Nga flakët e Al-Aksas te shpresat e çlirimit: Ku po shkon Ummeti?

Më të lexuarat

Para 57 vitesh, saktësisht në vitin 1389 sipas hixhretit, që përkon me vitin 1969 sipas kalendarit gregorian, u dogjën pjesë të xhamisë Al-Aksa nën pushtimin sionist. Kjo ngjarje e ngriti në këmbë botën islame dhe ishte një nga nxitësit më të rëndësishëm për lindjen e zgjimit islam, i cili u përhap në të gjitha anët e botës dhe vazhdoi gjallë e në rritje për rreth tridhjetë vjet.

Më pas, xhamia Al-Aksa u përdhos nga sulmi i “Sharoni”-t, para 25 vitesh, saktësisht në vitin 1421 sipas hixhretit, që përkon me vitin 2000 të erës sonë. Në atë kohë, bota islame reagoi fuqishëm, veçanërisht brenda Palestinës, ku shpërtheu intifada e dytë palestineze që zgjati për vite të tëra dhe në të cilën populli ynë në Palestinë dha mijëra dëshmorë.

Sot, xhamia Al-Aksa po përdhoset në mënyrë të paprecedentë nga duart e kolonëve pushtues, të cilët janë të mallkuar dhe të zemëruar nga Zoti sipas fjalëve të profetëve. Ata futen në të në numra të mëdhenj, nën mbështetjen e “Ben Gvir”-it, në kohën e një shfarosjeje të paparë të popullit tonë në Gaza, me përkrahje të hapur dhe luftë të qartë nga disa qeveri perëndimore. Këto shoqërohen me slogane të forta fetaro-luftarake që shfaqen në deklaratat e ministrit të jashtëm dhe të mbrojtjes së shtetit që sponsorizon të gjitha këto shkelje, në kuadër të një politike të “zgjerimit gjeografik” të ndjekur nga qeveria pushtuese izraelite dhe forcat që e mbështesin atë, së bashku me deklaratat e Netanyahut për formimin e Lindjes së Mesme të re mbi një standard krejtësisht sionist.

E gjithë kjo po ndodh në një fazë të çuditshme të pafuqisë, dëshpërimit dhe hutimit, që ka përfshirë popujt islamë të lënduar dhe të shtypur nga ajo që po ndodh rreth tyre. Ata përballen me një shtypje dhe kërcënim të paprecedentë nga njëra anë, dhe me një përhapje të madhe të shpërfilljes dhe pavetëdijes mes shumë prej bijve të tyre nga ana tjetër. Kjo ndodh në një kohë konfuzioni dhe paqëndrueshmërie në qëndrimet e shumë figurave islame, dhe me një anashkalim apo përjashtim të figurave të tjera që kanë kryer me përkushtim detyrën e tyre. Kjo gjendje e bën armikun sionist edhe më të pangopur për të përpirë tokën e bekuar, për të derdhur gjak të pafajshëm dhe për të përdhosur xhaminë Al-Aksa – madje, ndoshta, për t’u afruar me forcë drejt qëllimit të tij më të madh: shkatërrimin e xhamisë Al-Aksa dhe ndërtimin e tempullit.

Por… A ka vdekur vërtet Ummeti Islam?
A është ulur perdja mbi lavdinë e tij?
A ka humbur shpresa dhe ka perënduar dielli i saj?

Apo ndoshta do të shohim dritë pas gjithë kësaj errësire, një shpresë më të madhe se gjithë këto dhimbje dhe një ndihmë hyjnore për të sinqertët, të duruarit dhe ata që punojnë për hir të Allahut, fesë së Tij dhe për ndihmën e umetit të Profetit të Tij ﷺ?

Përgjigjja ndaj kësaj do të jetë në përpjesëtim me thellësinë e vizionit që Allahu ia jep kujt të dojë prej robërve të Tij. Ky vizion varet nga pozicioni yt në konfliktin mes së drejtës dhe së pavërtetës, nga udhëzimi yt me dritën e shpalljes që zbriti mbi Profetin ﷺ, nga robëria jote ndaj Allahut në të gjitha çështjet e jetës, nga kuptimi yt për ligjësitë e Zotit dhe nga përpjekja jote për të vepruar sipas detyrimeve fetare në çdo fazë.

Nëse je i tillë, atëherë do të shohësh dritat e çlirimit dhe agimit që shfaqen në horizont – dhe, në përputhje me thellësinë e vizionit tënd, do ta kuptosh se ato nuk janë drita të zakonshme… Jo, për Zotin, janë drita të mëdha dhe madhështore.

Por, nëse lë mangët ndonjërën nga këto, atëherë më e pakta që do të përjetosh është: hutim, konfuzion dhe dëshpërim; dhe më e rënda që mund të të ndodhë: vdekja e zemrës tënde – Allahu mos e sjelltë këtë për ty.

Ahmed Es-Sejjid

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit