22 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Rouhani: Raketa e lëshuar nga Jemeni, reagim ndaj agresivitetit të Arabisë Saudite

Më të lexuarat

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, deklaroi të mërkurën se raketa e lëshuar nga Jemeni drejt kryeqytetit Riad të Arabisë Saudite është një reagim ndaj agresivitetit saudit.

“Si duhet të reagojnë jemenasit kundër bombardimit të vendit të tyre? Pra, vallë nuk u lejohet përdorimi i armëve të tyre? Fillimisht ju ndaloni bombardimin dhe pastaj shihni nëse jemenasit do të bëjnë apo jo të njëjtën gjë”, tha Rouhani, cituar nga agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim”.

Ne – vijoi ai – duam zhvillim dhe mirëqenie në Jemen, Irak, Siri dhe Arabinë Saudite gjithashtu, por rruga e vetme për këtë është miqësia, vëllazëria dhe solidarizimi i ndërsjellë.

“Sauditët po bëjnë një gabim strategjik dhe analitik duke besuar se Irani është ‘armik’ i tyre, ndërkohë që konsiderojnë ‘mik’ SHBA-në dhe Izraelin”, theksoi kreu i shtetit iranian.

Rouhani gjithashtu paralajmëroi Arabinë Saudite për “fuqinë” e vendit të tij.

“Ju e njihni fuqinë dhe vendin e Iranit. Njerëz më të fuqishëm sesa ju nuk kanë mundur të bëjnë gjë kundër popullit iranian. SHBA-ja dhe aleatët e tyre kanë mobilizuar të gjitha mjetet e kapacitetet kundër nesh, por s’kanë arritur të bëjnë gjë”, tha ai në një mesazh drejtuar krerëve saudite, gjatë një fjalimi në Këshillin e Ministrave.

Arabia Saudite akuzoi Teheranin për raketën e lëshuar drejt Riadit ditën e shtunë duke paralajmëruar se rezervonte të drejtën e kundërpërgjigjes.

Ndërsa Irani u mbrojt duke thënë se nuk furnizonte me armë rebelët Huthi dhe raketa u përkiste këtyre të fundit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit