13.1 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Rusia do të pushtojë sot Mariupolin, pretendon aleati i Putinit

Më të lexuarat

Forcat ruse do të pushtojnë sot qytetin port të rëndësishëm të Ukrainës, Mariupol.

Kështu së paku ka pohuar një aleat kryesor i Vladimir Putinit pasi Ukraina paralajmëroi se forcat e saj nuk janë në gjendje të “rezistojnë për shumë më gjatë”, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

Qyteti jugor i rrethuar ka qenë një objektiv kyç për Rusinë që nga fillimi i luftës në Ukrainë pothuajse dy muaj më parë.

Pasi u vu nën një breshëri sulmesh të përditshme, shumica e zonës është shkatërruar dhe qasja në energji elektrike, ngrohje, ushqime dhe furnizime mjekësore është ndërprerë për shumë civilë.

Forcat ruse kanë pretenduar se janë në prag të marrjes së kontrollit të plotë të qytetit prej ditësh, por njësitë e marinsave ukrainas, si dhe batalioni Azov i ushtrisë ukrainase, i kanë zmbrapsur me sukses sulmet e tyre.

Megjithatë, kreu i republikës ruse të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, forcat e të cilit kanë luftuar në Ukrainë, ka thënë se Mariupol do të bjerë sot.

Kalaja e fundit kryesore e rezistencës në qytet është e bazuar rreth fabrikës së çelikut Azovstal, ku rreth 1,000 civilë janë strehuar për shkak të sulmeve me granatime dhe raketa.

“Para drekës ose pas drekës, Azovstal do të jetë plotësisht nën kontrollin e forcave të Federatës Ruse”, citohet të ketë thënë Kadyrov.

Ndryshe, komandanti ukrainas i marinës, Serhiy Volny paralajmëroi se luftëtarët në uzinë mund të mos jenë në gjendje të “rezistojnë për shumë më gjatë”.

“Njësitë armike janë dhjetëra herë më të mëdha se tonat, kanë dominim në ajër, në artileri, në trupa tokësore, në pajisje dhe në tanke”, tha ai.

Duke folur për Sky News, ai tha se trupat në uzinë janë “më shumë se 10 me një” në favor të forcave ruse dhe më shumë se 500 luftëtarë kanë nevojë për mbështetje mjekësore.

Nëse qyteti kyç port do të binte, ai do të shënonte fitoren më të madhe të luftës së Moskës deri më tani dhe do të lejonte forcat ruse të krijojnë një korridor tokësor midis Krimesë, të cilën ajo e mori nga Ukraina në vitin 2014, dhe rajoneve të udhëhequra nga rebelët e Luhansk dhe Donetsk në lindje të vendit.

Të mërkurën, situata në Mariupol u bë aq e rëndë sa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, propozoi shkëmbimin e të burgosurve rusë të luftës me një korridor humanitar për të lejuar civilët të largohen të sigurt nga qyteti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit