Një raport i agjencisë Reuters zbulon se presidenti sirian Ahmed al-Sharaa ka urdhëruar mbylljen e zyrës tregtare të vëllait të tij, Jamal al-Sharaa, në Damask, si pjesë e fushatës së re kundër korrupsionit që ai ka nisur prej marrjes së pushtetit.
Sipas burimeve të Reuters-it, vendimi përfshin edhe udhëzime zyrtare për institucionet shtetërore që të mos bashkëpunojnë me Jamalin, pas akuzave se ai kishte përdorur lidhjet familjare për përfitime personale, përmes takimeve me zyrtarë dhe biznesmenë.
Media të ndryshme siriane — përfshirë SyriaTV dhe Enab Baladi — raportuan se zyra u mbyll dhe u vulos me dyll të kuq, duke e cilësuar këtë një “mesazh politik” që tregon vendosmërinë e presidentit për të luftuar korrupsionin edhe brenda rrethit të tij familjar. Ndërkohë, agjencia shtetërore SANA nuk e ka përmendur drejtpërdrejt incidentin, por ka theksuar në një deklaratë të mëparshme se Jamal al-Sharaa “nuk mban asnjë funksion zyrtar” dhe “asnjë person nuk ka privilegje jashtë institucioneve shtetërore”.
Sipas të njëjtit raport, Jamal al-Sharaa kishte themeluar një zyrë për aktivitete në fushat e tregtisë, importit dhe turizmit, dhe ishte parë shpesh në qarqe ekonomike të Damaskut duke përdorur automjete luksoze pa targa, përpara se autoritetet të urdhëronin mbylljen e menjëhershme të biznesit të tij.
Ky veprim shihet si testi i parë serioz i fushatës së presidentit Ahmed al-Sharaa për spastrimin e korrupsionit dhe për të sinjalizuar se ligji do të zbatohet pa përjashtime, edhe ndaj anëtarëve të familjes presidenciale.
