20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Kujt i djeg nga kënga e Gold Ag?

Më të lexuarat

Anton Cara

Videoklipi i një reperi nga Presheva i quajtur Gold Ag ka hapur debate të mëdha, si askush tjetër nga kolegët e tij në Kosovë. Në këngën e tij «Shqiptari» ai ka goditur realitetin për problemet e shumta, si dhe për sjelljet agresive të elitës politike e intelektuale ndaj fesë islame. Kënga i përket zhanrit hip-hop dhe, siç ndodh rëndom në këtë rrymë muzikore, ajo paraqet një shpërthim agresiv të rebelimit ndaj këtyre fenomeneve, të cilat, sipas autorit, shfaqin të gjithë fëlliqësinë, hipokrizinë dhe dhunën e elitave në pushtet.

Pa qenë aspak simpatizues i hip-hopit, mund të thuhet se artistikisht kënga qendron në një nivel të përafërt me produktet më të mira të kësaj rryme në trojet shqiptare. Pa u ndalur tek muzika, teksti ka arritur të provokojë ndjenjën e reagimit shoqëror ndaj fenomeneve të denoncuara, dhe autori ka arritur ta përcjellë këtë emocion, pavarësisht teprimeve. Kënga e paraqet realitetin politik në Kosovë me nota të errëta, në një panoramë të mbushur me padrejtësi, kriminalitet, korrupsion, nënshtrim ndaj të huajve, flirtim me serbët, të cilat vijnë nga një politikë degraduese që e ka hedhur pas krahëve çështjen kombëtare, interesat e qytetarëve dhe hallet e njerëzve. Ndërkohë autori ironizon se këta politikanë e intelektualë që ia kanë bërë vendit të gjitha të zezat, sulmojnë Islamin dhe muslimanët në emër të një patriotizmi të shtirur, duke fyer e atakuar fenë e tyre si dhe duke u mohuar të drejtat e tyre legjitime. Revolta e autorit ngrihet mbi mospranimin e kësaj padrejtësie dhe njëkohësisht hipokrizie të ulët, teksa evokon krenarinë për fenë e tij. Sipas tij ne jemi muslimanë dhe nuk kemi përse të kompleksohemi nga feja jonë, për shkak se kjo fe është e jona në rradhë të parë, e njëkohësisht është një fe mirë e dinjitoze. Kënga shfaq një shpërthim nacionalizmi e fetarizmi të miksuar së bashku si dy shtysa të forta identitare në themelet e kombit shqiptar.

Duhet thënë se gjuha e përdorur në tekst, por edhe klipi është jopak agresiv, diçka kjo mëse e përhapur tek muzika e këtij lloji. Teksti gjithashtu është i mbushur me fyerje ndaj shkaktarëve të këtyre padrejtësive që autori thotë se po iu bëhen shqiptarëve, si dhe me plot fjalë vulgare, të përdorura si mjet shfryrjeje për të ndezur indinjatën e tij. Hip-hopi është një rrymë që përfaqëson të rinj rebelë të shtresave shoqërore të thjeshta, të cilat vuajnë më së shumti nga padrejtësitë sociale, dhe gjuha e tyre paraqitet e drejtpërdrejtë ashtu siç flitet në getot e qyteteve të mëdha, ku ky lloj zhanri ka lindur e është kultivuar. Vulgariteti shndërrohet në veneracion për autorët e kësaj rryme, si një element që kërkon të tregojë sinqeritetin e autorit për t’u shfaqur ashtu siç ai është, ndonëse shpesh autorë të tillë bëhen më shumë vulgarë e rebelë në këngë sesa janë në jetën e përditshme. Të tilla gjëra i ndeshim masivisht edhe tek shumë këngëtarë shqiptarë të kësaj rryme, madje shumë herë më tepër se tek kjo këngë, pavarësisht se vetëm kjo i ka shqetësuar intelektualët tanë.

Natyrisht, kënga mbart teprime në fyerje, probleme ideologjike dhe paqartësi të problematikave që rrok dhe është e kuptueshme që autori nuk ka mundësi të ketë kthjelltësinë e duhur në këtë tematikë, kur po shohim se edhe intelektualë «të mëdhenj» sot në Kosovë, që shkruajnë editoriale e japin intervista, kanë injorancë të thellë për këto tema. Natyrisht, gjuha agresive, fondamentaliste e dogmatike me të cilën zhvillohet debati mbi identitetin, historinë, kulturën dhe fenë në Shqipëri e Kosovë ka prodhuar vetëm konfuzion, e kjo vërehet kudo, pa më të voglin dyshim, e pa asnjë pritshmëri më shumë edhe tek Gold Ag. Por teksa konfuzioni është i pranueshëm dhe i tolerueshëm tek një njeri pa pretendime akademike, është krejt e tepërt të shohësh gishtin e prodhuesve të kësaj klime të drejtuar ndaj tekstit të një kënge që, ndonëse e dhunshme, në fund të fundit është e sinqertë dhe mjaft e ndjerë, e mbi të gjitha reflekton reagim shoqëror që mungon në kapardisjet intelektuale të tyre.

Kënga ka ndezur indinjatën e një morie gazetarësh e analistësh, si edhe politikanë e artistë të tjerë, të cilët, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, janë prekur nga teksti. Befas publiku (më saktë «opinioni publik», klasa politike e kulturore) u bë sqimtar deri në puritanizëm dhe filloi të indinjohet nga fjalët banale të përdorura, si dhe të shqetësohet për racizmin që shumë prej tyre kanë evidentuar në tekst. Autori akuzohet për fashizëm, për shkak se për personazhet antimuslimanë që atakon shprehet me terma të tillë si «nënën e ka shkinë», apo se i quan disa politikanë «pedera». Po kështu, të njëjtat akuza janë ngritur edhe për mënyrën sesi Gold është shprehur për Atifete Jahjagën, së cilës i thotë se ka haber për politikën «q’aq sa kali për muzikën».

Teprimet janë të dënueshme e nuk mund të jenë kurrë rruga e duhur për të reaguar ndaj fenomeneve, ndonëse vetë autori në tekstin e këngës është i vetëdijshëm për këtë dhe, në një moment madje edhe kërkon falje për to, duke shtuar se kjo i vjen nga indinjata dhe dëshpërimi prej këtij realiteti. Megjithatë, reagimet agresive ndaj këngës kanë qenë të ulta, kur shesh që shqetësimi për fashizmin na vjen vetëm kur kënga, paralelisht me denoncimin e realitetit, mbron edhe Islamin, në një kohë kur vulgariteti, racizmi, dhuna po shpërthejnë nga të katër anët në gazeta e televizione, në mënyrën më të shëmtuar e shpesh pa asgjë njerëzore brenda.

Nëse do të ishin të sinqertë ata që shqetësohen për dhunën e paraqitur në këtë klip do të duhej të evidentonin fillimisht se ky agresivitet është vetëm përgjigje ndaj një dhune paraprake të ligë e të pandershme që po i bëhet verbalisht e mediatikisht komunitetit më të madh fetar në vend. Pa u ndalur në vulgaritetin, banalitetin dhe degradimin e muzikës komerciale në Shqipëri e Kosovë, nuk mund të mos idhnohesh nga dhuna që shpërthen çdo ditë në faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve kundër Islamit e muslimanëve në Kosovë. Mediumet, forumet, e mbarë hapësirat komunikuese që shpërdorojnë fjalën shqipe, i etiketojnë sot muslimanët masivisht me terma hiper-racistë e genocidalë. Ata etiketohen si aziatikë, jevgjitë, rracë e poshtër, kopilë të pushtuesve, të cilët duhet të shporren nga ky vend… Kur muslimanët fyhen, atakohen, sulmohen me termat më ordinerë, madje edhe nga zëra e mediume elitarë, natyrisht që, sado i tepruar të jetë një reagim, nuk mund të fajsohet më shumë se shkaktarët e tij. Të paktën nuk mund të fajsohet ai që reagon, pa evidentuar më parë burimin e reagimit.

E si kanë gojë të flasin këta intelektualë mbi promovimin e urrejtjes tek një këngë, ndërsa në këtë vend, urrejtja po institucionalizohet çdo ditë prej vetë diskursit të tyre?!  Si mund të shqetësohet kaq shumë Imer Mushkolaj mbi gjuhën e një kënge hip-hop, teksa nuk e kemi parë të rreagojë kurrë ndaj diskursit hitlerian e stalinist me të cilin anatemohet e linçohet sot komuniteti më i madh fetar në vend, duke prodhuar një mjedis kaq të ngarkuar me urrejtje?! Jo vetëm kaq, por si mundet t’i japë vetes të drejtën për dënuar gjuhën e urrejtjes (që në fakt është më shumë një shfaqje artistike e indinjatës legjitime ndaj një realiteti problematik) ndërkohë që vetë Mushkolaj është promovues i gjuhës së urrejtjes ndaj muslimanëve shqiptarë në disa nga shkrimet e tij?!

Në të vërtetë i gjithë ky puritanizëm etik e pacifist bie erë. E vërteta duket se nuk qendron tek shqetësimi i tyre ndaj teprimeve të shfaqjes së agresivitetit, por tek fakti që pikërisht ata janë problemi i denoncuar nga Gold Ag. Reagimet vijnë pikërisht sepse ata gjejnë vetveten në fjalët e Gold. Imer Mushkolajt, Baton Haxhinjtë, Berat Buzhalat, Blerim Latifët apo edhe Alma Lamat, Atifete Jahjagat e Ramush Haradinajt janë promovuesit e përditshëm të urrejtjes, racizmit, fashizmit, anti-muslimanizmit në Kosovë dhe reagimet ndaj kësaj kënge vetëm se vërtetojnë realitetin që ajo evidenton, qoftë edhe me thjeshtësinë dhe vulgaritetin e saj. I neveritshëm në këtë mes, ndryshe nga ç’thotë Mushkolaj, është shqetësimi antifashist, kinse moralist e pacifist, i këtij takëmi intelektualësh që flirtojnë me Hitlerin dhe racologjitë më mediokre, çdo natë, teksa hartojnë idetë për editorialet së nesërmes.

* Qëndrimet e paraqitura janë reflektime personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit