15.2 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

“Kavaja” dhe leximi i keq i Pinokut

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Hunda e rritur e Pinokut pas çdo gënjeshtre është vetëm njëri aspekt i librit të famshëm të shkrimtarit dhe filozofit italian Karlo Kolodi. Në fakt, hunda e Pinokut është veç pjesa e dukshme për botën dhe për atë që bota i sheh dhe e komenton shpesh me nxitim, ndërkohë që arti i madh i Kolodit është jo hunda që rritet nga gënjeshtrat, por rrugëtimi që i duhet Xhepetos për të rritur dhe edukuar Pinokun me dashurinë e madhe dhe guximin për t’ia dalë mbanë. Pinoku vjen si një dëshirë e thellë e Xhepetos, ashtu siç vijnë përgjithësisht fëmijët në këtë botë, si një dëshirë dhe ëndërr e prindërve. Xhepetos i mjafton druri i gdhendur gjithë dashuri, ashtu siç në fakt duhet të gdhenden gjithë dashuritë. Ai është i mahnitur teksa sheh Pinokun të flasë. Ai e ndjek kudo, jep gjithçka për të dhe e fal, siç bëjnë apo duhet të bëjnë në të vërtetë prindërit.

Por shumë nga ata që vijojnë t’ua lexojnë fëmijëve, vijojnë të vënë theksin te hunda e rritur e Pinokut pas gënjeshtrave, duke harruar se ç’duhet t’u thonë fëmijëve për kurthet e pafundme që u dalin përpara lidhur me marrëdhëniet me të tjerët, me lojën e përhershme të jetës dhe me dëshirën për t’u bërë i pasur apo i famshëm me çdo kusht. Dhe shumica e prindërve habiten se si fëmija i tyre nuk arriti t’i përballonte këto kurthe joshjeje, që sot çdo fëmije i vijnë çdo ditë përpara syve në formë spektakli, fame apo dëshire për t’u bërë i pasur, në një kohë sa më të shpejtë. Madje, edhe më keq janë ato raste kur mjaft prindër shihen duke i mbështetur në këtë dëshirë spektaklesh dhe fame fëmijët e tyre, pa u kujdesur aspak se në këtë udhëtim është e rëndësishme të kalosh mes disa vlerave njerëzore.

Edhe ngjarjen e Kavajës, shumë nga komentuesit u rreshtuan ta shohin si hunda e Pinokut, duke akuzuar herë vajzën e mitur se ishte dhënë pas dashurisë e herë djemtë e mitur, ndërkohë që u diskutua fare pak ose aspak roli i humbur prej kohësh i prindit në edukimin që duhet të ketë një fëmijë. Mjafton të kujtojmë faktin se një nga prindërit e një prej djemve të arrestuar u mundua që të justifikonte të birin me faktin se ai “vetëm e kishte puthur” vajzën, duke harruar që, edhe sikur vetëm ta kishte parë atë skenë apo ta kishte ditur atë histori e nuk e kishte rrëfyer, ai fëmijë apo kushdo qoftë, është në njëfarë mënyre pjesëmarrës në krim – në një krim që ka nevojë për shumë lexime nga ne si shoqëri. Dhe ai prind, bashkë me prindërit e tjerë, më parë se gjithçka duhet t’u kërkojnë ndjesë vajzës dhe prindërve të saj e jo të justifikojnë fëmijët e tyre. Ndaj, ajo ngjarje ka nevojë për një lexim nga të rriturit, që merren me “hundën e zgjatur në kokë apo mes këmbëve” dhe harrojnë se ata fëmijë kanë prindër dhe kanë mësues, që duhej të kishin diskutuar shumë e shumë herë lidhur me atë që duhet të dinë fëmijët lidhur me tjetrin, me atë që nuk duhet të bëjnë kurrë në jetë, qofshin të rritur apo fëmijë e në çfarëdo rrethane që të jenë.

Por në fakt, sa prindër flasin sot me fëmijët e tyre për çështje të ndryshme të moshës apo të marrëdhënieve në shoqëri? Sa nga prindërit u tregojnë fëmijëve të tyre disa nga kufijtë që nuk duhet të thyejnë kurrë. Sa nga mamatë u flasin djemve të tyre se si duhet të sillen me shoqet e tyre, me vajzat që nesër do t’i kenë shoqe në jetë? Dhe për këtë gjendje apo histori që ndodh në shkollat shqiptare, nuk ka pse të kthejmë sytë vetëm nga roli i mësuesit, sepse më parë se gjithçka, një prind është një pasqyrë e asaj që mëson çdo fëmijë brenda mureve të shtëpisë.

Pa dyshim që vlen të shqetësohemi edhe për fatin e atyre fëmijëve, të cilët pas kësaj historie do t’i kenë rrugët gjithnjë e më të ngushta në fatin e tyre për t’u rikthyer në jetën normale, pasi shoqëria shqiptare ka treguar se nuk është shumë e gatshme të mirëpresë ata që e kanë humbur një herë rrugëtimin. Por ky është një problem tjetër që meriton vëmendjen e psikologëve dhe sociologëve, të cilët duhet të shtrojnë përpara shoqërisë nevojën e përgjigjeve lidhur me rastet, kur dikush ka nevojë për ne pas një gabimi në jetë.

Gjithsesi, tani për tani vlen vetëm të theksojmë se historia e mrekullueshme e Kolodit është lexuar dhe duhet lexuar si një himn për artin e madh të dashurisë që shfaq Xhepeto për të birin, për të guxuar të udhëtojë deri në barkun e balenës e jo për të gjetur momentet e rritjes së hundës së fëmijës, të cilën medoemos duhet ta kemi parasysh, por jo qëllim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit