10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Pushimet verore

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
Grupet e ndryshme në shoqëri gjatë këtyre ditëve janë të prirë për të biseduar për një çështje të rëndësishme, ato që ne i quajmë “pushime verore”.

Njeriu dëshiron të pushojë pas lodhjes dhe të marrë frymë lirshëm. Besimtari i sinqertë me Zotin e vet pa dyshim që e di se si të pushojë dhe të frymojë. Ai gjithashtu di edhe diçka tjetër, që rehati dhe qetësi në këtë botë nuk ka derisa këmbët të prekin xhenetin e Allahut të Lartësuar. Kështu e koncepton besimtari i devotshëm, pasi kjo botë, dynjaja, për të është sprovë dhe test. Motoja për çdonjërin është:

وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّى يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ
Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”1

Adhuroje Zotin tënd me sinqeritet. Adhuroje Atë me besnikëri.
Adhuroje Zotin tënd duke qenë kërkues i xhenetit të Tij.
Adhuroje Atë sikurse ta shohësh. Edhe pse nuk e sheh, Ai ty të sheh.
Pasha Allahun! Sikur ti o njeri ta adhurosh Allahun një mijë vite duke mos mëkatuar asnjëherë, përsëri nuk ke mundur ta kryesh obligimin edhe për një të mirë të vetme.

وَقَلِيلٌ مِّنْ عِبَادِيَ الشَّكُورُ
Megjithatë, pak nga robërit e Mi janë falënderues.2

Nuk ka asgjë të keqe që t’i shfrytëzosh të lejuarat e dynjasë me qëllim të përfitimit të të mirave të botës së ahiretit. Kështu besimtari e kupton dhe e percepton “pushimin veror”.

Në suaza të këtij kuptimi, sot njerëzit kategorizohen në dy grupe.

Njëri grup e ka kuptuar pushimin veror si relaksim dhe çlodhje pas një aktiviteti intensiv mësimor ose punës së mundimshme. Ata kanë marrë familjen dhe fëmijët në një piknik të qetë në natyrë duke u larguar nga të ndaluarat dhe mëkatet. Ose kanë marrë rrugën për ta vizituar Shtëpinë e Allahut në Qabe ose xhaminë e të Dërguarit Muhamed. Mund të- kenë shkuar gjithashtu për të vizituar prindërit, familjen, të afërmit dhe farefisin.

Ky grup e ka shfrytëzuar pushimin duke e kënaqur Allahun e Lartësuar dhe duke iu afruar Atij me vepra të ndershme dhe fisnike.

Grupi i dytë pushimin e ka kuptuar si proces kalimit të kohës duke mos bërë llogari paraprake. E kanë humbur kohën në lojëra, imoralitet, mëkate, degjenerim, shkatërrim, në ato gjëra ku shkelen dispozitat e Allahut të Lartësuar. Ata i kanë lënë pas dore veprat e ndershme dhe fisnike.

Këta njerëz janë shurdhuar duke mos dëgjuar urdhrat dhe porositë e Allahut të Lartësuar. Asgjë nuk u intereson, thuajse nuk kanë për të vdekur dhe nuk do të japin llogari para Krijuesit.

Të nderuar besimtarë!

Kujtoni se detyra e njeriut në këtë botë është adhurimi dhe robëria e njëmendtë ndaj Krijuesit Allah; që ta adhurojë Allahun me sinqeritet dhe besnikëri, ta njësojë Atë dhe mos t’i shoqërojë në adhurim askënd. Qëllimi ynë në këtë botë nuk është pa qëllim dhe pa kuptim, kujto fjalët e Allahut të Lartësuar:

أَفَحَسِبْتُمْ أَنَّمَا خَلَقْنَاكُمْ عَبَثًا وَأَنَّكُمْ إِلَيْنَا لاَ تُرْجَعُونَ

Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!”3

أَيَحْسَبُ الإِنسَانُ أَن يُتْرَكَ سُدًى

Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?4

Ti, o njeri, ke detyra dhe obligime, urdhëresa dhe ndalesa. Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, thotë:

لا تزول قدما عبد يوم القيامة حتى يسأل عن أربع: عن عمره فيم أفناه؟ وعن علمه ماذا عمل به؟ وعن ماله من أين اكتسبه؟ وفيم أنفقه؟ وعن جسمه فيم أبلاه؟

Njeriu nuk do të lëvizë pa iu përgjigjur katër pyetjeve: Ku e ke kaluar jetën? Çfarë ke punuar me dijen tënde? Si e ke fituar pasurinë tënde dhe ku e ke harxhuar? Ku e ke lodhur trupin tënd?’’5

Kur i dimë këto pyetje, vallë e jemi të përgatitur për përgjigjet e tyre?!

Kalojnë ditët, vitet dhe ymri, por përsëri robi harron Allahun, Krijuesin. Kështu, i hutuar në mendime, synon në jetë të gjatë dhe pavdekshmëri.

وَلاَ تَكُونُوا كَالَّذِينَ نَسُوا اللَّهَ فَأَنسَاهُمْ أَنفُسَهُمْ أُوْلَئِكَ هُمُ الْفَاسِقُونَ

Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).6

Të nderuar besimtarë!

Në vazhdim le të kujtojmë së bashku disa këshilla që janë në dobi të të gjithëve. Patjetër që kemi nevojë për pushim dhe relaksim, por jo duke bërë gjynahe. Me mëkate nuk arrin dot pushimin dhe rehatinë. Injoranca mbjell lodhjen dhe plogështinë. Përkundrazi, në mësim dhe dituri gjen pushimin shpirtëror, ushqimin mendor dhe rehatinë trupore.

Atëherë planifikoni që fillimi i pushimit veror të jetë për qëllim përfitimin në fushat e dijes duke lexuar, mësuar, dëgjuar dhe duke qenë të pranishëm në ligjërata të ndryshme. Ai që ende nuk di të lexojë Kuran, le të vendosë që kësaj radhe ta mësojë leximin e librit të Allahut. Kurse ai që di, le të ndajë pjesë nga Kurani për mësimin përmendësh të tij. Pasuroni njohuritë tuaja duke lexuar vepra të ndryshme që sjellin dobi në të dy botët, sepse jemi umet i leximit.

Duhet shfrytëzuar koha në gjëra të dobishme ashtu siç e shfrytëzuan të parët tanë nga selefi. Është e rëndësishme që të kujdesemi për kohën se ku do ta kalojmë, pasi edhe për këtë do të japim llogari para Allahut të Lartësuar. Koha është gjëja më e shtrenjtë për besimtarin, është pjesë e pandashme e tij; kur shkon një ditë, ka shkuar një pjesë e jetës së tij. Atëherë le të shfrytëzohet rinia para pleqërisë, se kështu sendërtohet e ardhmja e dobishme.

Dita e Llogarisë është një ditë ku njeriut i prezantohet çdo detaj nga jeta e kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë:

يَوْمَ تَجِدُ كُلُّ نَفْسٍ مَّا عَمِلَتْ مِنْ خَيْرٍ مُّحْضَراً وَمَا عَمِلَتْ مِن سُوۤءٍ تَوَدُّ لَوْ أَنَّ بَيْنَهَا وَبَيْنَهُ أَمَدَاً بَعِيداً وَيُحَذِّرُكُمُ ٱللَّهُ نَفْسَهُ وَٱللَّهُ رَؤُوفٌ بِٱلْعِبَادِ

“Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vetes atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). Allahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë Allahu është i mëshirshëm ndaj robërve.”7

Këto janë fakte dhe argumente për ata që mendojnë dhe dëshirojnë një përfundim të mirë në këtë botë dhe llogari të lehtë në Ditën e Llogarisë. Islami e pranon dëfrimin e kontrolluar që motivon për punë dhe shton fuqinë. Nuk ka të keqe nëse besimtari dëfrehet dhe merret me aktivitete të zakonshme dhe normale, me qëllim të gjallërimit të zemrave kur ato lodhen. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Freskojini (qetësoni) zemrat, sepse ato lodhen ashtu si lodhet trupi.

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
21.6.2009

1 Hixhër, 99.
2 Sebe, 13.
3 Muminun, 115.
4 Kijame, 36.
5 Transmeton Tirmidhiu, hadithi është hasen.
6 Hasher, 19.
7 Aliimran, 30.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit