Hipokrizia dhe lidhja me dynjanë: pasqyrë e një zemre që harron përjetësinë

Më të lexuarat

Hyrje

Në çdo epokë dhe çdo shoqëri, njerëzimi përballet me një ndarje të heshtur, por të thellë: mes atyre që jetojnë për të përjetshmen dhe atyre që lidhen pas përkohshmërisë.
Kjo ndarje nuk është çështje e pasurisë apo pozitës, por e zemrës  një zemër që ose i përket qiellit, ose mbetet rob i tokës.
Kështu, përshkrimi kuranor i munafiqëve (hipokritëve) mbetet i përjetshëm:
një kategori njerëzish që e masin jetën vetëm me logjikën materiale, e që u ikin çdo sakrifice në rrugën e Zotit.

 

Hipokrizia si lidhje me materien

Një nga tiparet më dalluese të hipokritëve – në të kaluarën dhe në të tashmen – është lidhja e tyre e plotë me dynjanë dhe frika e tyre nga çdo humbje që s’kthehet në përfitim të menjëhershëm.
Ata i gjykojnë ngjarjet, njerëzit, madje edhe besimin, përmes syrit të interesit dhe arsyes së ftohtë.
Kur humbin diçka në rrugë të Zotit, e quajnë çmenduri; kur dikush sakrifikon, e shohin si humbës.
Pikërisht këtë logjikë e përshkruan Kurani në fjalët e tyre:

“Sikur të kishin qenë me ne, nuk do të kishin vdekur e as nuk do të ishin vrarë.”
“Ata që u thanë vëllezërve të tyre, ndërkohë që vetë qëndruan mënjanë: ‘Sikur të na dëgjonin ne, nuk do të ishin vrarë.’”

Në këto fjalë nuk fshihet vetëm një frikë njerëzore — por një filozofi jetese që e lidh shpirtin me tokën dhe ia mbyll dyert e qiellit.

 

Një ligj shpirtëror: sa më shumë nënshtrimi ndaj dynjasë, aq më pak dritë në zemër

Ky është një ligj i natyrshëm i shpirtit:
sa më shumë të rritet hipokrizia, aq më fort shtrëngon dynjaja zinxhirët e saj.
Njeriu fillon të jetojë për përfitime, për dukje, për rehati — dhe harron se çfarë e pret përtej.
Në këtë fazë, arsyeja bëhet shërbëtore e frikës, dhe zemra pushon së qeni pasqyrë e besimit.

Në të kundërt, besimtari i vërtetë e sheh jetën si udhëtim, jo si vendqëndrim.
Ai nuk i numëron frymët, por vlerën që ato mbartin; nuk mat humbjen me pasuri, por me ndarjen nga Zoti.
Për të, vdekja nuk është fund, por kalim.
Dhe për këtë arsye, besimi në botën tjetër është një prej cilësive më të ndritshme të zemrës së sinqertë.

 

Besimi në botën tjetër – dritë që i jep kuptim durimit

Të besosh në botën tjetër nuk do të thotë të pranohet një ide —
do të thotë ta jetosh për të.
Kur ky besim bëhet realitet në zemër, ai i jep kuptim durimit, forcë qëndresës, dhe qetësi në kohë trazirash.
Besimtari nuk e humb veten në frikë, sepse ai e di se çdo vështirësi është rrugë drejt shpërblimit;
ai nuk i shikon njerëzit sipas pasurisë, por sipas vlerës që kanë në sytë e Zotit.

Kështu, ndërsa hipokriti i nënshtrohet arsyes tokësore që thotë “shpëto veten”,
besimtari i vërtetë dëgjon një zë më të thellë që i thotë: “Ruaj shpirtin tënd, edhe nëse humb gjithçka tjetër.”

 

Përfundim: një thirrje për zemrat e lidhura me qiellin

Në fund, çdo njeri bart një pasqyrë brenda vetes:
disa pasqyrojnë dritën e përjetësisë, të tjerët hijen e lakmisë.
Njeriu i sinqertë nuk është ai që s’gaboi kurrë, por ai që nuk e la dynjanë ta zëvendësojë botën tjetër në zemrën e tij.

Nëse sheh rreth e rrotull me sy të ndriçuar nga besimi, do ta dallosh këtë të vërtetë:
ata që jetojnë për Zotin janë të lirë edhe në burg,
ndërsa ata që jetojnë për dynjanë janë robër edhe në pasuri.

E siç thotë Kurani me një thirrje që s’ka humbur kurrë forcë:

“Ju jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë.”

Ahmed Es-Sejjid
Përshtati: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit