15.8 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

Miliona njerëz në Jemen nën kërcënimin e urisë

Më të lexuarat

Zyrtarët e OKB-së kanë njoftuar se miliona njerëz përballen me rrezikun e urisë për shkak të mungesës së ushqimeve të shkaktuar nga konfliktet në Jemen dhe se epidemia e kolerës në të gjithë vendin përbën një kërcënim të madh

GJENEVE (AA) – Miliona persona ndodhen përballë rrezikut të urisë në Jemen për shkak të konflikteve dhe destabilitetit politik, që vazhdon në këtë shtet. Gjithashtu në vend edhe epidemia e kolerës vazhdon të shkaktojë të vdekur, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara (OKB), Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Fondit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Emergjencat e Fëmijëve (UNICEF) dhe Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) kanë bërë disa deklarata për gazetarin e AA-së në lidhje me krizën humanitare në Jemen.

Zyrtarët kanë njoftuar se miliona njerëz përballen me rrezikun e urisë për shkak të mungesës së ushqimeve të shkaktuar nga konfliktet në Jemen dhe se epidemia e kolerës në të gjithë vendin përbën një kërcënim të madh.

Sipas të dhënave të WFP, 17 milionë persona nuk ushqehen mjaftueshëm në Jemen i cili ka një popullsi 28.2 milionë banorë, ku 6,8 milionë prej këtyre ndodhen përballë “një rrezik serioz të urisë”.

WFP që këtë muaj synon të sigurojë ndihma ushqimore për 6,8 milionë personat që ndodhen të rrezikuar, ka njoftuar se do t’iu japë përparësi 3.9 milionë personave që ndodhen në rajonet më të ndikuara nga mungesa e ushqimeve.

Zëdhënësja e WFP, Bettina Luscher, duke vënë në dukje se dy të tretat e popullsisë së vendit jetojnë duke mos e ditur se nga do të vijë ushqimi, tha se “Ne jetojmë kundër kohës për të shmangur mangësitë”.

Luscher ka theksuar se në Jemen ku janë shpërngulur nga vendet e tyre 3.1 milionë persona, për të parandaluar krizën e urisë nga qershori e deri në nëntor ka nevojë për të paktën 468 milionë dollarë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në alarm

Vendi në njërën anë lufton me mangësitë dhe në anën tjetër me epideminë e kolerës që ka rishpërthyer në muajin prill. Miliona persona të shpërngulur brenda vendit për shkak të konflikteve që vazhdojnë për më shumë se dy vite në Jemen ndodhen çdo ditë përballë rrezikut të infektimit nga kolera si rezultat i mungesës së ujit të pastër të pijshëm dhe nga mos mbledhja e mbeturinave.

OBSH ka njoftuar se që nga 27 prilli e deri më sot për shkak të epidemisë së përhapur në 19 nga 23 rajonet që ka vendi ka arritur në 1000 numri i personave që kanë humbur jetën nga kolera nga të cilët afërisht 300 prej tyre janë fëmijë.

Zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jasareviç, ka tërhequr vëmendjen se rastet e kolerës janë vërejtur me 46 për qind tek fëmijët nën moshën 15-vjeç dhe me 33 për qind tek të rriturit mbi moshën 60-vjeçare.

Pasi ka vënë në dukje se për shkak të konflikteve intensive në dy vitet e fundit është shkatërruar pothuajse plotësisht sistemi shëndetësor në vend, Jasareviç, është shprehur se nga konfliktet është dëmtuar infrastruktura dhe se si pasojë nuk mund të ofrohet ujë i pastër për 14 milionë persona.

OBSH me nisjen e epidemisë së kolerës pati shpallur situatën emergjente në vend.

Shifrat e UNICEF-ut të frikshme

UNICEF ka njoftuar se që nga fillimi i konflikteve e deri më tani në vend kanë humbur jetën 1.649 fëmijë si dhe afërsisht 2.500 të tjerë kanë mbetur të gjymtuar, nga të cilët 1.848 prej tyre janë meshkuj dhe 684 femra.

Në vend 1.768 fëmijë meshkuj përdoren si luftëtarë në konflikte, si dhe bëhet e ditur se në krahasim me dy vite më parë janë rritur me dy të tretat martesat e fëmijëve.

Sipas UNICEF-it në vend afërsisht 2.2 milionë fëmijë kequshqehen, ndërsa 1.3 milionë fëmijë jetojnë nën rrezikun e pneumonisë.

Zëdhënësi i UNICEF-it, Christophe Boulierac, ka tërhequr vëmendjen se në Jemen 7.3 milionë fëmijë ndodhen në moshën e shkollës, ku më shumë se 2 milionë nuk shkojnë në shkollë nga të cilët 350 mijë për shkak të konflikteve.

Ndër të tjera Boulierac ka shtuar se 1.600 shkolla kanë dalë jashtë përdorimit, nga të cilat 248 shkolla janë shkatërruar plotësisht nga sulmet ajrore dhe bombardimet, ndërsa 1.164 shkolla janë dëmtuar pjesërisht si dhe 23 shkolla ndodhen nën pushtimin e grupeve të armatosura.

Deklarata e OCHA për mungesat

Edhe zëdhënësi i OCHA, Jens Laerke duke e cilësuar “prodhim të njeriut” varfërinë dhe gjendjen aktuale humanitare në Jemen, është shprehur se “Kategorikisht mund të parandalohej varfëria, po të mos ishin konfliktet në Jemen.”

Gjithashtu Laerke ka shtuar se janë financuar vetëm 28.5 për qind të 2.1 miliardë dollarëve të kërkuar në kuadër të Planit 2017 të OKB-së për ndihmat humanitare në Jemen.

Jemeni që prej më shumë se dy vitesh është skenë e konflikteve mes forcave qeveritare dhe forcave Husi si dhe mbështetësve të presidentit të rrëzuar Salih i cili ofron mbështetje për ta.

Forcat Husi dhe mbështetësit e Salih në Jemen ku që prej një kohe të gjatë mbizotëron destabilizimi politik, që nga shtatori 2014 e deri më tani kanë nën kontroll kryeqytetin Sana. Ndërsa forcat e koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite që nga marsi 2015 e deri tani ofrojnë mbështetje për qeverinë e Jemenit kundër Husive.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit