7.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Vendimi i Qeverisë për uljen e pagave në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, po has në zëra kundërshtues

Më të lexuarat

Vendimi i sotëm i Qeverisë për uljen e pagave në sistemin gjyqësor dhe prokurorial siç duket do has në zëra kundërshtues dhe i njëjti po konsiderohet kundërkushtetues nga avokati Asdren Bytyqi. Ai ka shkruar se vendimi i sotëm i Qeverisë është duke cënuar parimet kushtetuese të “ndarjes së pushteteve” dhe “sigurisë juridike”. Konstatimi i tillë është i mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Paga në Sektorin Publik (aktgjykim i vitit 2020), ku gjykata në arsyetimin e saj përcaktoi se paga nuk mund të ulet, përveç në një situatë të jashtëzakonshme të vështirësive financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si e tillë. Si rezultat i këtij aktgjykimi, Qeveria në Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, duke u munduar të akomodojë një zgjidhje të përshtatshme karshi kërkesave të qarta të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me nenin 39 ka paraparë shtresat tranzitore, përmes të cilës zyrtarët të cilët kanë paga më të larta se ato të parapara me ligjin e Pagave do të marrin shtesat tranzitore, përkatësisht 100 përqind në vitin e parë (pra 100 përqind të pagës aktuale), 75 përqind në të dytin, 50 përqind në të tretin dhe 25 përqind në të katërtin. Jo vetëm që vendimi i sotëm është qartësisht kundërkushtetues, por edhe sikur të aprovohej Ligji i Pagave pa këtë vendim të sotëm të Qeverisë, prapë është kundërkushtetues, ngase nuk i arsyeton kërkesat taksative të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Politikisht, ky vendim është i panevojshëm dhe i paligjshëm, dhe si i tillë do të rrezikojë seriozisht stabilitetin dhe funksionalitetin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, duke rrezikuar krijimin e një krize të re dhe paralizuese të sistemeve të drejtësisë, ku pasojat do jenë të mëdha dhe të gjata, duke u shtuar pasiguria e përgjithshme juridike në vend, humbja e mëtutjeshme e besimit qytetar në funksionimin e sistemit, humbja e sigurisë për investim ekonomik, cënimi i të drejtave të njeriut nga mungesa e gjykimeve në kohë të arsyeshme dhe rrezikimi i largimit të kuadrove të përgaditura nga këto sisteme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit