin ata.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit