Biografia e autorit
Ebu Bekr ibn Ebi Shejbeh lindi në vitin 159 hixhri në Kufeh, një qytet i njohur për shkollat e tij të fikhut dhe hadithit. Ai ishte një nga dijetarët më të shquar të brezit të tij dhe një figurë qendrore në historinë islame, i njohur për memorizimin dhe kujtesën e jashtëzakonshme dhe përkushtimin në transmetimin e haditheve.
Ebu Bekri ishte biri i Muhamed ibn Ebi Shejbes, një dijetar i njohur i kohës. Po ashtu edhe njëri prej vëllezërve të tij, Uthman ibn Ebi Shejbeh, është i njohur gjithashtu si dijetar. Familja e tij në përgjithësi ishte e njohur për përkushtimin ndaj dijes dhe ruajtjes së haditheve.
Ibn Ebi Shejbeh filloi ta mësonte hadithin që në moshë të re. Ai mësoi nën udhëheqjen e disa dijetarëve më të mëdhenj e më të njohur të kohës, duke përfshirë:
Abdullah ibn el-Mubarek, një dijetar i shquar i hadithit dhe fikhut.
Sufjan ibn Ujejneh, i njohur për dijen tij të thellë në hadith.
Jahja ibn Seid el-Kattan, një dijetar i njohur i hadithit.
Ai, udhëtoi nëpër qytete të ndryshme për të mësuar dhe për të mbledhur hadithe, duke përfshirë Mekën, Medinën, Basrën dhe Shamin.
Veprat e tij
Ebu Bekr ibn Ebi Shejbeh është i njohur kryesisht për veprën e tij “El-Musannef”, një koleksion i gjerë i haditheve dhe fjalëve nga sahabët dhe tabiinët. Ky libër është një burim themelor për studiuesit e hadithit dhe fikhut. Ai gjithashtu ka përpiluar një “Musned” dhe një Tefsir
Ibn Ebi Shejbeh vdiq në vitin 235 hixhri në Kufeh
2.Prezentimi sipërfaqësor i librit
Titulli: El-Kitab El-Musanef fil-Ehadith uel-Athar
Autori: Ibn Ebi Shejbeh
Vëllimet: 25
Numri i transmetimeve: 40.754
Tema: Grumbullimi i transmetimeve të haditheve, fjalëve të sahabëve dhe tabiinëve, si dhe trajtimi i çështjeve juridike (fikh) përmes transmetimeve
Shtëpia botuese: Dar ibn Hazm
Redaktor: Shejh. Dr. S’ad bin Nasir esh-Shathri
3.Metodologjia e autorit në libër
a) Renditje tematike sipas fikhut:
Libri është ndarë në kapituj dhe nënkapituj që pasojnë rendin e çështjeve fikhore, gjë që e bën të lehtë gjetjen dhe studiimin e temave.
b) Fillimi me hadith profetik:
Në çdo kapitull, Ibn Ebi Shejbeh zakonisht fillon me transmetime nga Pejgamberi ﷺ, për t’i dhënë përparësi burimit më të lartë.
c) Pastrimi i zinxhirëve të transmetimit:
Ai është shumë i kujdesshëm në përmendjen e zinxhirit të plotë për çdo hadith ose ether (fjalë e sahabëve / tabiinëve), pa ndërprerje.
ç) Përfshirja e fjalëve të sahabëve dhe tabiinëve:
Autori nuk kufizohet vetëm në hadithet profetike, por përfshin edhe mendimet dhe veprimet e brezave të parë, duke i paraqitur si pjesë të argumentimit.
d) Kujdes në përmendjen e dëshmive dhe përsëritjeve:
Ai shpesh sjell transmetime mbështetëse për të forcuar hadithet, dhe thekson ndryshimet mes tyre kur ekzistojnë.
4.Rëndësia dhe vlera shkencore e librit
Libri “el-Musannef” i Ibn Ebi Shejbes dallohet me shumë veçori të rëndësishme, ndër të cilat janë:
- Përmasa e madhe e veprës:
Ky libër është shumë voluminoz, për ilustrim, numri i transmetimeve që përmban është rreth gjashtëfish më i madh se ai i Sahihut të Buhariut.
- Koha e hershme e autorit:
Siç thamë në fillim, Ibn Ebi Shejbeh vdiq në vitin 235h, çka e bën librin burim të hershëm për shumë vepra që erdhën më vonë. Prandaj, nuk është për t’u habitur që rreth një e katërta e Sunenit të Ibn Maxhes është transmetuar prej tij, dhe shumica e atyre transmetimeve gjenden në El-Musannef. Madje, nuk gjen pothuajse asnjë libër të sunetit pa transmetime të marra nga Ibn Ebi Shejbeh.
- Lartësia e zinxhirit të transmetimit:
Shumica e zinxhirëve të ibn Ebi Shejbes në hadithet profetike janë hadithe me zinxhir treshe (pra me tre transmetues mes tij dhe Pejgamberit ﷺ), gjë që i jep atyre një vlerë të lartë në disiplinën e hadithit.
- Përmbledhja e transmetimeve të sahabëve dhe tabiinëve:
Ai sjell mospajtimet e fukahave, gjë që ndihmon në dallimin e çështjeve ku ka konsensus nga ato ku ka mospajtime. Ibn Ebi Shejbeh nuk shfaq fanatizëm në këtë drejtim.
- Përmbajtja e mospajtimeve të hershme juridike:
Libri është shumë i dobishëm për studiuesit që duan të ndjekin zhvillimin historik të mospajtimeve juridike, të kuptojnë kohën e lindjes së çështjeve, rrënjët e mospajtimeve mes katër imamëve dhe të tjerëve, si dhe metodat e tyre në dhënien e fetvave dhe qëndrimin e tyre ndaj atyre që kishin mendime të tjera.
- Përfshirja e çështjeve të imta / të ralla:
Libri trajton shumë çështje të imta juridike që shumë studiues më vonë i kanë menduar si të lindura në periudha të vona, ndërkohë që ato ekzistonin që në kohët e hershme.
- Kujdesi në përdorimin e terminologjisë juridike:
Ai sqaron kuptimet e termave dhe përmend ndryshimet që ekzistojnë në përdorimin e tyre, gjë që ndihmon në formimin e një konceptimi të qartë të çështjeve fetare dhe në kuptimin e saktë të qëllimit të tyre.
- Përfshirja e shumë disiplinave islame:
Libri përmban tema që variojnë nga fikhu, akideja, historia, ngjarjet e luftërave të Pejgamberit ﷺ, e deri në fusha të tjera të dijes islame.
- Ndarja në kapituj dhe nënkapituj:
Struktura e librit është e organizuar në mënyrë që i ndihmon studiuesit të gjejnë lehtësisht informacionin e kërkuar. Gjithashtu, renditja e temave është në bazë të klasifikimit fikhor.
- Forca e transmetimeve:
Shumica e transmetimeve janë të sakta (sahih) ose të mira (hasen), ndërsa transmetimet e dobëta (da’if) janë të pakta dhe janë paralajmëruar e sqaruar si të tilla. Posaçërisht në botimin e “Dar ibn Hazm, me redaktim të Shejh Shathrit”, ku redaktori e ka përpunuar veprën me shumë kujdes.
- Libri është unik në disa kapituj:
Ka kapituj të shumtë që nuk gjenden në asnjë libër tjetër të sunetit apo të transmetimeve, çka e bën këtë vepër, burim unik në shumë fusha.
- Kujdesi në sjelljen e dëshmive dhe transmetimeve mbështetëse:
Ai shpesh herë sjell hadithe të ngjashme për të forcuar një transmetim dhe vëren dallimet mes tyre.
5.Fjalët e dijetarëve mbi këtë libër
Ibn Kethiri ka thënë:
“Ky është një libër që askush nuk ka hartuar një të ngjashëm me të, as para tij e as pas tij.”
El-Bidajeh ven-Nihajeh 10/315.
Prijësi i Andaluzisë, Muhamed ibn Abdurrahman el-Emevi, ka thënë:
“Ky është një libër pa të cilin biblioteka jonë nuk mund të jetë e kompletuar.”
Tarih Ibn el-Ferdi 1/170.
Ibn es-Subki ka thënë:
“El-Kaffali hulumtoi për fjalët e selefëve në këtë çështje, dhe libri që i zbuloi më gjerësisht fjalët e tyre ishte “El-Musannef” i ibn Ebi Shejbes.”
Tabakat esh-Shafi‘ijjeh 5/60.
“Libri “El-Musannef” i ibn Ebi Shejbes ishte shembull i përkryer i përmbledhjes (grumbullimit) së haditheve dhe ethereve.”
Tabakat el-Hanabile 1/73.
E në fund themi:
Libri “El-Musannef” i Ibn Ebi Shejbes është nga veprat më të rëndësishme, e më madhështore të trashëgimisë islame, që ruan hadithe, thënie të sahabëve dhe transmetime të rralla. Për mrekullitë që kjo vepër e ka në brendësine e saj, për përmbajtjen e gjerë në hadith, akide, fikh dhe histori të hershme islame, dijetarët e kanë quajtur këtë libër “Libri i Islamit”, duke theksuar vlerën e tij të jashtëzakonshme për studiuesit dhe kërkuesit e dijes.
O Allah, këtë dijetar të madh, këtë thesar të dijes dhe diamant të rrallë të Islamit, Ibn Ebi Shejben, ngritja gradat në Xhenetin më të lartë, shpërbleje për shërbimin e tij të çmuar ndaj fesë dhe bëje që drita e diturisë së tij të ndriçojë për të në Ditën e Takimit me Ty.
Përmblodhi: Uvejs Ramadani
