“Ai është një kafshë”, ka thënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke iu referuar Beshar Esadit, gjatë emisionit “Mornings with Maria” të gazetares dhe ekonomistes Maria Bartiromo, në kanalin “Fox Business”…
“Ai është një kafshë”, ka thënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke iu referuar Beshar Esadit, gjatë emisionit “Mornings with Maria” të gazetares dhe ekonomistes Maria Bartiromo, në kanalin “Fox Business”.
Donald Trumpi tha se urdhrin për sulmin amerikan ndaj regjimit të Esadit e ka dhënë duke u frymëzuar nga foshnjat viktima të sulmit kimik në Idlib.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shpjegoi procesin e bombardimit të bazës ushtarake ajrore të Shajratit, e kontrolluar nga regjimi sirian, duke këmbëngulur se ky sulm është shumë me vend dhe se duhej të ishte ndërmarrë më herët, kur armët kimike u përdorën për herë të parë në rajon.
Trumpi theksoi megjithatë se SHBA-ja nuk mendon të ndërmarrë një operacion ushtarak të shkallës së gjerë në Siri.
“S’do të hyjmë në Siri, por pash që njerëzit përdorën armë kimike shumë të frikshme dhe që foshnjat engjëllore vdiqën në krahët e baballarëve të tyre. Dhe në atë çast i telefonova menjëherë (sekretarit amerikan të Mbrojtjes) Gjeneralit Mattis dhe e pyeta se çfarë mund të bënim”, sqaroi ai.
Duke tërhequr vëmendjen se as tiranët më të këqij në botë nuk do të shënjestronin njerëzit me kësisoj armësh kimike të përdorura nga Esadi, Presidenti Trump pohoi se vendimin për të bërë patjetër diçka e mori pasi kishte parë pamjet tmerruese të sulmit me armë kimike në Idlib.
“Kur hidhni armë kimike dhe bomba fuçi mbi një grup njerëzish, ju shikoni edhe gjendjen e atyre fëmijëve të gjymtuar, pa krahë, pa këmbë dhe pa fytyrë”, u shpreh lideri amerikan dhe, duke iu referuar Esadit si autor i këtyre sulmeve, komentoi se “ai është një kafshë”.
Në vijim, Trumpi i mëshoi pararendësit të tij Barack Obama në lidhje me Sirinë dhe përdorimin e armëve kimike.
“Atë që bëra unë duhet ta kishte bërë më parë administrata Obama. Jam i mendimit që Siria do të ishte në një situatë më të mirë sesa kjo e tanishmja”, vlerësoi ai.
Presidenti Trump kritikoi gjithashtu Rusinë për mbështetjen, që i ofron qeverisë së Damaskut.
“Vladimir Putini po mbështet një person me të vërtetë shumë të keq dhe kjo është diçka shumë e keqe jo vetëm për Rusinë, por edhe për njerëzimin dhe botën në përgjithësi”, deklaroi numri 1 i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, në një konferencë për shtyp ditën e martë, kishte deklaruar se nuk kishin dyshime që regjimi i Esadit ka përdorur gaz sarin në Idlib.