11.2 C
Pristina
Monday, May 27, 2024

Kosovë, serbët vendosin të largohen nga Qeveria, Kuvendi dhe të gjitha institucionet në veri të vendit

Më të lexuarat

Në një takim të mbajtur në Komunën e Zveçanit, dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial në veri

Partia parlamentare Lista Serbe e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka marrë vendim që të largohet nga institucionet qendrore dhe nga komunat në veri të vendit të banuar me shumicë serbe, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një takim të mbajtur në Komunën e Zveçanit, dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial në veri.

Pas takimit kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka bërë të ditur se është vendosur që serbët të largohen nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi si dhe nga të gjitha institucionet tjera në veri të Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në katër komunat në veri të Kosovës. Këto vendime për largimin dhe pezullimin e institucioneve mbeten në fuqi deri në momentin kur Prishtina do të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”, tha Rakiq.

Rakiq më pas tha se është konstatuar në mbledhje që vendimi i tyre të mbetet në fuqi derisa Prishtina të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të paligjshme për riregjistrimin e targave të automjeteve dhe derisa ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen në Bruksel dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të dala nga dialogu Kosovë-Serbi.

Rakiq i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës tha se serbët nuk po e kërcënojnë askënd, por, po e ruajnë dinjitetin e tyre, derisa zyrtarisht deklaroi edhe dorëheqjen nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës.

Po ashtu, nënkryetari i partisë Lista Serbe, Igor Simiq njoftoi dorëheqjen nga mandati i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në emër të 10 deputetëve serbë.

Gjyqtari Nikola Kabasiq dorëzoi dorëheqjen në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut dhe nga Gjykata e Apelit.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq ka dhënë dorëheqje në emër të të gjithë kryetarëve dhe këshilltarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndërsa po ashtu edhe Aleksandër Filipoviq ka dhënë dorëheqje në emër të pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, ku më pas policët e pranishëm në mënyrë demonstrative hoqën uniformat e Policisë së Kosovës.

Dorëheqja e Listës Serbe nga institucionet kosovare vjen pas vendimit tre-fazësh të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave ilegale në ato “RKS” si dhe pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e vendimit të lartcekur të Qeverisë.

Gjuriq tha para suspendimit se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë vetura me targa ilegale.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.
/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit