Grupi kryesor opozitar sirian, Koalicioni Kombëtar i Sirisë, është tërhequr nga takimet ndërkombëtare në shenjë proteste me atë që e quajnë mos veprim “i turpshëm” i botës ndaj krimeve të kryera kundër popullit sirian.
Ky grup tha se ka vendosur mos të marrë pjesë në një takim që do të zhvillohet të premten e ardhshme në Romë për Sirinë, dhe do të refuzojë ftesat për në Moskë dhe Uashington.
Në një njoftim, koalicioni kritikon atë që e quan “heshtja e ndërkombëtare” për krimet e përditshme në Siri.
Njoftimi është i ashpër veçanërisht ndaj Rusisë e cila furnizon me armë qeverinë e presidentit sirian Bashar al Assad.
Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 70 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin thuajse dy vjeçar mes rrebelëve dhe trupave të qeverisë.