9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Të vrasësh atë që do, një shpjegim psikologjik

Më të lexuarat

Në emër të dashurisë, mund të bëhet gjithçka. Në emër të dashurisë, ai e përdor. Në emër të dashurisë, ajo largohet. Në emër të dashurisë, ai e vret.

Dashuria romantike ka shumë rëndësi në jetën tonë. Shumica e kulturave e shohin dashurinë si themel të lumturisë dhe përmbushjes. Mirëpo, dashuria mund të kthehet edhe në mjerimin më të madh, për shkak të dëshirave të paplotësuara dhe zhgënjimit.

Pse disa njerëz vrasin “në emër të dashurisë”?

Vrasjet për shkak të dashurisë ose vrasjet e pasionit nuk janë të panjohura. Disa i cilësojnë si “shprehje absolute të dashurisë së vërtetë”. Meshkujt bëjnë tre ose katër herë më shumë krime pasioni sesa gratë.

“E vrava për shkak të dashurisë… Nëse nuk do ta doja, nuk do të ndieja kaq shumë dhimbje…” – Një vrasës

Në rang global, rreth 40 për qind e viktimave femra janë vrarë nga duart e partnerit. Shumica e vrasjeve të partnereve femra nga meshkujt ndodhin pas ndërprerjes së lidhjes. Ndërsa shumica e vrasjeve të meshkujve nga partneret e tyre femra janë reagime ndaj dhunës së ashpër në shtëpi.

Pothuajse të gjithë meshkujt vrasës pretendojnë se e kanë kryer krimin për dy arsye: ose nga mungesa e dashurisë, ose nga dashuria e tepërt. Në fakt, nuk ka asnjë shpjegim logjik se dikush duhet të vrasë për arsye të dashurisë së tepërt; përkundrazi, këtu kemi të bëjmë me një model problematik dhe abuziv të dashurisë.

Ka disa shpjegime për vrasjen e grave, të cilat bashkohen në dy supozime: së pari, vrasja buron nga posesiviteti mashkullor, një tipar i personalitetit, që karakterizohet nga dy emocione bazë – xhelozia dhe zemërimi; dhe së dyti, vrasja është pika kulmore e një historie të gjatë dhune.

Vrasja e partneres nuk duhet parë si një formë dhune që ndodh pa qëllim; përkundrazi, shumica e këtyre vrasjeve janë të mirëplanifikuara. Ajo nuk mund të kuptohet as si humbje e kontrollit apo një “çmenduri” e momentit, por si një akt i qëllimshëm, që vjen nga një gatishmëri mendore për kryerjen e vrasjes, si një akt i thellë dëshpërimi.

Posesiviteti mashkullor, xhelozia, zemërimi – të gjitha këto luajnë rol, por vrasja nuk mund të shpjegohet duke u bazuar vetëm tek këto. Vrasja duhet të kuptohet si një fenomen i ankoruar në një tërësi faktorësh që kombinohen dhe krijojnë “kushtet për vrasje”. Prandaj, duhen marrë parasysh shumë faktorë risku.

Një model shpjegues: shkrirja e dy njerëzve në një

Një nga modelet kryesore të dashurisë është modeli i shkrirjes (fuzionit), në të cilin dy partnerët krijojnë një lidhje ose shkrirje të thellë, sikur të ishin një person i vetëm. Sipas Schnarch (1997), ne kemi përqafuar një model “binjakësh Siamezë” të intimitetit: çdo lëvizje e njërit duhet të aprovohet nga tjetri.

Dashuria e vrasësve shpjegohet nga modeli i shkrirjes. Shumicën e rasteve, vrasësit janë partnerët më të dobët dhe pa kontroll. Ndërsa partnerja mund të jetë e pavarur, e qëndrueshme dhe e fortë. Ajo është burimi i tij i sigurisë dhe vetëvlerësimit; ai ka nevojë për të dhe varet nga ajo. Kjo varësi sjell nevojën për kontroll. Ajo kontrollon ekzistencën e tij.

Varësia ekstreme, që e vendos partnerin në një pozicion dobësie, mund të përdoret si mënyrë për t’u mbrojtur dhe për të “shpjeguar” vrasjen. Në këtë rast, dëshpërimi shpie në fuqi. Një njeri që nuk ka asgjë për të humbur, merr fuqi për të kryer vrasje. Pra, personi që ka humbur gjithçka ka një avantazh mbi atë që ende nuk i ka humbur të gjitha. Prandaj, dobësia bëhet burim i fuqisë. Sa më i thellë dëshpërimi, aq më e fortë fuqia që buron prej tij. Nga kjo pikëpamje, ushtrimi absolut i forcës – VRASJA – është një shprehje e dobësisë dhe e humbjes.

“Pa ty nuk jam i plotë, pa ty nuk jam asgjë…” – Një vrasës

Një burrë e sheh gruan si gjithë botën, prandaj kur ndahet, i duket sikur humbet identitetin e tij. Jeta e tij nuk ka më kuptim dhe aryse për të jetuar. Mirëpo shpjegimi i vrasjes që buron nga dashuria nuk mund të justifikojë krimin. Ne duhet të përpiqemi të kuptojmë gjendjen mendore të një burri vrasës dhe të kuptojmë faktorët që shpien në vrasje, sepse vetëm kështu mund të parandalojmë vrasje të mundshme në të ardhmen.

Nga Lediona Braho, psikologe klinike

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit