Falënderimi për mirësitë është tipar prej tipareve të besimtarit. Ai gjen arsyetime të shumta për ta falënderuar Allahun edhe atëherë kur të tjerët e harrojnë. Muhammedi [alejhiselam] ka thënë: “Cudi me punën e besimtarit, e gjithë puna e tij është mirësi, kur e godet ndonjë sprovë ai bën durim e kjo është mirësi për të, e kur e godet ndonjë punë e mirë ai e falënderon Allahun e kjo është mirësi për të.”[1]
Ai e falënderon Allahun edhe kur sprovohet, e edhe kur disponon me mirësi, sidomos kur këto të fundit vijnë pas ndonjë sprove apo belaje. E të tilla konsiderohen edhe fatkeqësitë natyrore. Shpëtimi prej tyre duhet doemos të jetë shkas për ta falënderuar Allahun. Pas javëve të tëra pa borë dhe shi, Allahu na begatoi me shi, i cili, doli të jetë edhe si sprovë për një pjesë të popullit tonë. Në disa qytete tona pati dhe vërshime, të cilat, përpos dëmeve materiale, morën edhe jetën e një vajze, për të cilën lutemi të jetë ndërmjetësuese tek Allahu për prindërit e saj dhe për të gjithë myslimanët! Sikur që lutemi edhe për ata që pësuan dëme materiale dhe solidarizohemi me ta, madje kjo hutbe ka këtë qëllim: solidarizimin shpirtëror me ta. Edhe ne, edhe ata, kemi nevojë ta falënderojmë Allahun. Duhet ta falënderojmë Allahun për atë që siç do të shprehej Shurejhu[2], një gjykatës mysliman nga shekujt e parë, nuk ka qenë më e madhe. Këto vërshime rastisën të jenë pikërisht në përvjetorin e dytë të Cunamit në Japoni, ku mbetën 19.000 persona të vdekur ndërsa u shkatërruan zona të tëra vendbanimesh[3]. Gjithsesi se këto janë më të rënda. Vlerësimi i fatkeqësisë sipas këtij kriteri ‘se gjithnjë ka edhe më keq’, e lehtëson shumë atë. Sot do të flasim për falënderimin për mirësitë dhe rëndësinë e tij në jetën e besimtarit.
1. Rëndësia e falënderimit për mirësitë
Ndonëse mirësitë e Allahut ndaj nesh janë të shumta, ose, siç qëndron tekstualisht në Kur’an, të panumërta. Allahu ka thënë: Dhe Ai ju dha gjithatë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.“ (Ibrahim, 34)
Megjithëkëtë njerëzit, prapë, janë neglizhent ndaj falënderimit. Allahu ka thënë: “…e nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës.“ (Sebe’, 13)
Nga këtu, falënderimi për to, duke patur parasysh neglizhimin e njeriut ndaj tij, është i një rëndësie me përmasa të shumta. Ne do të mundohemi të sjellim disa imazhe të kësaj rëndësie vetëm sa për ilustrim.
1.1. Falënderimi është moral profetësh e xhennetlinjsh
Besimtari do të ndihet i motivuar për falënderim kur të kuptojë se ai me këtë veprim ka përvetësuar edhe moralin dhe etikën profetike. Allahu në Kur’an, në disa vende, ka përshkruar të Dërgua të Tij me këtë tipar. P.sh. duke folur për Nuhun [alejhis-s-selam] thotë: Pasardhës të atyre që i bartëm (i shpëtuam) së bashku me Nuhun (bëhuni mirënjohës!). Vërtet ai ishte rob shumë falënderues.“ (el-Isra, 3)
Edhe Ibrahimin [alejhis-s-selam] e përshkruan kësisoj: Vërtet, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i All-llahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët. Falënderues për të mirat e Tij. Ai (All-llahu) e zgjodhi atë (për pejgamber) dhe e udhëzoi në rrugën e drejtë. “ (en-Nahl, 120-121)
Ishte tipar edhe i të Dërguari tonë, Muhammedit [alejhiselam]. Mugire ibn Shu’beh [radije-Allahu anhu] transmeton se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] falej vullnetarisht derisa i ishin ënjtur këmbët. Përse po falesh kur Allahu t’i ka falur që të gjitha mëkatet? – e pyetën disa. Pejgamberi [alejhiselam] dha një përgjigje që duhet të jetë moto e çdo besimtari të devotshëm. Tha: “Atëherë, a të mos jam rob falënderues!”
Morali i falënderimit nuk është karakteristikë vetëm e kësaj bote. Ai besimtarët i përcjell dhe jeton me ta edhe në Ahiret. Allahu duke i përshkruar besimtarët që hyjnë në Xhennet thotë: E ata (të xhennetit) thanë: “Falënderuar qoftë All-llahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa shpërblim i mirë është i atyre që vepruan drejt”.“ (ez-Zumer, 74)
1.2. Falënderimi është ruajtje e mirësive ekzistuese dhe gjuajtës i mirësive të humbura
Kjo fjali në të vërtetë është një rregull. Mirësitë do i kemi në dorë aq sa e falënderojmë Allahun e Madhëruar për to, dhe, nëse vazhdojmë me falënderim, atëherë ato do të na shtrohen. Allahu i Madhëruar në Kur’an, në kaptinën Ibrahim, ajeti 7 thotë: “Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”
1.3. Mohimi dhe përbuzja rrugë drejt humbjes
Falënderimi është simbol që dallon falënderuesit nga përbuzësit, ata që jo rrallë e pësojnë shkaku i kësaj kryeneçësie. Allahu duke na treguar për fatin e falënderuesve thotë: “Cfarë ka All-llahu me dënimin tuaj? E falënderuat dhe i besuat? (e para nuk i pakëson sundimin e as e dyta nuk i shton) All-llahu është mirënjohës i dijshëm.“ (en-Nisa, 147); “Populli i Lutit i përgënjeshtroi vërejtjet e pejgamberit të vet. Ne atyre, përveç familjes së Lutit të cilën e shpëtuam para se të agonte, u lëshuam një erë që solli gurë mbi ta. (Shpëtimi ishte) Një mirësi nga ana Jonë, ashtu Ne shpërblejmë atë që falënderon.“ (el-Kamer, 33-35)
Ndërsa duke na folur për mohuesit, përbuzësit, thotë: “All-llahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e All-llahut. Atëherë All-llahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petkun (ua ngjeshi) e urisë dhe të frikës.“ (en-Nahl, 112)
2. Domethënia e falënderimit
Por, cila është domethënia e falënderimit?
Cfarë nënkupton ta falënderosh Allahun për mirësitë e Tij?
A përkufizohet vetëm në falënderim verbal apo se duhet të shprehet edhe në praktikë?
Falënderimi d.t.th. të shprehësh mirënjohjen për Allahun për mirësitë, të pranosh se ato janë prej Tij, të mos i fshehësh, por t’i bësh publike. Allahu ka thënë: “E me të mirat që t’i dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëz)!“ (ed-Duha, 11)
Falënderimi nuk mjafton të ngelë vetëm në mirënjohje verbale ndaj Dhuruesit, Allahu të Madhëruar. Gjithsesi se duhet të reflektojë edhe në veprat e njeriut. Madje, duhet ta bëjë edhe më modest dhe më të përulur atë. A nuk pamë me ç’arsyetim të bukur iu përgjigj Muhammedi [alejhiselam] atyre që i thanë pse po falesh kaq shumë kur Allahu t’i ka falur mëkatet. Ai iu tha se atij që i janë shumuar, ai edhe më shumë duhet të përulet, edhe më shumë duhet ta adhuron Allahun, edhe më shumë duhet të jetë i lidhur me Të.
Falënderimi nënkupton që mirësinë e dhuruar ta vësh në funksion të adhurimit për Allahu. Nëse Allahu të ka dalluar me zgjuarsi, atëherë mësoji myslimanët; nëse Allahu të ka dhënë pasuri, atëherë jep zekatin dhe sadakanë, e kështu me radhë. Dijetarët kanë thënë se falënderimi i robit për Zotin sillet rreth tri shtyllave kryesore:
· Pranimi se ato mirësi janë prej Allahut,
· Publikimi i tyre dhe shprehja me modesti se ato janë dhunti e Allahut, i Cili dallon kë të dojë me çka të do, dhe
· Që mirësinë ta vësh në shërbim të adhurimit.
Ibni Ebi Dunja në librin e tij të njohur ‘Falënderimi’[4] (ar. esh-Shukru) përmend se një njeri e kishte pyetur Ebu Hazim Seleme ibn Dinarin:
O babai i Hazimit! Cili është falënderimi për dy sytë?
Tha: Që kur ta shohësh të mirën, ta thuash, dhe kur ta shohësh të keqen, ta fshehësh.
Po, falënderimi për veshët cili është? – e pyeti prapë.
Nëse dëgjon mirë, e mban mend, e nëse dëgjon keq, e refuzon.
E për duart çfarë falënderimi ka? – vazhdoi ta pyet njeriu.
Tha: Mos merr atë që nuk të takon dhe mos e pengo – ndalo dhënien e asaj që është e drejtë e Allahut! – iu përgjigj.
Po falënderimi për barkun si duhet të jetë? – e pyeti.
Që fundi i tij të jetë ushqim e pjesa e sipërme dituri- iu përgjigj Ebu Hazimi dhe citoi nga Kur’ani: “Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), Me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar, E kush kërkon përtej tyre (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që kanë shkelë normat e caktuara,“ (el-Mu’minune, 5-7)
Po falënderimi për këmbët si duhet të jetë? – e pyeti.
Nëse sheh një të vdekur, vepra e të cilit të pëlqen, atëherë mundohesh të veprosh siç ka vepruar ai, ndryshe, nëse sheh të vdekur që nuk të pëlqen puna e tij, atëherë larg nga punët e tilla.
Pastaj Ebu Hazimi merr në shembull për ata që nuk e falënderojnë Allahun me tërë qenen e tyre e thotë se ata i ngjajnë njeriut i cili ka një rrobë por që nuk e ka veshur. Kësisoj, dobia e saj është asgjë ngase nuk e ka mbrojtur nga vapa dhe as të ftohtit, sikur që nuk e ka mbrojtur nga shiu dhe as nga bora.
3. Falënderimi dhe përbuzja në raport me Allahun
Falënderimi dhe përbuzja janë tipare të dy kategorive njerëzish, dobia, respektivisht dëmi i të cilave ka të bëjë vetëm me ata. Allahu na ka treguar se çfarë do dhe çfarë i pëlqen nga veprat tona porse ka tërhequr vërejtjen se kjo aspak nuk ndikon në pushtetin e Tij. Në kaptinën Lukman, ajeti 12, thotë: “Ne i patëm dhënë Llukmanit mençuri të përsosur (e i thamë): Të falënderosh All-llahun, e kush falënderon, e mira e atij falënderimi i takon atij, e kush refuzon (edhe ai e ka për vete), në të vërtetë, All-llahu nuk ka nevojë (për falënderimin e tij) pse Ai vetë është i lavdishëm.”
Kjo gjë ka të bëjë vetëm me ne. Ja se si shpjegohet kjo në kaptinën Ibrahim: “Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!” . E Musai tha: “Nëse ju, dhe të gjithë ata që janë në tokë mohoni, All-llahu është i panevojshëm (për falënderim), i lavdishëm (vetvetiu)”. “ (Ibrahim, 7-8)
4. Falënderimi nuk është kompensim i mirësive
Falënderimi ndonëse gjë e urdhëruar dhe tipar prej tipareve të besimtarëve, megjithëkëtë nuk është e gjitha. Mirësitë e Allahut ndaj nesh janë të shumta, siç përmendëm edhe më parë, janë numerikisht të pallogaritshme, andaj, njeriu nuk guxon që këtë vepër, e cila do të duhej ta bën sa më modest që të jetë e mundur, ta merr si të mjaftueshme, ngase, e para, ai nuk mund t’ia del mbanë kurrë, ai duhet të përpiqet dhe të angazhohet maksimalisht, por kurrë të mendojë se e ka shpaguar mirësinë e Allahut, dhe, e dyta, duhet ta di se vepra nuk mund ta arrin kurrë çmimin e Xhennetit, andaj të tregojë pafuqinë e tij para Allahut, të shpreh nevojën për faljen e Tij, të mos lejojë që mirësitë ta humbasin nga rruga e Tij. edhe sikur –po supozojmë- se e ka falënderuar Allahun për të gjitha mirësitë, atëherë edhe kjo vepër ka nevojë për falënderim. Kjo nuk nënkupton assesi që për mirësitë të zgjedhim rrugën e mohimit. Përkundrazi. Moto e jona duhet të jetë modestia, e shprehur ë fjalët madhështore të Muhammedit [alejhiselam]: “Atëherë, a të mos jam rob falënderues!”/Hoxhë Sedat Islami
[1] Hadithin e transmeton Imam Muslimi ë Sahihun e tij.
[2] Shih: Shemsuddin el-Menbexhijj, Muhammed in Muhammed in Muhammed. (2005) Teslijetu ehli-l mesaib. F. 17.
[3] http://www.evropaelire.org/media/photogallery/24510593.html
[4] Ibni Ebi Dunja, Ebu Bekir Abdullah ibn Muhammed ibn Ubejd ibn Sufjan ibn Kajs. (1980) Esh-shukru. F. 44.