6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Të zgjedhësh mospërballjen – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Jeta njerëzore është krijuar e tillë, që të nisë përmes përballjes dhe rivalitetit, që nga paralindja, e deri tek përballja me agoninë e vdekjes, që nga ajo fizike ekzistenciale, e deri tek sfidat më të imta të shpirtit dhe të mendjes njerëzore. E tillë është jeta individuale e çdo njeriu, ndryshe ajo nuk do të ishte një sprovë e paracaktuar nga Krijuesi. Por ndërkohë, jeta sociale e humanëve përbëhet edhe nga sfida, përballja me të cilat nuk është parakusht i ekzistencës së tyre, por pasojë e zgjedhjes së lirë që ata bëjnë gjatë kësaj jete. Dhe njerëzit në këtë drejtim, jo rrallë gjenden mes dy ekstremeve, të atyre që përballjen dhe konfliktin e kanë pjesë të pandarë të karakterit të tyre, të shpirtit rebel që nuk gjen rehati dhe kënaqësi, vetëm se tek përleshja dhe rragatja deri edhe për gjërat më të parëndësishme, dhe atyre që tentojnë t’i ikin çdo përballjeje, duke preferuar të jetojnë në çdo lloj paqeje dhe rehatie të mundshme, mjaft që të mos përballen me asnjë.
Të dëshirosh të mos përballesh dhe të zgjedhësh të mos përballesh, nuk është gjithmonë e njëjta gjë, madje shpesh janë dy gjëra krejt të kundërta. Një njeri që lutet të mos përballet në jetën e tij me asnjë, por parimet, vlerat dhe situatat në të cilat gjendet, ia obligojnë atij përballjen dhe ai zgjedh të përballet me to, duke mos ju shmangur asaj, dallon nga një tjetër i ngjashëm me të, por që zgjedh t’i bishtnojë përballjes. Dhe njeriu vlerësohet pikërisht nga zgjedhja që bën në të tilla situata. Ka një dallim të madh mes atij që vihet në kërkim të konfliktit apo atij që i shmanget konfliktit në çdo lloj situate dhe atij që nuk e dëshiron konfliktin, por nuk i shmanget detyrimeve dhe përgjegjësive, kur gjendet tashmë përballë realitetit të përballjes.
Shpesh disa njerëz e kanë të vështirë të dallojnë mes dëshirës së përligjur për të mos u përballur me telashe e siklete dhe arratisë nga përgjegjësia. Bota në dekadencë e mirëqenies dhe e rehatisë moderne, motivon gjithmonë e më shumë kompromisin me të keqen dhe e vret dellin e revoltës ndaj saj, edhe nëse kjo rehati apo mirëqenie është ajo e një skllavi të përulur.
Këtë ndarje dy skajore dhe të mesmen, e hasim në një hadith profetik, që shpreh shumë më tepër se ç’mund të kuptohet në pamje të parë. Në të thuhet se kur i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) gjendej me besimtarët para një beteje, iu tha atyre: “O njerëz! Mos e dëshironi përballjen me armikun dhe luteni Allahun për paqe, por nëse përballeni, atëherë duroni dhe dijeni se Xheneti gjendet nën hijen e shpatave.” (Buhariu 3024)
Ky hadith na kujton një tjetër thënie të Profetit të Zotit (alejhi salatu ue selam), ku ai përmend disa prej gjynaheve më të mëdha dhe në radhën e tyre, ai përfshin edhe “braktisjen e fushës së betejës”, në momentin kur asgjë nuk e shmang më luftën.
Edhe pse thëniet e Profetit janë thënë në një situatë lufte, ato përçojnë një mesazh shumë më të gjerë sesa betejat fizike me armë, ato kanë vlerën e të qenit frymëzuese dhe orientuese për shumë situata problematike, me të cilat besimtarët përballen në jetë. Lufta më e madhe e një njeriu besimtar e parimor është së pari me veten e tij, me mjedisin dhe shoqërinë që e rrethon, për kumtimin e së mirës, së drejtës e së vërtetës dhe përballja me të ligën, zullumin dhe të pavërtetën. T’i ikësh këtyre betejave kaq të shumta, në shoqëritë ku mbizotëron paligjshmëria, ilegjitimiteti, amoraliteti dhe gëlon korrupsioni, me të gjitha dimensionet e tij, për të kërkuar strehë në rehatinë dhe paqen vetjake, është ndoshta njëlloj si t’i ikësh betejës me armë, për të cilën fliste Profeti, edhe pse jo ndoshta në të njëjtën peshë gjynahu, por padyshim, në nivel të përafërt përgjegjësie.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit