6.5 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Zëdhënësi i Milosheviqit afër karriges së kryeministrit të Serbisë

Më të lexuarat

Zgjedhjet e Serbisë, të cilat u organizuan edhe në Kosovë me lehtësimin e OSBE-së dhe pajtimin e Qeverisë së Kosovës, i kanë sjellë shansin pasardhësit të Slobodan Milosheviqit, Ivica Daçiq, që të jetë kryeministër i ardhshëm i Serbisë.

Pozicionimi i SPS-së si parti e tretë nuk ka bërë befasi, por e papritur ka qenë që ai t`i fitojë 16 për qind të zgjedhjeve parlamentare, me çka edhe shndërrohet në faktor vendosës në bisedimet për qeverinë e ardhshme të Serbisë, ndërsa votat e socialistëve besohet se mund të vendosin edhe se cili nga dy kandidatët e mbetur në garë për president të Serbisë – Boris Tadiqi apo Tomislav Nikoliqi – do të mund të fitojnë në balotazh.

Daçiqi, që deri tani në qeveri ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, ka marrë merita për plotësimin e kushteve që mundësuan liberalizimin e vizave për Serbinë, por po ashtu është shquar me retorikë të ashpër nacionaliste e populiste në kohën e fushatës zgjedhore, ndërsa Policia e Serbisë, që është nën urdhra të ministrisë që ai e drejton, kohët e fundit ka ndërmarrë një fushatë arrestimesh të shtetasve kosovarë që kalojnë nëpër Serbi. Edhe aksioni i ditëve të fundit në Luginë të Preshevës, ku u arrestuan disa shqiptarë nën akuzat për krime lufte, është kryer nga forcat nën urdhrat e tij.

Megjithatë, mundësia që Daçiqi të përfundojë në krye të Qeverisë së ardhshme të Serbisë, nuk është komentuar drejtpërdrejt nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se emërimi i kryeministrit të Serbisë është çështje e brendshme e atij vendi, por ka shtuar se Qeveria e Kosovës pret që Beogradi të ketë një qeveri properëndimore.

“Qeveritë properëndimore i ndihmojnë bashkëpunimit rajonal dhe vendeve të veta, në rast të kundërt, ndodh e kundërta”, ka thënë Kuçi.

Sa i përket faktorit ndërkombëtar, Daçiq nuk duket të jetë i preferuar i Perëndimit.

Një zyrtar i lartë ndërkombëtar në Bruksel, i kontaktuar nga gazeta, tha në kushte anonimiteti se Daçiqi nuk është i preferuari i BE-së, dhe se nga Brukseli do të ketë përpjekje deri në fund që ai të mos jetë kryeministër. “Ka treguar emocione nacionaliste dhe shumë papjekuri gjatë fushatës zgjedhore”, i tha “Kohës Ditore” zyrtari i lartë në Bruksel.

Por, kundërshtimi i mundshëm i faktorit ndërkombëtar nuk i ka lënë përshtypje vetë Daçiqit.

“Nuk dihet ende se kush do të jetë president, por kryeministër dihet”, citohet të ketë thënë Daçiqi mbrëmjen pas përfundimit të zgjedhjeve serbe, duke i dërguar mesazhe Tadiqit se mbajtjen e pushtetit do të duhet ta “paguajë” duke ia dhënë ulësen e kryeministrit socialistëve – më saktësisht vetë Daçiqit./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit