O rob i Allahut!
Këto ditë janë plot bekime, begati dhe mirësi. Njeriu mund të qëndrojë në shtëpitë e Allahut duke lexuar Kuranin, duke e përmendur Allahun pas namazit të sabahut deri në lindjen e diellit, pas ikindisë deri në aksham, apo edhe më shumë se kaq. Është e pëlqyeshme të bëjë nijet për itikaf për aq kohë sa i lejohet ose i mundësohet, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër apo të gjatë. Itikafi është i ligjshëm në çdo kohë në shtëpitë e Allahut – ky është konsensusi i dijetarëve të umetit.
Përpiqu që në Ramazan të shndërrosh gjithçka në adhurim: gjumin dhe pushimin tënd, fjalët dhe heshtjen tënde, ecjen dhe sportin, punën dhe shpenzimet e tua, vizitat dhe takimet e tua, biznesin dhe udhëtimet e tua, si dhe tregtinë, shëndetin dhe sëmundjen tënde. Gjithë jeta jote le të jetë me Allahun.
Ji i mençur dhe i sinqertë, duke ndjekur me konsekuencë Sunetin dhe jo bidatet, teksa bën tregti me Allahun.
Shpëtimi, suksesi dhe lumturia e vërtetë – të gjitha këto janë produkte të zemrave të devotshme.
Do të shpëtojnë dhe do të jenë të lumtur ata që janë të përkushtuar dhe të vetëdijshëm, ndërsa humbës janë të shkujdesurit dhe përtacët.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush i frikësohet Allahut, do të niset herët (për ta kërkuar shpëtimin); dhe kush niset herët, do të arrijë në vendin e sigurt. Vërtet, malli i Allahut është i shtrenjtë; vërtet, malli i Allahut është Xheneti.” (Tirmidhiu)
Nxito dhe garo në Ramazan; përpiqu të dalësh i pari në garë! Lexoje Kuranin e plotë çdo tri ditë, fale çdo ditë pesëdhjetë rekate, përmende Zotin tënd pesë mijë herë! Këto janë të lehta për ata që ua lehtëson Allahu. Sa do të jetojmë në këtë botë?! Durim dhe vetëm durim! Takimi është në Xhenet.
Ruani gjymtyrët tuaja nga mëkatet! Mos u hyni në hak njerëzve nëpërmjet mëkateve të tilla si përgojimi, sepse mundi dhe sakrifica juaj shkojnë kot dhe sevapet tuaja ua dhuroni të tjerëve.
Këshilloni fëmijët, gratë dhe vëllezërit tuaj në këtë rrugë:
“Dhe në këtë le të garojnë ata që duan të garojnë!”
Allahu jua plotësoftë dëshirat, madje edhe më shumë sesa dëshironi!
Vëllai juaj: Fehd el Amari
