Kryeministri pakistanez: Është për të ardhur keq që Macron inkurajon islamofobinë

0
109

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan ka reaguar ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron për inkurajimin e islamofobisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter, kryeministri Khan tha se cilësia dalluese e një lideri është të bashkojë dhe jo të përçajë. “Është një situatë për të ardhur keq që Macron inkurajon islamofobinë duke sulmuar Islamin, muslimanët, në vend të terroristëve, racistëve të bardhë ose ideologëve nazistë”, tha Khan.

Khan thekson se Macron duke inkurajuar shfaqjen e karikaturave të shëmtuara të cilat kanë në objektiv pejgamberin e Islamit, profetin Muhammed ka zgjedhur të nxisë me qëllim muslimanët në mesin e të cilëve janë të përfshirë edhe vetë qytetarët e tij.

Pasi vuri theksin se presidenti francez duke sulmuar Islamin ka sulmuar dhe lënduar ndjenjat e miliona muslimanëve në Evropë dhe në të gjithë botën, Khan tërhoqi vëmendjen se polarizimi i tepërt është gjëja e fundit për të cilën kërkon dhe ka nevojë bota.

Në fjalën e tij, Khan bëri të ditur se deklaratat publike “me bazë injorancën” do të jenë shkaktare për më shumë hapësirë ndaj urrejtjes, islamofobisë dhe ekstremizmit.

“Liderët muslimanë duhet të reagojnë”

Lideri i Partisë ‘Jamaat-i-Islami‘ të Pakistanit, Siraj-ul Haq duke dënuar deklaratat e Macron-it tha se liderët muslimanë duhet të reagojnë në mënyrë të padiskutueshme kundër shfaqjes së karikaturave në ndërtesat në Francë.

Ai vuri në dukje se është përgjegjësi morale e Pakistanit që të krijojë komunikim me krerët e shteteve muslimane për disktutimin e çështjes, thirrjen në takim urgjent të Organizatës për Bashkëpunimin Islam (OBI), vendosjen e çështjes në forume globale ndërsa Kombet e Bashkuara të shpallin se “ofendimet” ndaj profetit Muhammed do të ndëshkohen në kuadër të ligjit ndërkombëtar.

Në muret e ndërtesave zyrtare në qytetet Montpellier dhe Toulouse u shfaqën karikaturat e revistës franceze satirike Charlie Hebdo me përmbajtje ofenduese kundër profetit Muhammed, për të “përkujtuar” mësuesin që u vra të cilit iu pre koka javën e kaluar në rajonin Conflans-Sainte-Honorine në afërsi të Parisit.

Në deklaratën e tij, Macron tha se nuk do të heqin dorë nga publikimi i karikaturave kundër profetit Muhammed.