9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Islami edukon liderë apo vasalë

Më të lexuarat

Dr. Tarik Suvejdan

Në ditët e sotme flitet shpesh rreth rolit të Islamit në kalitjen personaliteteve. Sidomos në kohën e prapambetjes, tema të tilla na ofrohen për konsum nga persona dashakeqë të cilët synojnë ti japin goditjen përfundimtare kësaj feje madhështore. A edukon dhe kalit islami liderë, apo prodhon vetëm vasalë dhe kokulur?

Ajo që duket qartë për çdo studiues, është se Islami është një metodologji që bazohet mbi kredo dhe vlera. Ai e orienton njeriun drejt realitetit të jetës së kësaj bote, drejt besimit dhe sjelljeve të drejta. Sakaq, karakteri i fortë, siç e kam thënë dhe herë të tjera, mund të haset tek besimtari dhe jobesimtari. Thotë profeti Muhamed a.s:”Njerëzit janë si një tufë me njëqind deve, ku mezi gjen një deve të përshtatshme për udhëtim.” (Buhari)

Devenë e përshtatshme për udhëtim, Profeti a.s e ka quajtur “rahile”, e cila është e fuqishme, e shpejtë dhe haset rrallë mes species së deveve. I tillë është dhe njeriu që gëzon cilësi dhe tipare lideri mes njerëzve. Atë nuk e has kollaj mes tyre, në fakt janë tepër të rrallë.

Duke studiuar jetëshkrimin e profetit Muhamed a.s, gjejmë se numri i shokëve të tij të cilët u përmendet emri në histori janë diku tek dy mijë e pesëqind syresh. Kjo, edhe pse vetëm gjatë haxhit të lamtumirës, numri i myslimanëve që e shoqëruan Profetin a.s ishte mbi njëqind mijë.

Mes atyre që braktisën islamin pas vdekjes së Profetit a.s, kishte të tillë që kishin qenë liderë para islamit, gjatë islamit dhe pasi e braktisën atë, siç ishte rasti i Amr ibnu Madij Kereb dhe Tulejha El-esedij. Ashtu siç gjejmë sahabe tepër të devotshëm, si Ebu Dherri Zoti qoftë i kënaqur me të, të cilët as u njohën dhe as e ushtruan ndonjëherë lidershipin. Kjo, edhe pse Ebu Dherri kishte aftësi të rralla propagandistike dhe edukative me njerëzit. Por kjo nuk e bënte të aftë të ushtrojë rolin e liderit, gjë e cila na ndërgjegjëson mbi diferencën mes një ftuesi të suksesshëm dhe një lideri të tillë. Po, kemi shumë njerëz të cilët janë mjeshtër në propagandë dhe ftesë, por nuk janë të tillë në lidership dhe anasjelltas. E megjithatë, të dy janë të nevojshëm për umetin.

I dërguari i Allahut a.s prodhoi dhe edukoi liderë dhe ushtarë, secili sipas aftësive me të cilat e kishte pajisur Zoti.

Myslimanët që jetuan në kohën e Profetit a.s mund ti ndajmë në tre kategori:

1 – Ata që gëzonin tipare lidershipi që para Islamit, tipare të cilat i konsoliduan më shumë pas islamit. Pasi përqafuan islamin, ata i kalitën, ushtruan dhe orientuan drejt kontributit social këto tipare lideri. I tillë ishte Umer ibnul Hattabi, Halid ibnul Velidi, Amr ibnu Ebi Vekkas, Ikrime ibnu Ebi Xhehl dhe të tjerë.

2 – Ata të cilët nuk kishin tipare lidershipi. Profeti Muhamed a.s i orientoi energjitë e tyre drejt kontributit propagantistik, edukimit, përhapjes së dijeve etj… secili sipas aftësive përkatëse. Kështu, ata dhanë kontribut të madh, siç kemi rastin e Ebu Dherrit, Abdullah ibnu Mesudit etj…

3 – Ata që u lindën në islam dhe jetuan mes myslimanëve. Këta, Profeti a.s i edukoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe i orientoi duke kultivuar tek ta tiparet e lidershipit. Kështu, ata u shndërruan në liderë të mëdhenj, siç kemi rastin e Hasanit dhe Husejnit, Abdullah ibnu Zubejrit etj… Sakaq, Abdullah ibnu Abasi u promovua si ftues dhe dijetar.

Profeti Muhamed a.s i rrënjosi cilësitë e lidershipit tek ata individë të cilët kishin prirje të tilla. Ndërkohë, ata të cilët Zoti nuk i kishte pajisur me cilësi të tilla, u orientuan drejt një aktiviteti tjetër që përkonte me natyrën e tyre dhe ku mund të jepnin kontribut të vyer.

Interesi që Profeti a.s tregoi me disa fëmijë, ishte faktor i rëndësishëm për zhvillimin e talenteve dhe tipareve të lidershpit tek ta. Kështu, ata u bënë liderë të shquar dhe fituan simpatinë njerëzve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit