Ka ardhur koha që perëndimi të marrë pozicion lidhur me Sirinë duke hequr embargon e armëve

Më të lexuarat

Nga: Wadah Khanfar

Ka ardhur koha që perëndimi të marrë pozicion lidhur me Sirinë duke hequr embargon e armëve

Politika e perëndimit në Siri, për të mos lejuar asnjë palë që të fitojë, e ka forcuar Asadin dhe ka krijuar xhihadizmin.
Revolucioni sirian ka hyrë  në vitin e tij të tretë. Sipas përllogaritjeve 70 000 njerëz janë vrarë, me qindra mijëra janë plagosur, 1 milion janë tashmë refugjatë dhe një brez i tërë ka humbur mes dhunës. Megjithatë, më e keqja pritet ende që të vijë. Nëse regjimi i Asad nuk rrëzohet së shpejti, konflikti do të përhapet në të gjithë rajonin, nga Basra në brigjet e gjirit të Bejrutit dhe deri në bregdetin e Detit Mesdhe.
Britania dhe Franca kanë shprehur qëllimet e tyre për të armatosur rezistencën siriane si dhe për të hequr embargo evropiane të  armëve. Gjithsesi, një pjesë e madhe në opozitën siriane beson se kjo nuk është e mjaftueshme, edhe pse është pjesë e një strategjie të qartë për të përmbysur regjimin e Asadit.
Qasja perëndimore, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka arritur të realizojë vetëm  një ngërç ndërmjet rebelëve dhe regjimit deri më tani. Përdorimi i fundit i raketave Skud nga ana e regjimit, si dhe furnizimi i vazhdueshëm me armë nga Rusia dhe Irani, e ka ndryshuar balancën mes rebelëve dhe regjimit në favor të kësaj të fundit. E parë në këtë dritë, lëvizja e fundit e britanikëve dhe francezëve është thjesht një përpjekje për të ribalancuar konfliktin, si dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë perëndimore për të përdorur ngërçin në kuadër të detyrimit të palëve për të arritur një zgjidhje paqësore.  Kjo nuk do ta çojë drejt fundit dhunën, dhe as nuk do të sjellë  një zgjidhje sa më të shpejtë. Në të vërtetë, viti i tretë i revolucionit sirian do të shohë tashmë me siguri, një ndryshim të krizës: kjo është pjesë e tërësisë së  bërjes së një konflikti ndër-kufitar duke paraqitur kështu sfidën më të madhe për stabilitetin e rajonit qysh prej konturimit të kufijve aktual pas Luftës së Parë Botërore.
Kriza mund të përhapet fillimisht në Liban, i cili kufizohet me Sirinë. Lojtarët e brendshëm politik  të tij, janë të përfshirë tashmë në konflikt; kur Hezbollahu mbështeti regjimin e Asadit politikisht dhe logjistikisht, ndërkohë që partitë e tjera libaneze ofruan mbështetjen e tyre për revolucionarët.
Megjithatë, zhvillimi më vdekjeprurës, do të jetë nëse konflikti do të prekë Irakun. Sapo janë shfaqur shenjat e këtij konflikti, duke përfshirë konfliktin politik mes regjimit shiit të Nuri al Maliki, i cili është mbështetës i regjimit të Asad, provinacave të dominuara nga sunitët, si dhe rajonin kurd të Irakut. Për më tepër, që protestat që kanë kaluar tre  muajt e fundit në zonat sunite kanë arritur një qorrsokak , pasi Maliki nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre. Kjo ka çuar në një raund tjetër të dhunës së përgjakshme, në të cilën kriza siriane do të përbëjë një zgjerim të natyrshëm.
Iraku, I cili ende nuk është shëruar nga plagët e luftës civile që po e shqyen atë që  pas pushtimit amerikan, do të përjetonte një konflkikt sektarian në territoret e tij në nivele të papara. Kjo do ti çonte gjithashtu vendet fqinje si, Irani, Turqia dhe vendet e gjirit arabik, në konflikt, pasi lufta mbi Irakun nuk do të ishte vetëm për burimet e tij të naftës, por në lidhje me shpirtin e vërtetë të Lindjes së Mesme. Ajo çka ndodh këtu do të përcaktonte balancën e fuqisë rajonale si dhe rishikimin e  hartës politike.
A mund të shmanget ky skenar? Kjo varet nga mënyra se si  do të veprojnë forcat rajonale dhe ndërkombëtare në muajt e ardhshëm. Shtetet e Bashkuara duhet të ripërcaktojnë prioritetet e tyre për të lejuar rebelët për të përmbysur regjimin. Megjithëse ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake nuk është e mirëpritur, perëndimi nuk duhet të ndalojë furnizimin e armëve për revolucionarët.
SHBA-të e kanë justifikuar këtë ndalim në mënyra të ndryshme: frika ndaj kaosit post-Asad, mundësia në rritje e ardhjes  në pushtet të islamikëve, fakti se Siria është një fqinj i Izraelit dhe se armët mund të përfundojnë në duart e xhihadistëve. Por ky hezitim ka qenë shkatërrimtar për objektivat e SHBA-së. Për shkak të frikës së saj për terrorizmin potencial, ajo dështoi ta rrëzonte regjimin në kohën kur revolucioni ishte krejtësisht i mënjanuar nga ndikimi i AL-Kaedës apo ndonjë grupi tjetër xhihadist. Hezitimi amerikan çoi që revolucioni të bënte  atë që Shtetet e Bashkuara u frikësoheshin më shumë: ajo ishte një profeci e vetë-përmbushur.
Ndjenja e sigurisë relative nga ana e regjimit të Sirisë, çoi në përshpejtimin e dhunës kundra civilëve. Në përgjigje të kësaj dhe në kuadër të ngurrimit ndërkombëtar për furnizimin me armë të Ushtrisë së moderuar të Lirë Siriane, u rritën elementët xhihadistë. Ne jemi duke u përballur tashmë me shfaqjen e grupeve të tilla si Fronti Al-Nusra, të cilin kohët e fundit SHBA e shtoi në listën e grupeve terroriste. Ky ishte një gabim, pasi shpërqendroi komunitetin ndërkombëtar dhe fuqitë rajonale nga prioriteti i përmbysjes së regjimit, dhe në vend të kësaj i drejtoi ato në luftimin e xhihadistëve. Ndërkohë, që Fronti Al Nusra përfitoi nga klasifikimi amerikan i saj dhe është bërë më e fuqishme.
Mungesa e një strategjie të qartë për tu marrë me krizën siriane ka dërguar mesazhe kontradiktore ndaj vendeve të rajonit. Disa, të frikësuar nga “Rreziku Islamik”, kanë armatosur grupet e vogla sekulariste, edhe pse shumica e grupeve efektive në arenë janë përgjithësisht islamikë, tashmë kemi opinione konfliktuale rreth çështjes se kush duhet të furnizohet me armë dhe se kush duhet të përmbahet. Deri më tani, përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar e kanë forcuar dorën e Asadit, kanë mbjellë konfuzion, dhe i kanë udhëhequr revolucionarët drejt ekstremizmit.
 
Marrë nga The Guardian
 
Përktheu: Ervin Hakorja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit