1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Koment – Vorbull e re krize politike në Bosnjë

Më të lexuarat

P/ligji i kroatëve për ndryshimin e kodit zgjedhor dhe bllokimi i miratimit në parlament nga deputetët boshnjakët, të cilët duke përdorur “mekanizmin e mbrojtjes së interesave jetësore kombëtare të popujve” e çuan në Gjykatën Kushtetuese.

Vorbullës së krizave politike që po jeton vitet e fundit Bosnjë-Hercegovina i është shtuar edhe një e re. Grupi parlamentar kroat propozoi që projektligji për ndryshimin e kodit zgjedhor të Bosnje-Hercegovinës të paraqitet në parlament dhe të votohet me procedurë urgjente. Në këtë mënyrë, u përpoq që projektligji në fjalë të pranohej pa ndryshime, pa u diskutuar në publik dhe duke mos krijuar mundësi për bërjen e propozimeve për ndryshime. Kur parlamenti me mbështetjen e një grupi ligjvënës serbë e pranoi këtë projektligj të deputetëve kroatë, një grup i deputetëve boshnjakë bëri një lëvizje që pengon miratimin e projektligjit për bërjen e disa ndryshimeve në kodin zgjedhor. Ligjbërësit boshnjakë iu referuan “mekanizmit të mbrojtjes së interesave jetësore kombëtare të popujve” me arsyetimin se ky projektligj është në kundërshtim me interesin kombëtar të boshnjakëve dhe bënë të mundur që amendamenti ligjor të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës. Edhe pse projektligji për ndryshime në kodin zgjedhor të Bosnjë-Hercegovinës në pamje të parë duket si një ngjarje e zakonshme, çështja përmban dimensione të thella politike.

Bërja e ndryshimeve në kodin zgjedhor është një praktikë rutinë që ndiqet në shumicën e vendeve në aspektin e demokratizimit. Megjithatë, kur kjo ndodh në Bosnjë-Hercegovinë, më shumë se sa demokratizimi çështja shndërrohet në kërkimin e të drejtave etnike. Për më tepër, çështja është e lidhur ngushtë me kushtetutën e vendit.

Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës, e cila është në cilësinë e një shtojce të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, banorët e vendit më shumë sesa qytetarë të Bosnjë-Hercegovinës, i konsideron si qytetarë të entiteteve. Në nenin 4. të Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës thuhet se Dhoma e Popujve (Dom Naroda) përbëhet nga 15 anëtarë, prej të cilëve 5 boshnjakë dhe 5 kroatë zgjidhen nga entiteti i Federatës, ndërsa 5 delegatët serbë zgjidhen nga entiteti i Republikës Serbe. Sipas kësaj dispozite, kroatët dhe boshnjakët, që jetojnë në entitetin serb, ose serbët që jetojnë në Federatë, nuk mund të zgjidhen delegatë në Dhomën e Popujve. Një vështirësi e ngjashme ekziston edhe në nenin 5. të Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës, ku renditen dispozitat në lidhje me Presidencën e vendit (Këshilli Presidencial). Në këtë nen theksohet se Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës përbëhet nga 3 anëtarë, një boshnjak, një kroat dhe një serb; ku anëtari boshnjak dhe ai kroat duhet të jenë nga Federata, ndërsa anëtari serb nga Republika Serbe. Siç edhe kuptohet me lehtësi, Neni 5. i Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës përcakton qartë se kroatët dhe boshnjakët, që jetojnë në Republikën Serbe të Bosnjës, ose serbët që jetojnë në Federatë, nuk mund të zgjidhen anëtarë të Këshillit Presidencial. Për më tepër, mos-ekzistenca e mundësisë për të shkuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale konsiderohet një rast tjetër i shkeljes së të drejtave të njeriut.

Paragrafi i tretë i nenit 4. të Kushtetutës, i cili rregullon mënyrën e marrjes së vendimeve në të dy dhomat e Parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës (Dhoma e Popujve dhe Dhoma e Përfaqësuesve), u kushton më shumë epërsi dhe përparësi entiteteve sesa konceptit të shtetësisë së Bosnjë-Hercegovinës. Aq sa për t’u marrë një vendim nga Parlamenti, kërkohet që vendimi në fjalë të miratohet nga një numër i caktuar deputetësh të çdo entiteti. Ja pra, kjo është edhe arsyeja kryesore përse në Parlamentin e Bosnjë-Hercegovinës ndodhin me dhjetëra ngërçe. Duke qenë se përfaqësuesit e etnive të ndryshme bien dakord me njëri-tjetrin në shumë pak çështje, është pothuajse e pamundur të merren vendime për reforma më rrënjësore.

Ndërsa mekanizmi i mbrojtjes së interesave vitale kombëtare e komplikon edhe më shumë situatën. Në praktikë, ky mekanizëm shërben për të mbrojtur të drejtat kolektive të tre kombeve themelues të Bosnjë-Hercegovinës, që janë boshnjakët, serbët dhe kroatët. Por duke qenë se ky mekanizëm nuk është përcaktuar qartë në kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës, përdorimi i tij mund të jetë shumë elastik. Për këtë arsye, mekanizmi i mbrojtjes së interesave jetësore kombëtare të popujve mund të përdoret lehtësisht nga njëri prej kombeve themelues për të parandaluar hyrjen në fuqi të ligjeve.

Më e keqja është se të gjitha këto rregullime kushtetuese injorojnë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës që nuk janë boshnjakë, serbë dhe kroatë. Për këtë arsye, Dervo Seydiç me origjinë rome dhe përfaqësuesi i pakicës çifute Jakob Finci në Bosnjë-Hercegovinë, në vitin 2006 shkuan në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me arsyetimin se kushtetuta e vendit dhe kodi zgjedhor u ndalojnë minoriteteve të zgjedhin presidentë dhe parlamentarë. Me vendimin që mori në vitin 2010 Gjykata në fjalë u dha të drejtë Seydiç dhe Finci dhe kërkoi bërjen e një ndryshimi në Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës për të kapërcyer këtë problem. Që atëherë, çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe në kodin zgjedhor vazhdojnë të zënë vend në agjendën e vendit. Megjithatë, në këtë drejtim nuk është bërë progres, pasi boshnjakët ndjekin një politikë unitare, serbët ndjekin një politikë separatiste dhe kroatët një politikë autonome. 

Duke përfituar nga çështja Seydiç-Finci, kroatët që në fillim janë përpjekur të sigurojnë bërjen e ndryshimeve më të mëdha në kushtetutë në favor të tyre (të kroatëve). Një qëndrim i ngjashëm është pasqyruar edhe në projektligjin për ndryshime në kodin zgjedhor të Bosnje-Hercegovinës, i cili është përgatitur nga kroatët. Në fakt ajo çka përpiqet të bëhet, është pengimi me votat e boshnjakëve i zgjedhjes së përfaqësuesve kroatë në presidencë dhe parlament. Propozimi është që përfaqësuesit kroatë të zgjidhen vetëm me votat e kroatëve dhe përfaqësuesit boshnjakë të zgjidhen vetëm me votat e boshnjakëve. Një marrëveshje e tillë do të sillte një votim etnik dhe pakicat përsëri do të anashkalohen në zgjedhjet presidenciale. Për më tepër, projektligji gjithashtu çon në shkelje të reja të të drejtave të njeriut. Me fjalë të tjera, Federata Boshnjako-Kroate përbëhet nga 10 kantone. Nëse hyn në fuqi propozimi i kroatëve, boshnjakët që jetojnë në kantonin e 10-të ose kroatët që jetojnë në kantonin e Sarajevës nuk do të kenë mundësi të zgjidhen në parlament. Kjo është një nga arsyet përse boshnjakët bllokojnë projektligjin për disa ndryshime në kodin zgjedhor të Bosnjë-Hercegovinës. E ardhmja e projektligjit që i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese tani për tani duket e pasigurt. Megjithatë, zhvillimet në lidhje me këtë projektligj tregojnë se Bosnjë-Hercegovina në zgjedhjet e 2018 do të hyjë me tensione të reja politike.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit