1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Nga Amir B. AHMETI: Zgjedhjet më karakteristike të Kosovës

Më të lexuarat

I.

Më 11 qershor, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Njëherësh këto zgjedhje po duket të jenë më të veçantat prej pas luftës deri më sot. Por jo vetëm për faktin se janë zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse këto janë zgjedhjet e treta parlamentare të jashtëzakonshme që mbahen në Kosovën e pasluftës, respektivisht më 2010 kishim zgjedhje të jashtëzakonshme, më 2014, dhe sivjet, më 2017.

Karakteristikë tjetër është se këto zgjedhje të jashtëzakonshme po vijnë pas përplasjes së partnerëve të koalicionit PDK-LDK, të cilët po ashtu ishin partnerë të koalicionit më 2007, që vlerësohej si koalicion jo i natyrshëm. Ashtu edhe doli përfundimi, dhe në të dy rastet rezultoi me mospërfundim të mandatit dhe me shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme.

II.

Një tjetër karakteristikë e këtyre zgjedhjeve janë koalicionet parazgjedhore të partive të mëdha parlamentare të Kosovës.

Koalicione ka pasur edhe më herët mes ndonjë partie parlamentare me disa parti të vogla, siç është rasti i zgjedhjeve të vitit 2010. Madje mund të themi se trendin e koalicioneve parazgjedhore me akronime të subjekteve politike e ka realizuar për herë të parë Aleanca Kosova e Re (AKR), në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2010. Ajo arriti marrëveshje koalicioni me katër parti të tjera të vogla, të cilat u futën në parlament dhe ishin pjesë e qeverisë.

Kurse koalicionet e këtyre zgjedhjeve kanë sjellë një trend edhe më të ri në skenën politike të Kosovës, që mund të themi se do ta thjeshtëzojë dhe do ta bëjë më të lehtë përzgjedhjen për votuesin. Këto zgjedhje po karakterizohen me koalicione të mëdha, çka nuk ka ndodhur më herët. Koalicioni i arritur mes LDK-së së kryeministrit Mustafa dhe AKR-së së presidentit Pacolli në pasditen e së mërkurës së kaluar shkaktoi tërmet në partinë më të madhe në vend, në PDK-në e kryeparlamentarit Veseli. Duke qenë se ishte edhe dita e fundit e afatit ligjor për t’u certifikuar koalicionet në KQZ, në mënyrë të papritur PDK-ja filloi negociatat me AAK-në e Haradinajt, i cili njëherësh ishte prej kritikuesve më të mëdhenj të qeverisë së kaluar, e sidomos të PDK-së së Veselit. Pa humbur kohë, Veseli, i cili ishte nominuar më herët nga PDK-ja për kryeministër të vendit, pranoi që t’ia ofrojë këtë post AAK-së, respektivisht Haradinajt, vetëm e vetëm të realizohej koalicioni mes tyre, që të mbivlerësohej nga ai i mëhershmi mes LDK-së dhe AKR-së. Kjo nuk ishte e lehtë të realizohej, kur dihej se AAK-ja kishte një koalicion të mëhershëm me Nisma për Kosovën (NISMA) e Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqit, të dy bashkëthemelues të NISMA-s, e që më 2014 ishin larguar nga PDK-ja. Gongu i orës 24 të ditës së mërkurë po afronte, për të treguar edhe përfundimin e afatit ligjor për certifikim të koalicioneve. Ishin biseda të rënda, intensive dhe të dhimbshme, nga të dyja palët, por ajo u arrit në momentet e fundit të ditës së mërkurë. Kështu u realizua edhe koalicioni më i çuditshëm në Kosovë; armiqtë më të mëdhenj politikë u bënë miq, dhe kësisoj më nuk ka mbetur të përmenden vija të kuqe mes partive politike.

III.

Ndërsa veçoria e fundit është se këto zgjedhje do të mbahen në javën e dytë të muajit të Ramazanit, ku besimtarët muslimanë do të jenë agjërueshëm. Abstenimi nga ushqimi dhe pijet, temperaturat e larta gjatë ditës, koha e shkurtër e ushqimit mes iftarit e syfyrit, do të jenë të mundimshme për garuesit e këtyre zgjedhjeve. Kjo rrezikon edhe mosprezencën e madhe të qytetarëve dhe të simpatizantëve në fushatën zgjedhore të subjekteve politike. Kurse pjesëmarrja në zgjedhje s’besoj se do të mungojë për shkak të kësaj, duke pasur parasysh se dita e zgjedhjeve, pra, e votimit, do të jetë e diel, dhe njerëzit mund të ndajnë pak kohë për të votuar.

Gjithë këto veçanti në këto zgjedhje, por në do të sjellin edhe surpriza të tjera rezultatet e 11 qershorit, kjo pritet të shihet. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit