Poezia e Gazës si qëndresë: këto vargje godasin më fort se çdo raport mbi genocidin

Më të lexuarat

Nga Riccardo Noury

Zëdhënës i Amnesty International Itali

Një grup redaktorësh italianë arriti të përmbledh 32 poezi të zgjedhura nga poetë e poete gazianë, përkthimin e të cilave ia besoi Nabil Bey Salameh-s nga grupi Radio Derwish, për tu botuar pak ditë më parë nga Fazi Editore.

“Nuk ka dritë në burgun tim,
as diell, as dritare.
S’ka asgjë këtu,
veç rojes… një derë dhe pranga.
Mbylla sytë – dhe drita erdhi.
Nga dashuria për atdheun lind gjithçka.
Dashuria në burg është liria ime,
dhe pasioni në burg – është qiell.
Jam në izolim,
ndalohen penat.
As bojë, as letër.
Zemra shkruan, kujton vargjet.
Poezia në burg është dritë dhe zjarr,
poezia në burgun tim është ushqim,
është ujë dhe ajër”.

 

Që poezia e shkruar në rrethanat më të dëshpëruara është një formë rezistence, është fakt i njohur. Të burgosurit në Guantánamo i kanë bërë ballë viteve të burgimit pa akuza e pa gjyq në atë mënyrë. Edhe Ahmed Douma në Egjipt ka rezistuar po ashtu.

Por dëshmia më e skajshme vjen nga Rripi i Gazës, ku – falë një sërë kontaktesh, vështirësitë e të cilave mund të imagjinohen lehtë – një grup redaktorësh italianë arriti të përmbledh 32 poezi të zgjedhura nga poetë e poete gazianë, përkthimin e të cilave ia besoi Nabil Bey Salameh-s nga grupi Radio Derwish, për të parë dritën e botimit nga Fazi Editore, nën titullin “Klithma e tyre është zëri im”.

 

Këto vargje po lexohen këto ditë në evente të rëndësishme – që nga skena e koncertit të 1 Majit në Taranto, te çmimi Terzani në festivalin Vicino/Lontano në Udine, e deri te dita e 9 majit, e caktuar për Gazën. Ato godasin thellë  për emocionet që përcjellin dhe për imazhet që arrijnë të ngjallin, ndoshta më shumë se një raport mbi genocidin izraelit në Rripin e Gazës

Në to ka dhimbje pa urrejtje. I përshkon ajo fjala arabe aq e papërkthyeshme pa e varfëruar: sumud – që, nëse e përshtasim me kontekstin, mund ta përkthejmë si qëndresë ndaj vrasjes së të ardhmes. Aty ka një thirrje drejtuar nesh për të dëgjuar dhe për të vepruar, dhe ka solidaritet me ata që, në mbarë botën e veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, shpesh duke paguar me burg ose masa të tjera shtypëse, kanë protestuar për Palestinën në universitete dhe në rrugë.

Siç e thekson historiani izraelit Ilan Pappé në parathënie, “të shkruash poezi gjatë një genocidi tregon edhe një herë rolin thelbësor që poezia luan në qëndresën dhe forcën e brendshme të popullit palestinez (…). Është e pamundur të mos ndjesh klithmën e protestës për jetë dhe dorëzimin ndaj vdekjes, të gdhendura në një hartografi shkatërrimi, trasuar kudo në terren nga Izraeli”.

Siç shpreh edhe Nabil Bey Salameh, “kjo përmbledhje nuk është thjesht një vajtim, por një ftesë për të parë, për të ndier, për të jetuar. Poezitë e përkthyera mbajnë me vete tingullin e rrugëve të Gazës, shushurimën e gjetheve që i bëjnë ballë erës, vajin e fëmijëve dhe këngën e ullinjve. Janë një dëshmi jete, një akt dashurie për një tokë që nuk pushon së ëndërruari lirinë. Në një botë që shpesh zgjedh  të kthejë kokën nga ana tjetër, këto poezi ngrihen si fenerë, për të ndriçuar atë që qendron e fshehur”.

Ka shpresë, siç shkruan sërish Pappé, që “kjo përmbledhje do të ndihmojë, qoftë edhe pak, në gërryerjen e mburojës së heshtjes dhe të mosinteresimit, e cila u garanton imunitet atyre që janë përgjegjës për genocidin në Gaza.”

Poezia me të cilën nis ky artikull është shkruar nga Dareen Tatour, poete dhe fotografe nga Rafahu. Ajo është autore e poezisë “Qëndro, o populli im, qëndro përballë tyre”, për të cilën u dënua nga autoritetet izraelite. Dënimi u mbështet tek përkthimi, qëllimisht i shtrembëruar, i një fjale arabe, bërë nga një polic izraelit, i cili e interpretoi si nxitje ndaj terrorizmit.

 

Publikuar në “Il Fatto Quotidiano”, të datës 12 Maj 2025, me titull: “La poesia di Gaza come resistenza: questi versi colpiscono più di un rapporto sul genocidio”

 

Në shqip: Altin Braka

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit