22.5 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Çavuşoğlu: Vizita e Erdoğan-it kishte rol kyç për Somalinë

Më të lexuarat

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu ka shkruar një artikull për shtetin e Afrikës Lindore pas fillimit të Konferencës tre-ditore për Somalinë në Londër

ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka thënë se vlerëson vizitën e Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Somali në vitin 2011 si një moment vendimtar për Somalinë dhe “mesazh historik” për popullin e saj dhe mbarë botën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu i bëri këto vlerësime në një artikull të titulluar “Politikat inicuese dhe humanitare për Somalinë” në vazhdën e Konferencës tre-ditore për Somalinë në Londër, në të cilën do të diskutohet për të ardhmen e vendit afrikano-lindor deri në vitin 2020.

“Në kohën kur populli somalez kishte humbur pothuajse të gjitha shpresat për të ardhmen e tij, presidenti i kishte siguruar ata se Turqia besonte në të ardhmen e Somalisë dhe se somalezët nuk do të mbesin të vetëm në rrugëtimin e tyre. Dhe, kur asnjë udhëheqës botëror nuk guxonte të vizitonte Mogadishun në dy dekada dhe asnjë vend nuk u përkushtua për të ndihmuar, Presidenti Erdoğan mori rrugën për atje”, tha Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu potencoi ndihmën e Turqisë në infrastrukturë, rrugë, spitale, aeroporte, një port si dhe Spitali “Recep Tayyip Erdoğan”.

Ai tha: “Turqia ka përqafuar të gjithë Somalinë dhe të gjithë somalezët dhe e ka bërë këtë me dashamirësi”.

Ministri i Jashtëm shprehu besim në aftësinë e ushtrisë së rregullt të Somalisë për të eleminuar organizatën terroriste Al-Shabaab.

“Turqia do të operacionalizojë plotësisht Qendrën e Trajnimit Ushtarak Anadolu në shtator të këtij viti. Ne shpresojmë se oficerët dhe ushtarët që do të trajnohen në këtë qendër dhe do të përbëjnë një forcë për qeverinë somaleze e cila do të mposhtë terrorizmin e Al-Shabaab-it”, tha ai.

Çavuşoğlu gjithashtu komentoi edhe rreth thatësirës së vazhdueshme që ka përfshirë rajonin.

“Ndërsa shohim mbështetjen e parashikueshme dhe të përkushtuar afatgjate të bashkësisë ndërkombëtare, nuk duhet të harrojmë nevojat emergjente të mbi 6 milionë somalezëve për ndihmën urgjente në ushqime”, shtoi ai.

Ai tha se Turqia ka nisur një fushatë të ndihmave për Afrikën Lindore të goditur nga thatësira në mars nën udhëheqjen e Erdoğanit.

“Gjysmëhëna e Kuqe Turke është mobilizuar për të ofruar ndihmë të rëndësishme ushqimore përpara mbërritjes së muajit të Ramazanit. Nga thatësira nuk është prekur vetëm Somalia, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me shpejtësi për të ofruar ndihmë të ngjashme për të gjithë Afrikën Lindore e cila është e goditur nga thatësira”, tha ai tha.

“Jam mirënjohës që Britania e Madhe dhe OKB-ja i kanë kushtuar vëmendje thirrjes së vazhdueshme të Turqisë për t’u angazhuar në përpjekjet për të ndihmuar në normalizimin e Somalisë”, tha ai duke iu referuar Konferencës për Somalinë në Londër.

“Në aspektin ekonomik, Turqia tashmë ka kontribuar me mbi 600 milionë dollarë për projektet e zhvillimit të Somalisë”, theksoi ndër të tjera Çavuşoğlu.

Në konferncën për Somalinë Turqia përfaqësohet nga Kryeministri Binali Yıldırım.

Somalia është aktualisht në telashe të madhe e prekur nga thatësira e gjerë, e cila ka goditur edhe disa vende në rajonin e Afrikës Lindore.

Sipas UNICEF-it, vendi gjithashtu vuan edhe nga problemet e varfërisë. Sipas vlerësimeve, numri i fëmijëve të kequshqyer është rritur me 50 për qind në 1.4 milion që nga fillimi i vitit 2017.

OKB-ja gjithashtu thotë se të paktën 615 mijë njerëz janë zhvendosur në Somali që nga viti 2016 nga thatësira, 40 mijë fëmijë somalezë kanë ndërprerë shkollimin.

Muajin e kaluar, Turqia dhe Somalia nënshkruan marrëveshje për shtimin e qendrave kulturore dhe për zhvillimin e bashkëpunimit gjatë vizitës së liderit somalez në Ankara.

Gjithashtu edhe Turkish Airlines ka nisur një fushatë këtë vit për të ndihmuar vendin e Afrikës Lindore, duke transportuar furnizime humanitare në Mogadishu.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit