Dyerve të një xhamie në Angli i është vënë flaka nga persona të panjohur. Ksami Zahidi nga Qendra Islamike në Villa Road në Oldam të Mançesterit, dyshon se motivi i kësaj mund të jetë hakmarrja ndaj veprimit të sulmuesit në “Manchester Arena”.
Imami i kësaj xhamie, Mohamed Sadik, ka konfirmuar se zjarrvënia është kryer rreth orës dy pas mesnate dhe si rezultat i kësaj janë djegur dyert, transmeton Telegrafi.
“Dikush prej fqinjëve i ka telefonuar zjarrfikësve ku për fat askush nuk është lënduar. Nuk e dimë me saktësi se kush na ka sulmuar, pasi jemi qendër religjioze dhe edukative. Njerëzit që punojnë këtu janë të shqetësuar sepse kurrë nuk kemi pasur probleme të natyrës së tillë”, ka deklaruar Sadik.
“Është e tmerrshme ajo çfarë u ka ndodhur njerëzve në Mançester, pasi që ata civil nuk e kanë merituar në një asnjë mënyrë të trajtohen ashtu. Por kjo nuk është një mënyrë e duhur t’i kundërpërgjigjemi terrorit. Personi që e ka bërë sigurisht se është i sëmurë”, ka shtuar ai.
Bashkësia Islame e kësaj pjese të Anglisë, i ka bërë thirrje anëtarëve të saj që të jenë të kujdesshëm për shkak të mundësive që mund të cenohet siguria e tyre.