14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

NATO: Rusia një kërcënim, Kina një sfidë

Më të lexuarat

72  vite pas themelimit,  NATO ka zhvendosur vëmendjen në Azi-Paqësor. Për herë të parë në historinë e Aleancës, Nato e ka cilësuar fuqinë aziatike jo si një partner ekonomik, por si një sfidë “e vazhdueshme” për botën perëndimore.

“Ambiciet  dhe sjellja dinamike e Kinës paraqesin sfida të vazhdueshme për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe për fushat që lidhen me sigurinë e Aleancës,” thanë udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët.

Qëndrimi më kritik ndaj Kinës se kurrë më parë mban vulën e Presidentit të ri të SHBA, Joe Biden. Një ditë më parë, në samitin e  G7 në Cornwall, Biden  kritikoi udhëheqjen kineze për abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang, shkeljen e autonomisë së Hong Kongut dhe kërcënimet ndaj Tajvanit, raporton abcnews.al

Kina foli për shpifje dhe ndërhyrje të papranueshme në punët e saj të brendshme. E vërteta është se përshkrimi i Kinës si një “sfidë” është  më i zbutur nëse e krahasojmë me deklaratën e përbashkët për Rusinë, e cila  shihet “kërcënim” për Aleancën.

Në një konferencë shtypi pas takimit, Joe Biden tha se “neni 5 (i cili parashikon mbrojtjen kolektive në rast të një sulmi ndaj një Shteti Anëtar) është një detyrim i shenjtë dhe nuk do të ndryshojë”  dhe theksoi rolin vendimtar të NATO-s në interesat e Amerikës.

Për sa i përket takimit të tij me Vladimir Putin, i cili do të zhvillohet nesër në Gjenevë, presidenti amerikan deklaroi se ai nuk dëshiron një konflikt me Rusinë, por synon t’i bëjë të qarta vijat e kuqe homologut të tij rus.

Edhe pse ai nuk kërkoi falje se e kishte cilësuar Putin një “vrasës”, këtë herë ai e cilëspi atë si një “kundërshtar të zgjuar, të ashpër, të denjë”. I pyetur nga një gazetar, ai paralajmëroi se nëse politikani rus i opozitës Alexei Navalny vdes në burg, kjo do të ketë pasoja serioze për pozicionin e Rusisë ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe personalisht ndaj SHBA-së.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kishte kërkuar NATO-s të ishte i qartë në marrjen e vendimit për anëtarësimin në NATO. Gjatë një konferencë për shtyp, Joe Biden tha se dera e Aleancës mbetet e hapur, por shtoi se Ukraina duhet të përmbushë kriteret për anëtarësimin, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe fuqisë së oligarkëve, e cila deri më sot nuk është zbatuar./abcnews.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit