20.8 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

Islamofobët “shqiptarë”

Më të lexuarat

Sali Shasivari

Tashmë vite me rradhë, disa individë kontroverz po e ‘infektojnë’ shoqërinë shqiptare në tërësi, si dhe opinionin publik shqiptar në veçanti, duke e rrezikuar indin ekzistues të kësaj shoqërie si dhe harmoninë dhe bashkëjetesën e kultivuar për shekuj me rradhë.

Këta anonimusë të dikurshëm, falë disa platformave palo-mediatike, e në veçanti disa portaleve (lexo: partalleve), arritën që idetë e tyre shterpe t’i shesin për teori, duke e imponuar vehten si opinionistë, analistë e çka mos qametizmi tjetër, si dhe duke pretenduar se e vërteta absolute dhe e drejta e pakontestueshme qëndron në anën e tyre, dhe se, të gjithë duhet dëgjuar dhe ndjekur ata.

Këta neo-inkuizicionistë vënë në dyshim qëllimet dhe veprimtarinë e gjithkujt tjetër që nuk mendon si ata, duke i akuzuar të gjithë për mercenarë dhe bashkëpunëtorë. Për më tepër, ata pretendojnë se janë posedues të vlerave absolute si dhe shpëtimtarë të këtij populli, dhe se, çdokush tjetër që beson, mendon dhe vepron jashta ‘kallëpeve’ të njëmendësisë së tyre, duhet anatemuar, luftuar dhe linçuar; e gjithë kjo, nën maksimën ‘Nëse nuk mendon si unë, je kundër meje, kundër Perendimit, kundër civilizimit, etj.’

Në saje të hapsirës që ju u dha dhe promovimit që iu bë këtyre personave shpirtngushtë dhe shpirtshitur, si dhe për shkak të vëmendjes dhe kujdesit që iu kushtua të njejtëve, ata, nga askushi u bënë dikush, duke e vënë vehten e tyre në pozitën e arbitrit dhe gjykatësit absolut ndaj popullit në tërësi, në stilin ‘Unë jam populli’. Madje, kryelartësia dhe idiotizmi i tyre nuk mjaftoi me kaq, por ata morrën guximin që të përbaltin dhe nënçmojnë vlerat më madhore dhe më sublime që i ngërthen në vehte ky popull, duke imponuar kujdestari ndaj tërë kombit si dhe vlerave të tij.

Këta misionarë, ndonëse në shikim të parë duket se operojnë si ‘ujq të vetmuar’, realiteti është se, ata janë të koordinuar mirë nga qarqe tashmë të njohura; dhe se, si mercenarë të vërtetë që janë, ata e hedhin gurin dhe e fshehin dorën e cila i lëvizë porsi kukulla teatri.
Profili i tyre, aq sa është i lehtë për t’u përshkruar, i njejti është tejet kompleks dhe i ndërlikuar për t’u deshifruar dhe kuptuar.

Për nga identiteti dhe përkatësia, ata duket të jenë hibrid dhe konfuzë; për nga profili psikologjik, ata janë skizofrenik dhe histerik; për nga profili “akademik”, ata janë imitues, plagjiatorë dhe “gjithologë”; e, sa për qëndrimet dhe debatet e tyre, më pak që mund të thuhet është se, ato janë tejet infantile, të pabaza, pa argumente, joparimore, jokonzistente, përjashtuese dhe nënçmuese.

Përskaj gjuhës së tyre jashtëzakonisht të ulët dhe me elemente të huaja, si dhe përskaj jo-rrjedhshmërisë së ideve dhe mendimeve që i shprehin, qëndrimet, bisedat dhe shkrimet e tyre kanë shijen e urrejtjes deri ne histeri, të pavërtetave dhe ëndërrallave deri ne shkallë të halucinacioneve, të shpifjeve historike dhe shkencore deri në nivel të përrallave dhe mitologjisë; me një fjalë, ato, përpos demagogjisë dhe propagandës së rrejshme, nuk kanë kurrfarë sensi dhe përmbajtje.

Bisedat dhe shkrimet e tyre nuk kanë prolog, përmbajtje dhe epilog; bile-bile, e ke vështirë të kuptosh se për çka e kanë fjalën dhe çka dëshirojnë të arrijnë!? Madje, nuk mund të kuptosh dot se çfarë kundërshtojnë dhe kë e urrejnë!? Ata fillojnë me urrejtje ndaj Erdoganit, kalojnë tek urrejtja ndaj Turqisë e turqve, e mëpastaj osmanlinjve, arabëve, muslimanëve, shqiptarëve që nuk mendojnë si ata, etj.; vështirë se mund të shpëtojë njeri, entitet apo gjësend nga ‘vjellania’ e tyre plotë vrerë, helm dhe urrejtje. Në këtë mënyrë, ata, paradite urrejnë gjithë botën, ndërsa pasdite urrejnë edhe vetvehten!
Kjo lloj qasje absurde, mbi të gjitha, nxjerr në pah personalitetin e tyre të trazuar, si dhe është projeksion i komplekseve, dyshimeve dhe djallëzisë që e ngërthejnë në vehte këta persona. Së këndejmi, po të ju bëhej një test i thjeshtë psikologjik (përmes cilësdo metodë projektive) personave të këtillë, do të dilnin në pah frustracionet dhe çrregullimet e tyre të brendshme, të cilat mundohen t’ia mveshin gjithë shoqërisë shqiptare!

Për dallim nga analistët dhe opinionistët e botës së civilizuar, ku, çdo analist është i profilizuar në një sferë të caktuar, këta idiotë provincial, si “gjithologë” që janë, ata nuk lënë sferë të njohjes dhe aktivitetit njerëzorë ku nuk e futin hundën. Kështu, ata i gjen “ekspertë” në të gjitha disiplinat dhe fushat shkencore! Ata nuk ngurrojnë të flasin dhe “analizojnë” mbi çështjet e kulturës dhe civilizimit njerëzor në përgjithësi si dhe atij Perendimor dhe Lindor në veçanti; madje, në lidhje me nocionin komb dhe fe; në lidhje me rrjedhat politike dhe gjeostrategjike kombëtare, rajonale dhe botërore; në lidhje me fetë dhe ideologjitë botërore; në lidhje me Islamin, islamin politik dhe lëvizjet islame; në lidhje me çështjet dhe problemet shoqërore, ekonomike dhe politike; në lidhje me terrorizmin global dhe çështjet e sigurisë, etj. Me një fjalë, ata – dhe vetëm ata – dijnë gjithçka, ndërsa, gjithkush tjetër duhet të heshtë, të dëgjojë dhe të ndjek instruksionet dhe diktatet e tyre.

Ajo që është edhe më ironike, është fakti se, këta demagogë, ndonëse aktrojnë se janë ithtarë të demokracisë dhe lirive personale, fjalët e tyre helm, si dhe retorika e tyre përjashtuese dhe nënçmuese, është antipodë e gjithçkahit që është kulturë dhe civilizim, dhe se, e njejta retorikë, përmban një dozë të madhe të mentalitetit inkuizicionist mesjetar. Më pak që mund të thuhet për këta cuba, është fakti se, ata janë injorantë, ekstremë, nxitës të urrejtjes si dhe avokatë të dreqit, dhe se, në një shoqëri normale demokratike, diletantë të këtillë gjykohen dhe dënohen nën aktakuzën për diskriminim si dhe nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Këta islamofobë janë katandisur të shkaktojnë përçarje, konflikt dhe “luftë” vëllazërore në mes shqiptarëve (pjestarë të konfesioneve të ndryshme). Kështu, ata, në një anë shtiren se janë për kultivimin e tolerancës ndërfetare, ndërsa, në anën tjetër predikojnë dhe promovojnë ide dhe qëndrime të skajshme fashiste, duke nënçmuar dhe përbaltur pjestarët e konfesionit shumicë të këtij populli, të cilët janë më meritorët për një tolerancë dhe harmoni të këtillë.

Kjo sjellje dhe ky qëndrim kontradiktor, po aq sa është tendencioz, i njejti është shumë i shëmtuar dhe djallëzor. Për më tepër, veprimi në fjalë, përpos që përmban në vehte dozë të madhe të blasfemisë dhe nihilizmit, ai, në rastin shqiptar, përbën akt vetëdestruktiviteti dhe tradhëtie!

Nuk ke se si e kupton, definon apo klasifikon ndryshe përbaltjen, sulmin dhe shpifjet që i bëjnë këta ‘hiça’ dhe mendje të sëmura ndaj fesë dhe traditës së pjesës dërrmuese të popullit shqiptar (të cilit pretendojnë se i takojnë), përpos se në prizmin e skizofrenisë, si çrregullim mental, i karakterizuar me sjellje shoqërore jonormale.
Këta shpirtngushtë dhe shpirtshitur janë të zëshëm dhe kritik ndaj gjithkujt, përpos ndaj armiqve të vërtetë, kriminelëve të dëshmuar, si dhe gjithë atyre që e sollën popullin tonë në gjendjen e mjeruar në të cilën është; kjo, ngase, ata janë pjesë e këtyre klikave!
Në saje të kësaj që u tha, është i pashmangshëm konstatimi se, fjalët, bisedat, shkrimet, retorika dhe agjenda e tyre i bëjnë dëm të madh popullit shqiptar. Madje, edhe po të pre-supozojmë se ata nuk janë dorë e zgjatur e qarqeve antishqiptare, më pak që mund të thuhet është fakti se, sjelljet dhe veprimet e tyre shkojnë në ‘mullirin’ e atyre të cilët nuk ia duan të mirën këtij populli.
Andaj, po qe se kësaj çmendurie nuk i thuhet ‘stop’, ne, si komb, rrezikojmë të rrëshqasim në staza të rrezikshme, me pasoja të paparashikueshme.
Së këndejmi, përgjegjësia e ‘stopimit’ të kësaj ‘vjellanie’ bie mbi të gjithë ne si individë dhe shoqëri.

Si hap i parë preventiv në këtë drejtim do të ishte injorimi i plotë i këtyre individëve kontroverz, edhe atë, përmes mos-promovimit dhe mos-afirmimit të tyre, si dhe bojkotimit të bisedave, shkrimeve dhe qëndrimeve të tyre. Ndërsa, si hap i dytë kurues do të ishte refuzimi, demantimi, kundërshtimi, gjykimi dhe dënimi i ideve dhe qëndrimeve të tyre; e gjithë kjo, në funksion të ‘dezinfektimit’ të kësaj ‘vjellanie’ të dëmshme për shëndetin mental si dhe për mirëqenien dhe harmoninë shoqërore të kombit tonë në të tashmen dhe të ardhmen.

Read more: http://www.tetova1.com/2017/07/03/islamofobet-shqiptare/#ixzz4mHoTR0mJ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit