Edhe pse fjala “atdhe” dhe “mëmëdhe” në shqip na lidhin me tokën, patriotizmi i vërtetë lidhet me dashurinë, respektin dhe solidaritetin për njerëzit që na rrethojnë. Atdheun mbi të gjitha e bëjnë familjarët, të afërmit, bashkëkombësit, gjuha, zakonet, traditat dhe kultura, pa toka e Zotit ngado do të shihej njësoj. Ajo që bën dallimin është pikërisht mënyra sesi ne si njerëz sillemi mbi këtë tokë me njeri-tjetrin dhe jo vendi ku jetojmë, të cilin do ta donim njëlloj kudo që të ishim, në mes të shkretëtirës, apo në pyjet e harlisur, në malet me dëborë apo në rërën e përvëluese.
Tokën që na e ka falur Zoti e kemi të mrekullueshme, si rrallëkush në botë, e megjithatë e braktisim atë, për diku tjetër, sepse ajo që ne kërkojmë më shumë nuk është një klimë më e butë, as një reliev më miqësor, por njerëz që kanë ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe funksionale sesa ajo jona. Kështu që Shqipëria nis nga shqiptarët, sepse ata mund të bëhen më të mirë ose më të këqij dhe bashkë me ta edhe Shqipëria.
Nëse nuk duam njeri-tjetrin, nëse nuk kemi besë dhe besim tek askush, mirësitë që na rrethojnë nuk vlejnë asnjë lek. A nuk e shihni sesi popuj të ndryshëm e begatojnë tokën e tyre të shkretë me atë që bëjnë dhe si sillen me njeri-tjetrin, ndërkohë që të tjerë edhe pse jetojnë mbi pasuri të panumërta jetojnë si mos më keq?
Nëse ne nuk investojmë tek njeriu, tek kapitali më i shtrenjtë, gurët dhe drurët, malet dhe lumenjtë, mineralet dhe bimët, dhe gjithçka që ne kemi do t’i shijojë dhe përfitojë tjetërkush, më shumë sesa ne.
/Hoxhë Dr. Justinian Topulli/
