Ministria e Jashtme e Burundit ka anuluar lejet e punës të të gjitha institucioneve të FETO-s në vend dhe u ka prezantuar notë e cila parasheh transferimin e institucioneve arsimore Fondacionit Maarif
ADIS ABEBA (AA) – Qeveria e Burundit ka anuluar lejet e punës për të gjitha shkollat e organizatës terroriste FETO në vend dhe ka marrë vendim që të njëjtat t’i transferojë nën kompetenca të Fondacionit Maarif të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori Hasan Yavuz, zëvendëskryetar i Fondacionit Maarif, për AA tha se Ministria e Jashtme e Burundit ka anuluar lejet e punës të të gjitha institucioneve të FETO-s në vend dhe u ka prezantuar notë e cila parasheh transferimin e institucioneve arsimore Fondacionit Maarif.
Yavuz theksoi se presidentit të Burundit Pierre Nkuruniziza i ka përçuar letrën e posaçme dhe mesazhin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe se kanë arritur rezultate pas negociatave të gjata dhe pozitive në Ministrinë e Jashtme.
Siç njoftoi Yavuz, javën e ardhshme në Burundi do të emërohet një koordinator shtetëror, duke shtuar se zyrtarët e Burundit e kanë kuptuar tentativën për grusht shteti më 15 korrik në Turqi dhe procesin që ka vijuar, meqë, siç tha, edhe ata vetë kanë përjetuar terrorizmin, puçin dhe okupimin.
Ai theksoi se presidenti i Burundit Nkurunziza dëshiron t’i avancojë në nivelin më të lartë marrëdhëniet me Turqinë. “Presidenti Nkurunziza ka bërë kërkesë të posaçme, duke kërkuar që Turkish Airliness të fillojë me linjën direkte për në këtë vend”, shtoi Yavuz.
Yavuz më tej tha se i kanë përshpejtuar punimet për transferimin e shkollave, meqenëse shkollat janë në pushim.
Ai njoftoi se para Burundit kanë vizituar edhe Ugandën, ku autoriteteve u kanë dorëzuar dokumentet juridike lidhur me organizatën.
“Në Ugandë zhvilluam takime, të cilat ishin teknike. Në mbledhje, ku mori pjesë edhe një kryeprokuror nga Uganda, prezantuam dokumentet ligjore që shpjegojnë krimet e FETO-s. Tani presim që ata t’i shqyrtojnë dokumentet dhe të na japin përgjigje”, deklaroi Yavuz.
Ndryshe, me këtë marrëveshje me Burundin, numri i shteteve afrikane me të cilat Fondacioni Maarif i Turqisë ka arritur marrëveshje rritet në 16. Deri më tani, Fondacioni Maarif ka transferuar 31 shkolla, 16 ndërtesa dhe 15 konvikte studentore në Republikën e Kongos, Somali, Guine, Niger dhe Sudan, ndërsa janë nënshkruar marrëveshje për transferimin e shkollave në Senegal, Mauritani, Çad, Gabon, Burkina Faso, Republikën e Afrikës Qendrore, Republikën Demokratike të Kongos dhe Madagaskar. Po ashtu, marrëveshje janë nënshkruar edhe për hapjen e Shkollave Maarif në Xhibuti dhe Sao Tome.