Gaza mbi ndërgjegjen tonë

Më të lexuarat

Kolumnë e Zvezdan Georgievski

Diku në mes të këtij muaji, Kombet e Bashkuara, për herë të parë në histori, shpallën gjendje urie në Lindjen e Mesme. Në Gaza. Organizata botërore shpesh (dhe me të drejtë) paralajmëron për katastrofa humanitare ekzistuese dhe të mundshme anembanë botës, por shumë rrallë shpall gjendje urie, siç ndodhi në rastin e Gazës.

Gjendja e urisë, në fakt, është faza e pestë, e fundit dhe më e rënda në shkallën e iniciativës globale Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC). Sipas kritereve strikte të IPC, gjendja e urisë shpallet kur të paktën 20 për qind e popullsisë nuk ka kurrfarë qasje në ushqim, pastaj të paktën 30 për qind vuajnë nga kequshqyerja akute, dhe kur nga uria vdesin përditë të paktën dy veta në dhjetë mijë banorë.

Statistika e zezë

Që nga formimi i saj në vitin 2004, IPC deri më tani ka shpallur gjendje urie në pesë raste, përfshirë edhe këtë në Gaza. Në vitin 2011, kjo gjendje u shpall në Somalinë Jugore, kur u vlerësua se 490 mijë banorë në këtë rajon u prekën drejtpërdrejt nga mungesa e ushqimit. Rastet e tjera u shpallën në 2017, 2020/21 dhe në vitin 2024, të gjitha në rajone të ndryshme të Sudanit Jugor.

Sipas raportit të IPC, në Gaza, deri më 15 gusht, në fazën e pestë gjenden 514 mijë njerëz, dhe vlerësohet se deri në fund të shtatorit ky numër do të rritet në 641 mijë banorë të Gazës. Ndër ta janë madje 132 mijë fëmijë nën moshën pesë vjeç. Statistikat e zeza të majit të këtij viti tregojnë se 17 mijë nëna të reja, gra shtatzëna dhe gjidhënëse vuajnë nga kequshqyerja, dhe parashikimet e IPC flasin se deri në mesin e vitit të ardhshëm ky numër do të arrijë në 55 mijë.

Në maj u shënua se 71 mijë fëmijë vuajnë nga kequshqyerja akute dhe u nevojitet menjëherë ndihmë mjekësore. Përveç kësaj, çdo i pesti foshnje në Gaza lind para kohe dhe me peshë trupore shumë të ulët. Infrastrukturat shëndetësore janë pothuajse tërësisht të shkatërruara. Qasja në ujë të pastër dhe shërbime sanitare është reduktuar ndjeshëm. Niveli i sëmundshmërisë, përfshirë diarrenë, infeksionet akute respiratore, të lëkurës dhe ethet…, është rritur alarmueshëm, sidomos tek fëmijët.

Vlerësohet se 98 për qind e tokave bujqësore janë shkatërruar ose të papërdorshme, çka ka rrënuar plotësisht bujqësinë dhe prodhimin vendor të ushqimit. Nëntë nga dhjetë njerëz janë shpërngulur disa herë. Para pothuajse nuk ekzistojnë, ndërsa çmimi i ushqimit është rritur në mënyrë marramendëse.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, nga uria kanë vdekur 289 persona, prej tyre 112 fëmijë.

Sigurisht, të gjitha rastet e vdekjes nga uria janë tragjike në vetvete, por rasti i Gazës është veçanërisht monstruoz. Shkaqet kryesore të urisë masive janë konfliktet ushtarake, shkatërrimi i tokave bujqësore dhe pengesat për ndihmën humanitare. Por këtu bëhet fjalë për një urinë të qëllimshme të civilëve nga ushtria izraelite. Dhe kjo – deri në vdekje! Bllokada e ndihmës humanitare nga Izraeli është pothuajse e padepërtueshme. Edhe kur lejohet ndonjë kamion, ushtria izraelite qëllon mbi civilët që përpiqen dëshpërimisht të sigurojnë pak bukë për familjet e tyre.

Hipokrizi dhe standarde të dyfishta

Gjendja në Gaza nuk është vetëm krim lufte ose tragjedi e një populli. Është tragjedi e gjithë shoqërisë, e gjithë njerëzimit. Gaza është ilustrim i hipokrizisë së botës, i standardeve të dyfishta dhe i ndarjes së popujve në të „lartë“ dhe të „ulët“.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në fund të korrikut pranoi publikisht se në Gaza „me të vërtetë sundon uria“. Ai shpalli se SHBA do të hapë qendra të hapura për shpërndarjen e ushqimit në enklavë për të lehtësuar hyrjen e ndihmës humanitare. Dhe shtoi se SHBA tashmë ka shpenzuar (vetëm) 60 milionë dollarë për ndihmë në Gaza.

Kjo deklaratë, në nivel simbolik, ka njëfarë kuptimi, sepse mohon drejtpërdrejt kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, i cili thotë se në Gaza nuk ka uri. Ajo hap gjithashtu hapësirë për të rritur presionin ndaj Izraelit dhe e pozicionon Trumpin si një lloj „humanitari“. Por kjo është vetëm simbolikë. Në realitet, SHBA mbetet mbështetësi më i madh i politikave shkatërruese të Izraelit. Asnjë rezolutë detyruese në OKB, në Këshillin e Sigurimit, që e dënon sjelljen e Izraelit, nuk mund të miratohet për shkak të vetos amerikane.

Në këtë kuptim, edhe Kombet e Bashkuara, përkundër paralajmërimeve të zyrtarëve të tyre, nuk mund të vendosin asnjë sanksion kundër Izraelit. Edhe Bashkimi Evropian, përkundër retorikës „humanitare“ dhe presionit politik, sillet në mënyrë të ngjashme. Sanksionet (me të drejtë) janë për Rusinë, por këto standarde nuk vlejnë për Izraelin.

Thjesht, e drejta ndërkombëtare humanitare, në rastin e Izraelit, është hedhur në sirtar. Kot gjykatat ndërkombëtare, kot këshillat e sigurisë, kryqet e kuq dhe gjysmëhënat… Rregullat ndërkombëtare, ja që nuk vlejnë për këtë të përkëdhelur të komunitetit ndërkombëtar.

Zonja e Parë e Shtëpisë së Bardhë, Melania Trump, i shkruan një letër presidentit rus Vladimir Putin për lirimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer, por nuk i shkruan asnjë letër Netanyahut për t’u lejuar organizatave humanitare të ushqejnë fëmijët palestinezë. Ja, rreth një muaj më parë, bota shënoi 40-vjetorin e koncertit të dyfishtë „Live Aid“, ku u mblodh elita muzikore britanike dhe amerikane për të ndihmuar të uriturit në Afrikë.

Sot, jo vetëm që duket e pamundur një nismë e tillë për palestinezët, por edhe çdo shfaqje publike e flamurit palestinez apo mbështetje serioze për popullin palestinez ndeshet me dënim të hapur nga shumë qeveri perëndimore.

Për hir të së vërtetës, disa gjëra po ndryshojnë, si njoftimet e disa shteteve për njohjen e shtetit palestinez, por disa të tjera jo. Në këtë kuptim, furnizimi i Izraelit me armë është një histori më vete. SHBA është eksportuesi më i madh i armëve për Izraelin (69 për qind të importit). Pas saj vjen Gjermania me 30 për qind.

Gjermania këtë muaj shpalli embargo mbi eksportin e armëve që mund të përdoren në Gaza, por disa burime thonë se për të njëjtin qëllim po përdoren kanale gjysmëzyrtare dhe se Gjermania do të respektojë kontratat e nënshkruara më parë. Britania e Madhe, edhe pse jo eksportuese e madhe, dhe pavarësisht pohimit të kryeministrit të saj Keir Starmer se situata është „absolutisht e papranueshme“, duket se ende nuk heq dorë nga eksporti i armëve drejt Izraelit.

Po Maqedonia?

Maqedonia duket se është e ngopur. Që të mos them: është e nginjur. Dhe nuk i beson të uriturit. Por i beson Netanyahut. Dhe Trumpit. Ne jo vetëm që nuk e kemi ndërmend ta njohim shtetin palestinez (të njohur nga 147 nga 193 vendet anëtare të OKB-së, dhe sipas paralajmërimeve, në shtator do të jenë 150, pasi ta njohin Franca, Kanadaja dhe Australia), por me shumicë të madhe parlamentare refuzuam të miratojmë qoftë edhe një rezolutë simbolike për të apeluar që Izraeli të lejojë hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza.

Ky turp do të mbetet gjatë një barrë mbi shpatullat tona, ndërsa Gaza do të mbetet një shenjë e pashlyeshme mbi ndërgjegjen tonë dhe ndërgjegjen e botës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit