16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Këtë vit ti po martohesh!

Më të lexuarat

Këtë vit martohesh

Secili i ri dhe e re një prej dëshirave dhe ëndrrave të veta e ka edhe martesën. Kjo ashtu edhe duhet të jetë. Me martesë një i ri dhe një e re përveç që ndihmon veten për të përmbush nevojën e vet ai/ajo me këtë vepër e ndihmon edhe ndërtimin dhe zhvillimin e shoqërisë.

Mirëpo, pasi që martesa është një vepër që, zakonisht, ndodhë një herë në jetë, pasi që shumica e familjeve tona janë monogame, atëherë shumë prej tyre në mungesë të përvojës mundet edhe të gabojë në vendimin e vet.

Për të mos gabuar në vendimin më të madh në jetën e tij/saj do ti paraqesim disa kritere, të cilat duhet ti ketë parasysh gjatë përzgjedhjes së fatit të jetës së vet.

Shtytës për martesë nuk duhet të jetë vetëm pasioni, apo magjepsja me gojëmbëlsinë e tij/saj, bukuria fizike, dëshira për të kaluar sfidën, etj, porse fillimisht të fiton Kënaqësinë e Allahut, të ruan ndershmërinë dhe të shton dhe zhvillon njerëzimin.

Për këtë arsye, i Dashur ynë, Pejgamberi, lavdi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, i është drejtuar të riut dhe i ka thënë:

“Femrën mund ta martosh për:

1- bukurinë e saj;

2- pasurinë e saj;

3- sojin e saj; dhe

4- fenë e sajë.

Zgjedhe atë që ka fe, qofsh i lumtur”. (Buhariu në sahihun e tij).

Porosi historike, e cila ka mbijetuar dhe është vërtetuar vazhdimisht ndër shekuj, me të cilën i ndihmon shumë një të riut, sipas cilave kritere ta bëjë përzgjedhjen e fatit të jetës.

Feja, me tërë vlerat e veta që ka, i ndihmon njeriut të jetë intelektual, punëtor, i sjellshëm, i ndershëm, dhe në shërbim të plotësimit të njëri tjetrit. Andaj një familje që ndërtohet mbi këtë parim dhe që të dytë plotësojnë këtë kriter, ata ndërtojnë një familje të plotë dhe me këtë ndihmojnë në plotësimin e shoqërisë.

Soji i vajzës, ose djalit, tregojnë se vlerat e tyre janë me rrënjë, nuk janë momentale, nuk janë sipërfaqësore, nuk janë makijazh për të mashtruar tjetrin, porse ato janë të trashëguara brez pas brezi. Andaj edhe ky kriter ka një peshë të madhe në përcaktimin e secilit të ri për bashkëshorten e ardhshme të tij.

Kurse bukuria dhe pasuri, të cilat fatkeqësisht, sot janë më të rëndësishmet të rinia jonë, janë vlera momentale, ato shpesh herë dinë të dëmtojnë më shumë se sa të bëjnë dobi. Bukuria fizike e një femre

ose djali mund të bëhet shkak për mos investim në bukurinë e shpirtit apo mendjes, nuk investojnë në ndershmëri dhe dituri, në edukatë dhe kulturë. Përderisa janë joshës me pamjen e tyre, ata mendojnë se nuk kanë nevojë për tu imponuar me shpirt të dëlirë dhe me dituri të bollshme.

E kjo e dëmton baraspeshën të cilën duhet ta kemi në jetën tonë mes investimit në atë shpirtëroren dhe në atë materialen, dhe si pasojë e kësaj pastaj dëmtohet edhe ekuivalenca në shoqëri.

I Dashuri ynë, Muhammedi, lavdi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te, nuk e ka lënë edhe gjininë femërore pa porosi, këshillë dhe udhëzim në këtë drejtim.

Edhe kësaj gjinie të butë dhe të njomë i ka dhënë këshillë dhe i ka thënë:

“Nëse ju vjen për martesë një djalosh, feja dhe morali i të cilit ju pëlqen, atëherë martojeni, përndryshe bëhet sprovë dhe çorodi e madhe”. (Tirmidhiu, hadithi është hasen).

Edhe në këtë porosi është ndalë te feja dhe morali, të cilat bashkë ja rregullojnë njeriut edhe anën e brendshme por edhe atë të jashtmen, edhe atë të dukshmen edhe atë të fshehtën.

Andaj nëse ju vjen një mundësi e tillë, mos lejoni të ju ikë, por kapeni dhe pranojeni ofertën dhe mos lejoni të luajnë me mendjen tuaj shoqet dhe shokët, ose të ju bënë cytje djalli e t’ju largon nga këto mundësi të arta me sugjerime, të cilat në formën e parë të duken të dobishme, kurse fundi tyre është dëm dhe vuajtje.

Ikni të gjitha formave të lidhjeve tjera, flirteve, takimeve, bisedave, ngacmimeve, vetmimeve, të cilat mund t’ju devijojnë udhëtimin tuaj drejt Allahut, të cilat mund të spikasin nevojën fizike më shumë se atë emocionale, se atë shpirtërore, se atë intelektuale dhe fundi i të cilave veprime të jetë vuajte, stres, humbje dhe dështim.

Për fund, ju kisha këshilluar të nxitoni në martesë, por edhe të përgatiteni për këtë martesë me dituri, përvojë, edukatë dhe zanate për jetën bashkëshortore, që kjo lidhje të mos jetë lidhje e kënaqjes së epshit vetëm, por fillim i një familje të re, nga e cila do të dalin nëna dhe burra, në supet e të cilëve do të ndërtohet dynjaja dhe do të vjen bereqeti i Allahut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit