Dhuna në personalitetin sionist

Më të lexuarat

Prof. Dr. Abdel Vehap El-Mesiri**

Ka një dhunë themelore në perceptimin sionist të realitetit dhe historisë, dhe ishte e pashmangshme që ky perceptim të përkthehej në veprime dhe dhunë të armatosur për të ndryshuar realitetin dhe për të refuzuar vizionin rabinik hebraik. Për të arritur këtë synim, ishte e domosdoshme të prodhohej një “material njerëzor luftarak”, i aftë për të lëvizur historinë jo nëpërmjet Teuratit, por nëpërmjet shpatës. Kjo është ajo që sionistët e quajtën “modernizimi i personalitetit hebraik”, që nënkuptonte sekularizimin e tij dhe aftësinë për të ndryshuar vlerat e veta sipas rrethanave, duke adoptuar vlera të tipit niçean dhe darvinist, të cilat nuk kishin lidhje me vlerat morale, e as me vlerat absolute humane, etike apo fetare.

Sionistët theksojnë se judaizmi rabinik kërkonte nga hebrenjtë të prisnin me durim dhe mosnxitim kthimin e Mesias dhe të mos ndërhynin në vullnetin hyjnor, pasi kjo konsiderohej mosbesim (herezi). Por sionistët, duke refuzuar doktrinën fetare hebreje, e përshkruan këtë qëndrim si pasiv dhe kërkuan që hebreu të vepronte me të gjitha mjetet për t’u rikthyer në Tokën e Premtuar. Për David Ben-Gurionin, mërgimi do të thoshte varësi – politike, materiale, shpirtërore, kulturore e intelektuale – dhe ai kërkoi shkëputje të plotë nga kjo varësi, në mënyrë që hebrenjtë të bëhen zotër të fatit të tyre.

Dhuna, pra, bëhet mjeti me të cilin sionistët synojnë të riformësojnë personalitetin hebraik. Hebreu, në këtë vizion, ka nevojë të ushtrojë dhunë për të çliruar veten nga vetja e vet dhe nga natyra e tij parazitare dhe margjinale. Shkrimtari sionist Ben Hecht ndjente një kënaqësi të thellë sa herë që një ushtar britanik vritej, sepse, sipas tij, ai po çlirohej nga frika dhe po rilindte. Hebreu, duke kryer një akt të tillë (p.sh. duke vrarë një johebre), lirohet nga frika. Ky aspekt i mendimit sionist shfaqet qartë në librin “Revolucioni” të Menachem Begin, ku ai përmbys shprehjen e njohur të Dekartit “Mendoj, pra ekzistoj”, duke thënë: “Luftoj, pra ekzistoj”. Ai shton: “Nga gjaku, zjari, lotët dhe hiri do të lindë një model i ri burri – model i panjohur për botën – hebreu luftëtar”.

Një nga format themelore të dhunës sioniste është refuzimi i realitetit dhe historisë arabe në Palestinë, pasi qenia sioniste/hebreje ka rolin qendror në këtë realitet dhe është referenca e vetme e saj. Prandaj, sionistët përjashtojnë elementët themelorë jo-hebraikë që përbëjnë realitetin dhe historinë e Palestinës nga vetëdija, vizioni dhe harta e tyre perceptuese. Terrorizmi sionist nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të imponuar vizionin sionist mbi realitetin.

 

Sionizmi si kolonializëm zëvendësues

 

Sionizmi është një lëvizje kolonialiste zëvendësuese, që do të thotë se toka ku do të realizohej projekti sionist duhej të pastrohej nga banorët e saj vendas. Kjo mund të arrihej vetëm përmes shkallës më të lartë të dhunës dhe terrorit. Dhuna mund të jetë e drejtpërdrejtë, por edhe indirekte, përmes ligjeve dhe institucioneve të shumta. Ligji i Kthimit në Izrael është një përkthim i kësaj dhune, pasi u jep të drejtë çdo hebreu në botë të “kthehet” në Izrael kur të dojë, ndërsa këtë të drejtë ua mohon miliona palestinezëve që janë dëbuar që nga viti 1948. Edhe pse hebrejët e botës nuk duan të shpërngulen në Izrael, kurse palestinezët vazhdimisht trokasin dyert e saja.

Sionistët justifikuan kolonializmin sionist duke u mbështetur në idenë e epërsisë civilizuese perëndimore. Në këtë kontekst, imperializmi u paraqit si një mision fisnik për të sjellë qytetërimin tek popujt “primitivë”. Izraeli u paraqit si një shtet funksional perëndimor (i bardhë), një bastion i demokracisë perëndimore që mbron interesat strategjike perëndimore dhe përballet ashpër me nacionalizmin arab dhe më vonë me lëvizjet islamike.(1)

Qëllimi i përpjekjeve sioniste ishte zëvendësimi i popullsisë vendase me atë hebraike të ardhur. Transferimi që filloi në Evropë duke i zhvendosur hebrenjtë në Palestinë, përfundonte me dëbimin e palestinezëve nga shtëpitë e tyre dhe zëvendësimin e tyre.

“Kolonializmi zëvendësues” është një term që përdoret për të përshkruar një lloj të veçantë të kolonializmit, kur popullsia ardhëse (zakonisht e bardhë) synon të zhdukë ose dëbojë popullsinë autoktone, në mënyrë që të marrë kontrollin mbi tokën dhe të zëvendësojë plotësisht të parët.

Në Amerikën Latine, por veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kolonët puritanë kishin për qëllim të merrnin tokën për të krijuar një shoqëri të re. Kjo do të thoshte që dëbimi ose zhdukja e popullsisë vendase dhe zëvendësimi i saj ishte një proces i pashmangshëm.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Afrikën e Jugut, e cila deri në një periudhë të afërt ishte një shembull i qartë i këtij lloj kolonializmi. Atje, kolonët e bardhë morën në kontroll tokat më të mira dhe dëbuan vendasit prej tyre.

Megjithatë, me kalimin e kohës ndodhën ndryshime strukturore në shtetin kolonial të Afrikës së Jugut, dhe shfrytëzimi i popullsisë vendase u bë një nga objektivat politike.

Për këtë arsye, në Afrikën e Jugut lindi një formë e kolonializmit që vendoste popullsinë e zezë në zona të veçanta pune dhe qytete të izoluara (të quajtura “Bantustane”), të cilat ndodheshin jashtë qyteteve dhe zonave të bardha, por afër tyre, në mënyrë që punëtorët zezakë të mund të udhëtonin çdo ditë për të punuar në zonat e bardha.

Situata në Izrael nuk ndryshon shumë nga ajo në Afrikën e Jugut, pasi qëllimi i cionizmit është krijimi i një shteti hebre të pastër etnikisht. Nga këtu buron edhe slogani i përbashkët që përdornin si kolonialistët johebre, ashtu edhe cionistët hebrenj: “Një tokë pa popull për një popull pa tokë”. Por një tokë e tillë, siç ka thënë Hannah Arendt, ekziston vetëm në sipërfaqen e Hënës.

Për këtë arsye, kolonializmi cionist duhej të pushtonte një copë toke dhe ta zbrazte atë nga banorët e saj përmes dhunës. Prandaj, dëbimi i palestinezëve nga tokat e tyre është pjesë thelbësore e vizionit kolonializues cionist, dhe kjo mbetet tipari kryesor i kolonializmit cionist në Palestinë.

Zbrazja e Palestinës nga të gjithë banorët e saj, ose të paktën nga shumica prej tyre, është një shtyllë themelore e mendimit cionist – dhe kjo është logjike dhe e kuptueshme: nëse toka do të pushtohej ndërkohë që banorët vendas do të mbeteshin aty, atëherë do të ishte e pamundur krijimi i një shteti hebre. Në vend të tij, do të krijohej një shtet që përfaqëson të gjithë popullin që jeton në të, pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike, dhe do të merrte identitetin e tij etnik nga shumica e banorëve. Një shtet i tillë nuk do të përfaqësonte aspak ëndrrën cioniste, e cila synon shtetin-geto.

Prandaj, zhdukja e arabëve është konsideruar si diçka e domosdoshme. Racizmi cionist nuk është një rastësi, as nuk është rezultat i ndonjë individi apo grupi specifik, por është një tipar strukturor i vetë ideologjisë: që ëndrra cioniste të realizohet, popullsia autoktone duhet të zhduket. Nëse ata nuk zhduken, ëndrra nuk realizohet.

Për këtë arsye, të gjithë cionistët – pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare apo politike, apo vlerat etike që pretendojnë se ndjekin – kontribuojnë dhe forcojnë strukturën raciste. Edhe kolonët hebrenj që shkojnë në Palestinë, edhe sikur të vijnë me idealet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë, në fakt ndihmojnë në dëbimin e palestinezëve, shkatërrimin e marrëdhënieve të tyre shoqërore, ekonomike dhe kulturore, dhe forcimin e një shoqërie koloniale të bazuar mbi grabitjen.

Kjo përbën një problematikë të thellë etike, madje edhe për ata izraelitë që kundërshtojnë cionizmin, por që kanë lindur në tokën e Palestinës së pushtuar.

E gjithë kjo qasje konfirmohet edhe nga vetë Israel Zangwill, i cili thoshte:

“Nëse duam t’i japim një vend një populli pa tokë, atëherë është marrëzi të lejojmë që në atë vend të ketë një popull tjetër.”

Ka elemente të veçanta të kolonializmit zëvendësues cionist, të cilat sigurojnë vazhdimin e mekanizmave të përplasjeve dhe tensioneve mes këtij kolonializmi dhe popullsisë vendase, si dhe me banorët e rajonit në tërësi. Shumica e përvojave të tjera zëvendësuese kanë zgjidhur problemin e popullsisë vendase (domethënë të ekzistencës së popullsisë autoktone) përmes disa mënyrash: dëbimit, gjenocidit, bashkimit me elementët e popullsisë vendase, ose me një kombinim të këtyre elementëve.

Por përvoja koloniale cioniste është ndryshe nga shumica e përvojave të tjera, sepse ajo nuk ndodhi në territore të largëta nga bota e vjetër (siç janë Amerika, Australia dhe Zelanda e Re), por në zemër të Lindjes Arabe, në një rajon që ka një dendësi të lartë popullsie, një trashëgimi historike të gjatë, tradita të forta kulturore dhe një shtrirje të lidhur me popujt dhe kulturat përreth Palestinës.

Për këtë arsye, zgjidhja e problemit të dëbimit është shumë e vështirë, zgjidhja e gjenocidit është gati e pamundur (2), andaj edhe bashkimi apo martesa mes këtyre dy zgjidhjeve nuk janë një opsion i mundshëm. Kjo e bën çështjen palestineze, si nga aspekti demografik ashtu edhe nga ai historik, të pashmangshme nga zgjidhjet tradicionale kolonialiste që janë përdorur në territore të tjera gjatë periudhave të ndryshme historike. Për këtë arsye, është e pritshme që tensionet, izolimi dhe ashpërsia të vazhdojnë.

Domosdoshmëria e Dëbimit dhe Transferimit të Palestinezëve

Pra, qëllimi i planit cionist – ashtu si çdo projekt tjetër kolonial zëvendësues – është dëbimi dhe zhvendosja e popullsisë vendase që ka pushtuar tokën ku do të krijohet kolonizimi cionist. Kjo është një domosdoshmëri për të mundësuar krijimin e një shteti hebre të pastër, pa asnjë ndotje nga elementë të tjerë etnikë apo civilizues. Prandaj, është hedhur parulla “Një tokë pa popull”. Kjo e bën dëbimin e palestinezëve një domosdoshmëri që buron nga logjika e brendshme e cionizmit.

Për shembull, Israel Zangwill, intelektuali cionist britanik, thekson në shkrimet e tij të hershme nevojën për dëbimin dhe zhvendosjen e arabëve, duke thënë:

“Nuk duhet lejuar që arabët të pengojnë realizimin e projektit cionist, prandaj duhet t’i bindim ata për emigrimin masiv. A nuk kanë arabët gjithë botën arabe për t’u vendosur? Nuk ka asnjë arsye të veçantë që t’i mbajnë ata këtu, në këto disa kilometra. Ata janë beduinë, ata mund të mblidhen shpejt, të marrin tendat dhe të zhduken në heshtje dhe të lëvizin nga një vend në tjetër.”

Po ashtu, Joseph Weitz, përgjegjësi për kolonizimin në Agjencinë Hebreje, shkruan në numrin e 29 shtator 1967 të gazetës Davar se ai dhe udhëheqësit e tjerë cionistë kanë arritur në përfundimin se “nuk ka vend për të dy popujt (arabët dhe hebrenjtë) në këtë vend”, dhe realizimi i objektivave cioniste kërkon të zbrazet Palestina, ose një pjesë e saj nga popullsia e saj, dhe për këtë arsye duhet që arabët, të gjithë arabët, të transferohen në shtetet fqinje. Pas përfundimit të këtij procesi transferimi, Palestina mund të presë miliona hebrenj.

Ekziston një vizion i qartë kolonial zëvendësues cionist, me logjikën e tij të qartë dhe të pashmangshme, i cili është shndërruar në një plan për të zgjidhur problemin demografik të cionistëve. Ky problem zakonisht ka një zgjidhje finale të plotë, që mund të variojë mes një masivizimi të transferimit (transferimi i plotë) ose zhdukjes fizike të plotë, ose mund të shkojë në kufirin minimal, krijimin e një shumice nga elementi i ri popullor. Ajo që është e lëvizshme janë kufijtë maksimal dhe minimal, ndërsa ajo që është e pandryshueshme është vizioni i transferimit dhe zëvendësimit.

Pra, parimet janë të qarta dhe plani nuk është më pak i qartë, dhe mekanizmat e përdorur në këto eksperienca koloniale zëvendësuese janë të njohur, pasi njerëzit nuk lënë tokat e tyre kaq lehtë, ata nuk i mbyllin tendat dhe zhduken pa bërë zhurmë, prandaj përdoret dhuna dhe forcë.

Në vitin 1907, u krijua një organizatë ushtarake cioniste sekrete, me devizën “Judaja ra me gjak dhe zjarr dhe do të ngrihet po ashtu”. Ky grup mori emrin Haganah në vitin 1909. Haganah, si dega ushtarake e Agjencisë Hebraike dhe e Organizatës Cioniste Botërore, e ruajti këtë sloganjin terrorist. Megjithatë, Irgun (ose Haganah Bet), e drejtuar nga Menachem Begin, e mbajti këtë simbol. Irgun përdorte si simbol një dorë që mbante një pushkë mbi hartën e Palestinës dhe Transjordanisë, me fjalët poshtë që thonin: “Kështu vetëm”. Në vitin 1948, të dy grupet, Haganah dhe Irgun, u bashkuan dhe krijuan Ushtarin e Mbrojtjes Izraelite.

Kështu, zbrazja e Palestinës nga popullsia e saj bëhet një qëllim dhe domosdoshmëri e cila kërkohet nga logjika e dhunës cioniste. Për të realizuar planin e tyre, cionistët përdorën taktika të ndryshme, dhe dhuna e armatosur nuk ishte mjeti i vetëm. Ata përdorën edhe mjete të tjera, ku mashtrimi ishte më i rëndësishmi. Ky mashtrim përfshinte përhapjen e frikës dhe terrorit mes arabëve, dhe ndonëse dy metodat ishin të ndërthurura, ato në fakt ishin pjesë e një plani të vetëm të integruar. Për shembull, në masakrën e Deir Yassin, cionistët ishin shumë të kujdesshëm për të informuar të gjithë palestinezët për ngjarjen, për të krijuar frikë dhe panik. Një nga metodat më të zakonshme të luftës psikologjike ishte përdorimi i sistemit të altoparlantëve dhe transmetimeve radiofonike për të krijuar një atmosferë të tmerrshme për banorët.

—————-

*Abd al-Wahhab al-Masiri (2002). Sionizmi dhe dhuna: Nga fillimi i vendosjes deri te Intifada e Aksasë. Botimi i dytë. Kajro: Dar al-Shorouq. fq. 191–232.

** Ishte Profesor i letërsisë angleze dhe krahasuese në Fakultetin e Vajzave, Universiteti Ain Shams.

[1] Me këtë qasje, Izraeli siguroi mbështetje të hapur nga vendet perëndimore.

[2] Është e nevojshme të theksohet se ngjarjet aktuale tregojnë se kjo pamundësi ka ndryshuar tani, dhe ajo që ishte e pamundur në fillim të shekullit nuk është më e tillë në vitin 2023.

Autori: dr. Abdelvahab El-Messiri (1938-2008): Mendimtar egjiptian, i cili konsiderohet – Allahu e mëshiroftë – si një nga kritikët më të rëndësishëm të civilizimit materialist perëndimor. Megjithatë, ai u shfaq më qartë në studimin e tij për cionizmin, një temë që mori një pjesë të madhe të angazhimeve të tij intelektuale dhe politike. Enciklopedia e tij “Hebrenjtë, Hebraizmi dhe Cionizmi” ishte një shtesë cilësore që pasuroi fushën njohëse arabe islame. Angazhimi i tij i thellë intelektual për të lexuar këtë lëvizje i mundësoi atij të zhvillonte mendimin e tij personal mbi lindjen e ideologjisë cioniste. Ai thotë në rrugëtimin e tij intelektual: “E njoh cionizmin, jo nga një perspektivë arabe, as nga një perspektivë hebraike biblike, por nga një perspektivë globale si pjesë e formimit të civilizimit perëndimor dhe historisë së ideve në Perëndim. Madje, unë mendoj se problemet filozofike që ngriti cionizmi për mua ishin të ngritura në jetën time para se të përfshihem me temën e hebrenjve, hebraizmit dhe cionizmit.” (“Rrugëtimi im intelektual”, nga Abdelwahab El-Messiri, f. 371).

Dhe, ndoshta libri i tij “Cionizmi dhe Civilizimi Perëndimor” përmbledh tërësisht vizionin e tij për këtë lëvizje dhe lidhjen e saj me civilizimin dhe mendimin perëndimor.

Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit