Socialistët mbajnë pozitën e pushtetit pas zgjedhjeve të së dielës

0
42

Ndonse shumë prisnin që zgjedhjet parlamentare e presidenciale në Serbi të ishin një përplasje mes Partisë Demokratike në pushtet e Partisë Përparimtare Serbe të opozitës, përfitimin më të madh e pati Partia Socialiste e Serbisë.

Partia Socialiste e Serbisë, që u rrëzua nga pushteti në demonstratat masive vetëm 12 vjet më parë kur udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviç, fitoi një avantazh kryesor në zgjedhjet presidenciale e parlamentare të së dielës (6 maj).

Socialistët, të kryesuar nga Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç, fituan rreth 16% të votave, duke e bërë të pamundur formimin e një qeverie të re pa ta.

“Ndoshta është ende e panjohur në Serbi se kush do të jetë president, por është e njohur me siguri se kush do të jetë kryeministri,” tha Daçiçi.

Ai shtoi se Socialistët do të parandalojnë që Serbia të ndahet në dy pjesë — Demokratët e Përparimtarët. “Rezultatat zgjedhore treguan se Boris Tadiç e Tomisllav Nikoliç nuk janë të vetmit, se ka një Serbi të tretë, që flet në emër të popullit. Flasim në emër të popullit,” tha Daçiçi, koalicioni të cilit mblodhi 500,000 vota nga rreth 4 milion vota të hedhura. Rreth 61% e votuesve të mundshëm hodhën votat e tyre.

Sipas rezultateve paraprake nga Komisioni Zgjedhor i Serbisë, Partia Përparimtare Serbe fitoi shumicën e votave me 24.1%, ndërsa Partia Demokratike mori 21.29%.

Udhëheqësit e partive — Tomisllav Nikoliç e Boris Tadiç, përkatësisht — do të marrin pjesë në raundin e dytë të votimit presidencial më 20 maj.

Tadiçi tha se formimi i një qeverie të re do të varet nga kjo garë.

“Raundi i parë i zgjedhjes presidenciale tregoi qartë se do të varet nga raundi i dytë [për të vendosur sesi] do të duket Serbia gjatë pesë viteve të ardhshme e sesi do të jetë qeveria e re. Besoj në fitorehe do të nis një fushatë menjëherë,” tha Tadiçi.

Nikoliçi ka po aq besim. “Raundi i dytë i zgjedhjeve është një shans për shtetasit serbë. Nëse tregojnë të njëjtën vendosmëri siç bënë në raundin e parë, do të kemi një qeveri me ide të reja e një president të ri.”

Analistët, megjithatë, thanë se Demokratët kanë një shans më të mirë gjatë raundit të dytë.

Jovo Bakiç, një profesor në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit, tha për SETimes se Demokratët kanë aftësi më të madha koalicioni sesa Përparimtarët.

“Shansi i Partisë Përparimtare ishte një fitore dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme, me së paku 5% avantazh mbi Partinë Demokratike. Nga që ajo nuki ndodhi dhe nga që Tadiçi është i preferuari në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Demokratët mbase do të formojnë ndoshta qeverinë me partnerët e tyre të koalicionit,” parashikoi Bakiçi.

Slavisha Orloviç profesor i Fakultetit të Shkencave Politike, tha për SETimes se Socialistët ishin fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve e se ishte e dukshme se votuesit mbështetën retorikën e mprehtë kombëtare të Daçiçit.

“Por raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të ketë një ndikim të ndjeshëm në formimin e qeverisë së re — duhet të presim e të shohim për ato,” tha ai.

Predrag Simiç, is- ambasadori serb në Francë, tha përSETimes se politika e jashtme e Serbisë nuk do të ndryshojë, sepse si Demokratët, ashtu edhe Përparimtarët deklarojnë integrimin evropian si përparësinë më të lartë të tyre.

“Por çështja e Kosovës do të qëndrojë përsëri në rrugën e Serbisë. Bisedimet duhet të vazhdojnë e duhet të vendosen marrëdhënie funksionale me Prishtinën, por secili do të presë së pari për formimin e qeverisë së re,” tha Simiçi./set