22.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Papa Françesku: Nuk është e drejtë të identifikohet Islami me dhunën!

Më të lexuarat

Pasi i ka dhënë fund një vizite pesëditore në Poloni, ashtu si rëndom, kreu i Kishës Katolike ka folur me gazetarët në avionin që po e kthente atë në Itali.

Duke marrë shkak nga vrasja e një prifti katolik në Francë, me sulmin të marrë përsipër nga ISIS-i, Papa Françesku do t’u thoshte gazetarëve, “Mendoj se në të gjitha fetë ka gjithmonë një grup të vogël fundamentalist.” “Ne kemi,” ka shtuar ai, duke e patur fjalën për Katolicizmin.

Papa nuk ka ngurruar të dalë kundër një tendence thuajse të pranishme ngado sot, duke theksuar kësisoj: “Nuk është e drejtë të identifikohet Islami me dhunën. Nuk është e drejtë dhe nuk është e vërtetë!”

“Nuk dua të flas për dhunë islame, sepse çdo ditë kur u hedh sytë gazetave shoh dhunë këtu në Itali. Dikush vret të dashurën, dikush vret vjehrrën. Këta janë katolikë të pagëzuar,” u është shprehur ai gazetarëve.

Për të vijuar, “Nëse flas për dhunë islame, duhet të flas për dhunë katolike. Jo të gjithë muslimanët janë të dhunshëm.”

Sipas tij, padrejtësia shoqërore dhe adhurimi i pafund i parasë janë mes shkaqeve kryesore të terrorizmit.

“Pyes veten se sa shumë të rinj i kemi lënë ne europianët pa ideale, që nuk kanë punë. Ata i kthehen drogës e alkoolit, apo futen në radhët e ISIS-it.”

“E di se është e rrezikshme ta thuash këtë, por terrorizmi rritet kur nuk ka mundësi tjetër dhe kur paraja është bërë perëndi, e, në vend të njeriut, ajo vihet në qendër të ekonomisë botërore,” e ka argumentuar Papa idenë e tij mbi shkaqet e terrorizmit. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit