13.8 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

“Turqia do të hyjë me shpejtësi në sferën e arsimit në Kosovë”

Më të lexuarat

Kılıç tha se organizata terroriste FETO, ashtu sikurse në çdo shtet ku ushtron veprimtari, edhe në Kosovë është përhapur në shumë sfera të shoqërisë, siç është arsimi, shoqëria civile dhe tregtia

PRISHTINË (AA) – ADNAN İDRİZ/ORHAN TOPAL

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, ka njoftuar se Fondacioni Maarif i Turqisë në periudhën në vijim do të hyjë me shpejtësi në sferën e arsimit në Kosovë përmes dy institucioneve arsimore private që ka blerë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Kılıç tha se organizata terroriste FETO, ashtu sikurse në çdo shtet ku ushtron veprimtari, edhe në Kosovë është përhapur në shumë sfera të shoqërisë, siç është arsimi, shoqëria civile dhe tregtia, me qëllim të përhapur ideologji të shtrembëruar duke fituar influencë në fushën politike dhe atë ekonomike.

Sipas Kılıç, FETO në Kosovë ka fituar terren dhe ka aktivitet të caktuar në shoqëri për arsye se në këtë vend ende nuk e ka shfaqur ideologjinë e rrezikshme të thurur me aktivitete të presionit, frikësimit dhe kërcënimit dhe, rrjedhimisht, nuk është kaptuar fytyra e vërtetë e organizatës.

“Institucionet që kanë lidhje me FETO-n dhe pjesëtarët e kësaj organizate terroriste përpiqen të kenë ndikim me marrëdhëniet që kanë krijuar”, thotë Kılıç.

Ambasadorja Kılıç tërheq vëmendjen se FETO në Kosovë ka strukturim serioz posaçërisht në fushën e arsimit.

“Në këtë vend ka gjashtë institucione në të cilat përpiqen ta përhapin ideologjinë e FETO-s, edhe atë të nivelit parashkollor, nivelit të mesëm të ulët dhe nivelit të mesëm të lartë. Fatkeqësisht, në shkollat në fjalë mësojnë edhe fëmijë të drejtuesve të lartë të shtetit dhe kuadrit shtetëror. Në Kosovë, e cila është shtet i ri dhe në procesin e zhvillimit të institucioneve, FETO vazhdon të keqpërdor familjet duke përfituar nga nevoja e sektorit të arsimit për t’u zhvilluar”, vë në dukje Kılıç.

“Personat e lidhur me FETO-n kanë aktivitet që nuk duhet nënvlerësuar

Ambasadorja Kılıç më tej tërheq vëmendjen se FETO ushtron aktivitete të ndryshme të shoqërisë civile përmes shoqatave dhe fondacioneve që ka krijuar për të pasur ndikim në çdo sferë të shoqërisë dhe për ta legjitimuar veten.

“Ajo që ka tërhequr edhe më shumë vëmendjen veçanërisht viteve të fundit është ndikimi i FETO-s në disa shkrime diskredituese në media ndaj shtetit tonë. Po ashtu, dihet se në qarqet afariste këtu ka edhe individë që japin kontribute në financimin global të FETO-s. Qoftë në nivel vendor të esnafëve, qoftë në kompanitë më të mëdha, individët që kanë lidhje me FETO-n kanë aktivitet që nuk duhet nënvlerësuar”, tha Kılıç, duke shtuar se me aktivitete vazhdojnë edhe institucione si spitale dhe oda profesionale, për të cilat kanë njohuri se kanë lidhje me FETO-n.

Duke theksuar se mes popujve të Kosovës dhe Turqisë ekzistojnë lidhje dhe marrëdhënie të afërta, Kılıç thotë: “Ka shumë kosovarë që jetojnë në shtetin tonë. Shumë kosovarë këtu kanë familjarë në vendin tonë. Duke pasur ndikim edhe kjo, tentativa tradhtare për grusht shteti nga FETO më 15 korrik në vendin tonë dhe procesi pasoi u ndoqën nga afër nga opinioni i këtushëm.”

Kılıç shton se në shumë vende të Kosovës, përfshirë edhe Prizrenin dhe Mamushën ku jeton popullsi e dendur e komunitetit turk, u organizuan aktivitete kundër tentativës për grusht shteti dhe në mbështetje të demokracisë, për të treguar mbështetje dhe solidarizim me Turqinë.

“Ne si ambasadë pas tentativës për grusht shteti kemi bërë realizuar punime intensive në mënyrë që opinioni i Kosovës t’i kuptojë përmasat e kërcënimit të FETO-s me të cilat u përball shteti ynë”, u shpreh Kılıç.

Në çdo platformë shpjegojnë fytyrën tradhtare të FETO-s

Ajo tregon se kanë marrë pjesë në programe të ndryshme radio-televizive, kanë organizuar takime dhe kanë publikuar artikuj dhe intervista në shtypin e shkruar.

“Këtu kemi sqaruar se si FETO është infiltruar në institucionet kyçe të vendit tonë, si këta persona i kanë shërbyer organizatës terroriste me vite të tëra, se FETO është organizatë terroriste dhe kriminele globale, se tentativa tradhtare për grusht shteti në fakt ka qenë sulm ndaj të gjitha demokracive, se nuk dëshirojmë që mbrëmja e tentativës për grusht shteti t’u ndodhë shteteve dhe popujve miq, se është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim dhe qëndrim të përbashkët në luftën kundër kësaj organizate, se duhet kuptuar mirë që kemi të bëjmë me një organizatë terroriste tejet të rrezikshme, të ashpër dhe të përgjakshme dhe se aktivitetet e organizatës posaçërisht në fushën e arsimit paraqesin rrezik të madh që helmon mendjet e të rinjve”, tha Kılıç, duke shtuar se në Prishtinë dhe Mamushë kanë organizuar ekspozitë në të cilat janë shfaqur fotografi të mbrëmjes së 15 Korrikut, në mënyrë që opinioni ta kuptojë seriozitetin e ngjarjeve të asaj mbrëmje.

Kıvılcım Kılıç nënvizoi se po ashtu i japin rënësi informimit të autoriteteve zyrtare në lidhje me përmasat e kërcënimit që kanoset nga FETO. “Në këtë drejtim, ne kemi zhvilluar takime intensive me autoritetet dhe zyrtarët shtetëror të lartë në Kosovë. Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme në periudhën që vijon. Edhe me qeverinë e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit, ne do t’i vazhdojmë takimet pa ngadalësuar tempon”, thotë Kılıç.

“Tani më nuk mund t’i përdoren simbolet e Turqisë”

Kılıç më tej shton se në Kosovë janë duke bërë përpjekje përballë institucioneve që kanë lidhje me FETO-n. Ajo thotë se në këtë drejtim kanë arritur disa rezultate të rëndësishme. “Për shembull, iniciativat tona para autoriteteve të Kosovës për t’i dhënë fund përdorimit të simboleve të shtetit tonë nga institucionet që kanë lidhje me FETO-n, kanë rezultuar të suksesshme. Jemi të lumtur nga ky zhvillim”, thotë Kılıç.

Ajo njofton se Fondacioni Maarif i Turqisë në periudhën në vijim do të hyjë me shpejtësi në sferën e arsimit në Kosovë përmes dy institucioneve arsimore private që ka blerë.

“Fondacioni Maarif i Turqisë, i cili është themeluar me ligj dhe ka mbështetjen e shtetit tonë, me arsimin cilësor dhe në përputhje me nevojat e kohës që do të ofrojë në këto shkolla që do të fillojnë me veprimtari, do të jetë prijës të një lulëzimi të madh në sferën e arsimit në Kosovë. Kosovës, të cilën e kemi mbështetur në çdo fushë që nga pavarësimi i saj, do t’i japim kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit”, shprehet Kılıç.

“Diplomat e shkollave të FETO-s nuk njihen në Turqi”

Duke treguar se do ta njoftojnë opinionin në mënyrë më të detajuar në lidhje me shkollat e Fondacionit Maarif dhe përzgjedhjen e nxënësve, Kılıç theksoi: “Dua të rikujtoj se diplomat e shkollave që kanë lidhje me FETO-n nuk njihen në Turqi. Andaj, shohim që prindërit e nxënësve kanë parasysh këtë çështje dhe kanë treguar maturi në vendimet e tyre lidhur me atë se në cilin institucion arsimor duhet të jenë fëmijët e tyre.”

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kılıç, nënvizoi se në luftën kundër FETO-s është me rëndësi të rritet vetëdija shoqërore lidhur me këtë organizatë terroriste dhe kërcënimet që kanosen nga ajo.

“Në përpjekjen kundër institucioneve që kanë lidhje me FETO-n, në përgjithësi këtu kemi vërejtur një qëndrim pjesërisht hezitues të autoriteteve të këtushme deri më tani. Teksa prapa kësaj ka shkaqe të ndryshme, ne në të njëjtën kohë dëshirojmë të fokusohemi në bashkëpunimin me autoritetet dhe institucionet e Kosovës lidhur me FETO-n në periudhën vijuese. Ne do t’i vazhdojmë aktivitetet e shumëanshme në Kosovë për ta shpalosur fytyrën e vërtetë të FETO-s. Natyrisht, rëndësi do të ketë edhe bashkëpunimi që lidhur me këtë çështje do ta shfaqë qeveria që do të formohet pas zgjedhjeve të 11 qershor”, tha Kılıç, duke shtuar në fund se prioritet tjetër për ta do të jetë edhe fillimi i aktiviteteve të Fondacionit Maarif me shpejtësi dhe efikasitet në fushën e arsimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit