Zëdhënësi i Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Adnan Abu Hasna, ka deklaruar se Izraeli po ndalon hyrjen e rreth 6,000 kamionëve që ndodhen në pritje në kufijtë e Rripit të Gazës, të cilët përmbajnë sasi ushqimore të mjaftueshme për tcë ushqyer popullsinë e Gazës për gjashtë muaj.
Sipas tij, kamionët mbartin gjithashtu qindra mijëra tenda dhe pajisje strehimi, të domosdoshme për banorët që po përballen me motin e ftohtë të dimrit që po afrohet.
“Ajo që lejohet të hyjë është një numër shumë i kufizuar kamionësh që mbartin mallra tregtare, ndërkohë që 95% e banorëve të Gazës varen nga ndihmat humanitare dhe nuk kanë mundësi të blejnë produkte në treg,” – theksoi Abu Hasna.
📉 Të dhënat zyrtare: ndihmat e kufizuara nuk mjaftojnë
Sipas Zyrës së Medias së Qeverisë në Gaza, që prej nisjes së armëpushimit e deri në mbrëmjen e djeshme, vetëm 986 kamionë janë lejuar të hyjnë në Gaza nga 6,600 që ishte rënë dakord të hynin sipas marrëveshjes së armëpushimit.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë lejuar vetëm 14 kamionë me gaz për gatim dhe 28 kamionë me naftë (sollar), pavarësisht mungesës së rëndë të karburanteve dhe materialeve jetike si pasojë e rrethimit dhe agresionit të vazhdueshëm izraelit.
📢 Thirrje për veprim urgjent ndërkombëtar
Autoritetet palestineze theksojnë se sasitë e kufizuara të ndihmave nuk plotësojnë as minimumin e nevojave të banorëve, dhe kërkojnë lejimin e hyrjes së të paktën 600 kamionëve në ditë për të siguruar ushqim, ilaçe dhe karburant për funksionimin e spitaleve dhe infrastrukturës jetike.
Në deklaratë thuhet gjithashtu:
“Ne jemi plotësisht të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet ndërkombëtare për të garantuar hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmave në të gjitha provincat dhe objektet thelbësore, në mënyrë që të mbështesim popullin tonë që po përballet me një krizë humanitare katastrofike.”
