Shejh Ridauddin Fakhruddin – Allahu e mëshiroftë – myftiu zyrtar i Rusisë (vdiq më 1936), ka një shkrim shumë të rëndësishëm dhe të vlefshëm për t’u studiuar, me titull:
“Kush janë vehabistët?”
Ndër të tjera, ai thotë:
“Termi ‘vehabitë’ përdoret për personat që ndjekin ‘xhematin apo lëvizjen vehabite’, e cila u themelua në fillim të shekullit të dymbëdhjetë, nga shejh Muhamed bin Abdul-Vehhab bin Sulejman, nga Nexhdi, nga fisi Temim dhe nga medhhebi Hanbeli.
Do të ishte më e drejtë që ndjekësit e tij të quheshin ‘muhamedanë’, sepse emri i tij ishte Muhamed. Por armiqtë nuk e panë të përshtatshme t’i quanin me këtë emër të bekuar, prandaj filluan t’i quajnë sipas emrit të babait të tij, Abdul-Vehhab.
‘Vehabizmi’ nuk ishte një rrymë e re si disa sekte të tjera, si p.sh. shiitët apo babistët, por karakterizohej nga përpjekja për ta kthyer Islamin në thjeshtësinë dhe gjendjen e tij natyrore, ashtu siç ishte në kohën e Profetit ﷺ dhe të sahabëve – Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Prandaj, në besimin e ‘vehabive’ nuk ka asgjë që bie ndesh me besimin e selefit, ndërsa në jurisprudencë ata ndjekin medhhebin e imam Ahmed bin Hanbelit – Allahu qoftë i kënaqur me të.
Të thuhet se ata e mohojnë Muhamedin ﷺ, është gënjeshtra dhe shpifja më e madhe. Përkundrazi, ata punojnë për t’u përmbajtur ndaj Sheriatit Islam dhe për ta përhapur atë në formë të pastër, dhe tregojnë një përkushtim të veçantë për të vepruar sipas haditheve të Profetit ﷺ.
Sipas bindjeve të tyre, këto veprime janë të ndaluara:
– Shkuarja te varri i të vdekurit dhe kërkimi i ndërmjetësimit tek Allahu aty,
– Therja e kurbaneve apo betimeve për të vdekurin,
– Kërkimi i ndihmës nga i vdekuri,
– Udhëtimi posaçërisht për të vizituar varret,
– Ndërtimi i objekteve mbi varre,
– Ngritja e minareve mbi varre.
Të gjitha këto konsiderohen vepra të ndaluara.
Këto janë pikërisht ato që e tregojnë nivelin e përkushtimit të tyre fetar dhe bazën e metodës së tyre.
Duke qenë se këto forma adhurimi nuk ekzistonin në kohën e Profetit ﷺ, ata, duke u mbështetur në disa ajete dhe hadithe si argumente, i cilësojnë ata që i kryejnë këto veprime të ndaluara si njerëz që bien në shirk, pra në adhurim të dikujt tjetër përveç Allahut.
Sepse vetëm Allahu i plotëson nevojat e njerëzve dhe na ruan nga fatkeqësitë dhe sprovat. Ai është Zoti i botëve.”
Burimi:
Libri “Vehabizmi në letërsinë ruse”, nga prof. dr. Maxhid Turki.
